Kontaktet sekrete të Rugovës me UÇK’në

Autori:Gazeta Fjala

rugova - thaci

Shkuarja e zyrtarëve të LDK’së në Shtabin e UÇK’së mbahej sekret edhe prej amerikanëve

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, për herë të parë kontaktet e drejtpërdrejta me UÇK’në i kishte pasur në janar të vitit 1999. Atëkohë, i deleguar i Rugovës te UÇK’ja ishte caktuar njëri prej themeluesve të LDK’së, Milazim Krasniqi.

Në Shtabin e UÇK’së, pos Krasniqit, kishte shkuar edhe Faruk Spahiu dhe ishte ndërmjetësuar nga Qazim Thaçi. Zyrtarët e LDK’së i kishte pritur Shefi i Shtabit, Bislim Zyrapi. Këto janë disa prej ngjarjeve që përshkruhen në librin e shkrimtarit Milazim Krasniqi, i titulluar “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova”.

“Unë e pranova propozimin por i kërkova që me mua të vinte Faruk Spahija, i cili ishte anëtar i Kryesisë së LDK’së dhe një nga njerëzit, që edhe Rugova e konsideronte korrekt. Ai u pajtuar me propozimin tim dhe unë e organizova shkuarjen, me ndërmjetësimin e Qazim Thaçit, me logjistikën e Osman Qerretit (Komandant Çunit) dhe biseduam me Shefin e Shtabit Operativ të UÇK’së, Bislim Zyrapin, në Shtabin e tij në Berishë”, shkruan Krasniqi, në faqen 50 të librit.

“Pasi e kaluam një natë në një shtëpi, me një grup ushtarësh të UÇK’së e ku biseduam gjerësisht për preokupimet e tyre, u kthyem në Prishtinë dhe po atë ditë i raportuam Presidentit Rugova, në shtëpinë e tij në Velani”, shkruan më tej në libër zyrtari i LDK’së që kishte takuar udhëheqjen e UÇK’së gjatë kohës së luftës.

Ky është vetëm njëri prej episodeve  të librit që flet për Ibrahim Rugovën prej fëmijërisë së tij e deri te koha e pasluftës kur Presidenti Rugova po e realizonte ëndrrën e tij për të qenë në krye të Shtetit që po lindte.

Në të njëjtin libër mund të mësoni përgjigjet në pyetjet: ”Çfarë fëmijërie pati Ibrahim Rugova? Kush e keqtrajtonte sistematikisht? Pse e ëma ia kishte bërë djepit një zgjatim dhe e kishte mbajtur dy vjet në djep?  Kush dhe pse ia ndaloi botimin e poezive, kur ishte nxënës i fillores?

Çka e kishte porositur Ibrahimin mësuesi malazez?  Cilin person nga familja e gjerë e kishte model Ibrahim Rugova? Çka mendonte Rugova për babain e vet të zhdukur? Çfarë mesazhi tronditës i erdhi për babain në vitin 1988 nga Velenja e Sllovenisë?  Çfarë shprehish kishte sjellë Rugova nga Parisi?

Cfarë mendimi kishte Rugova për intelektualët e vjetër shqiptarë të Kosovës? Cilët kolegë ia vidhnin idetë Ibrahim Rugovës dhe botonin tekste me to?  Çfarë mendimi kishte për Sali Berishën e për Alia Izetbegoviqin? Si e menaxhoi Rugova debatin për ndryshimet kushtetuese të vitit 1988? Si u soll Rugova në bisedat e shkrimtarëve në Beograd?  Cili ishte qëndrimi i Rugovës ndaj Fadil Hoxhës? Pse e vizitoi në vitin 1989? Kush e kishte njoftuar Rugovën në vitin 1990 në Uashington se do të bëhej kryetar i Kosovës dhe për ç’farë arsyeje?  Pse mendonte Rugova se “ata të malit” po i merrnin në qafë njerëzit? Cili është mendimi i saktë i Rugovës për Pjetër Bogdanin? Cili ishte qëndrimi i Rugovës ndaj enverizmit? Pse u organizuan zgjedhjet parlamenare e presidentiale të vitit 1998 dhe kush kend e mashtroi me to?

Kur dhe pse filloi ta humbte durimin Rugova? A e takoi Rugova Zoran Gjingjiqin në vigjile të kremtimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës?  Si u autorizua intervista e Rugovës me Renate Flotaun për der Shpigel? Cilat janë sekretet e Kongresit të fundit të shkrimtarëve të Jugosllavisë në Gjevgjeli?  Si u soll Rugova në takimin e parë me ambasadorin Zimerman, për çka i mbajti ligjëratë?  Cilat qenë prapaskenat e themelimit të LDK-së?  Cili ishte qëndrimi i Rugovës gjatë ditëve sa ishte peng i Millosheviqit? Cilat zhvillime patën ndikim për lirimin e Rugovës? Çka u bisedua në Shkup mes Rugovës dhe bashkëpunëtorëve të tij, pas lirimit të tij nga Millosheviqi? Si u soll Rugova pas luftës me miqtë dhe me bashkëpunëtorët e vet të afërt? Kush e kritikonte për gjallje, ndërsa e mbron Rugovën e vdekur dhe pse? Cili është Rugova i mitizuar dhe cili ëshë Rugova i vërtetë?/Gazeta Express/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kontaktet-sekrete-te-rugoves-me-uckne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala