Komunat të varura nga Qeveria

Autori:Gazeta Fjala

komunat

Menaxhimi me prona komunale, furnizimi me ujë, menaxhimi me mbeturina, mbrojtja e mjedisit dhe shëndetësia primare, janë disa nga problemet me të cilat përballen komunat e Kosovës.

Mirëpo, kompetencat e komunave në trajtimin e këtyre problemeve , ani pse ekziston një ligj për vetëqeverisjen lokale, shpeshherë kalojnë në nivelin qendror.

Madje, nuk mungojnë rastet kur edhe marrin vendime në emër të tyre, e komunat as nuk janë të njoftuara

Qeveria e Kosovës miraton ligje dhe merr vendime, dhe kështu po i tjetërsojnë   kompetencat e komunave.

Kështu u tha sot në konferencën për media të organizuar nga Instituti GAP, ku u prezantua analiza “Sa kanë kompetenca vetanake komunat?”.

Bekim Salihu nga Instituti GAP , tha se niveli qendror po i tjetërson kompetencat e nivelit lokal.

“Qeveria e Kosovës, merr vendime dhe nxjerr ligje, që po i tjetërsojnë kompetencat e Komunës”, tha Salihu.

Salihu shtoi se komunat nuk kanë të drejtë të bëjnë testim të ajrit e as të menaxhojnë me pronat lokale, ani pse janë në pronësi të tyre.

Pjesëmarrëse në këtë konferencë ishte edhe Sekretarja e përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit  Lokal (MAPL), Rozafa Ukimeraj, e cila tha se komunat janë të varura financiarisht nga niveli qendror.

Mirëpo, Ukimeraj tha se komunat kanë rezultuar me sukses në përmbushjen e obligimeve ligjore.

Rekomandimet që u dhanë në këtë konferencë, ishin ndryshimi i Ligjit për vetëqeverisje lokale, shtimi i kompetencave në menaxhimin e ndërmarrjeve publike, si dhe formimi i një komisioni për ti parë modalitetet e bartjes së disa pronave nga të tanishme shoqërore në prona komunale me qëllim të ushtrimit më të lehtë nga komunat./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/komunat-te-varura-nga-qeveria/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala