Kontrollorët e Trafikut Ajror pezullojnë grevën

Autori:Gazeta Fjala

kontrolleret_6141-600x360

Kontrollorët e Trafikut Ajror në Kosovë pas takimit me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, kanë anuluar grevën e sotme 1 orëshe.

Në mirëbesim me ministrin, ata iu kanë dhënë kohë deri në muajin shtator për realizimin e gjitha kërkesave të tyre, në të kundërtën nuk mohojnë as grevën e përgjithshme brenda aeroportit.

Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Zgjim Topxhiu u shpreh se për shkak të kësaj gjendje prej miratimit të Ligjit për Paga në muajin shkurt dhe moslargimin e tyre nga ky ligj ka filluar një pasiguri në punën e tyre.

“Ne në mirëbesim me zotimet e ministrit vendosëm të pezullojmë grevën dhe t’i japim kohë prapë Ministrisë së Infrastrukturës për reflektim dhe implementim të marrëveshjes. I gjithë progresi që do të bëhet në implementimin e kësaj marrëveshje ne do t’i bëjmë një analizë atij progresi deri në fund të muajit shtator. Pas asaj në dakordim me Kryesinë dhe Kuvendit të Sindikatës do të vendosim për veprimet e tona në të ardhmen”, është shprehur Topxhiu.

Vendimin për hyrje në grevë një orëshe, Topxhiu tha se e kanë marrë për arsye se ka mbi 80 ditë që asnjë nga pikat e tyre në marrëveshjen paraprake me ministrin Lekaj nuk është konkretizuar.

“Para një jave kishin kaluar më shumë se tetëdhjetë ditë dhe asnjë nga pikat nuk ishte konkretizuar. Pavarësisht kërkesave tona për takim dhe kërkesave tona për t’iu kthyer përgjigjeve diçka konkrete të cilën ne e kemi kërkuar, ne nuk e kemi marr asgjë për të na thënë se është duke punuar për këtë çështje. Për këtë arsye ka filluar një pasiguri në punë”, ka deklaruar Topxhiu.

Me të ndërmarrë këtë masë, sipas tij ka ardhur reagimi i ministrit Pal Lekaj, i cili ka garantuar dhe është zotuar që gjitha pikat e marrëveshjes së parë do të zbatohen.

Si arsye të kësaj vonese, kryetari i sindikatës ka thënë se kanë marrë mungesën e bashkëpunimit brenda institucioneve.

“ Pas takimit që kishim dhe gjatë takimit që kishim ai është zotuar dhe një herë për implementimin e marrëveshjes dhe u zotua që do t’i zbatoj gjitha pikat që i kemi shprehur në marrëveshje. Njëri prej problemeve është se jo të gjitha institucionet po bashkëpunojmë me njëra tjetrën dhe punët nuk po kryhen në afat të caktuar. Prandaj ne ia cekëm edhe ministrit se kjo nuk është grevë e drejtuar vetëm ndaj Ministrisë, apo është dhe ndaj institucioneve tjera përkatëse të cilat nuk po e kryejnë punën në afat të caktuar”, thotë Topxhiu.

Në muajin shkurt ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj kishte nënshkruar me kryetarin e atëhershëm të Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Artan Hasani një memorandum bashkëpunimi ku i adresoheshin gjitha kërkesat atyre që kishin të bënin me Ligjin për Paga.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kontrolloret-e-trafikut-ajror-pezullojne-greven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala