“Kodra e Trimave” pa shpresë për ujë  

Autori:Gazeta Fjala

57301_uji-e-madhe

Nuk ka ujë. Nga ora 11:00 e ditës në lagjen e “Kodrës së Trimave”  në Prishtinë  është ndalur uji. Prej kësaj ore e deri në orën 16:00 të pasdites uji nuk vije në këtë anë.

Ujin mëngu banorët e kësaj lagje janë duke e pasur tash e disa vite. Shehide Makolli banore e kësaj rrethine, ka treguar se për Gazetën Fjala vështirësitë që po u sjellë mungesa e ujit.

“Ujë s’kena, nonstop nalet, prej mas luftës e këna kit problem. Prej orës 11 deri në ora 4 pasdite nuk kena ujë, e kjo ndodhë çdo ditë”, thotë ajo.

Përveç ditës, mungesë të ujit kanë edhe  në orët e vona të mbrëmjes. “Prej orës 10 ose 11 të natës nalet, e nuk vjen deri në ora 6 të mëngjesit”, thotë barorja tjetër Ajshe Makolli.

Kjo familje po ka problem edhe me gypin e ujësjellësit, i cili është prishur në mesin e oborrit të tyre. Gati dy muaj rrjedha e ujit të këtij gypi po kalon afër shtëpisë së tyre.

“Përveç kësaj kemi edhe probleme me gyp në oborr, ka rrjedhje të ujit, rrafsh që dy muj u prish”, tha Makolli. Banoret e kësaj lagje ujë nuk kanë, por faturat janë ato që iu vien me një shumë të madhe.

Agnesa vajza e kësaj shtëpie thotë se është për tu çuditur me faturat që vijnë çdo muaj.

“Faturat e shtrenjta vinë, a ujë s’kemi kërkun. Kena ndërprerje të ujit, por  faturat vinë shumë të shrenjta”. Edhe me shumën e faturave nuk ndahen të kënaqur ngase sipas tyre askujt nuk i vije shuma e njëjtë.

“S’jemi të kënaqur, dikujt i vjen 5 euro e dikujt 19 e 20 euro”, thotë Shehidja zonja e kësaj shtëpie.

Orët e ujit nuk kontrollohen, bile kjo familje thotë se ka kohë që askush nuk ka ardhur ta shoh apo t’i marrë numrat.

“Orën vinë shumë rrallë e kontrollojnë, ka kohë që kërkush nuk u ardh me kshyrë”, thotë Agnesa.

Agnesa e cila duhet t’i laje enët e kuzhinës nervozohet sa herë që i ndalet uji. “Bash kur po na vyn ma së shumti uji, po ka mungesë”, thotë ajo e mërzitur. Prej 24 orëve, i bie që në këtë rrethinë të ketë vetëm 12 orë ujë.

Krejt këto ankesa të banorëve të kësaj lagje i ka hedhur poshtë Ujësjellësi Prishtina.

Arieta Mjeku-Azizi, zëdhënëse e kësaj kompanie ka thënë për Gazetën Fjala se furnizimi me ujë te pijshëm po shkon konform reduktimeve te planifikuara nga Drejtoria Teknike. Derisa ka treguar se në Kodrën e Trimave nuk ka mungesë të ujit.

“Nuk ka mungese uji në këtë lagje por në sezonin e verës kemi rritje enorme te kërkesave për ujë te pijshëm, ne krahasim me kapacitetet distribuese. Vështirësi dhe furnizim më të pavolitshëm, në këtë periudhe, kanë zonat e larta të cilat ndodhen mbi nivelin e rezervuarit Kodra, sepse shpenzimi enorm i zonave të ulëta e pamundëson një furnizim te rregullt në zonat e larta, pra shkak-keqpërdorimet e ujit”, ka thënë Mjeku- Azizi.

Kurse, ajo ka thënë se Banoret e kësaj ane janë diku përafërsisht 70% pagues te rregullt.

“Ujëmatësit në këtë zone dhe në të gjitha zonat e tjera kontrollohen 1 herë në muaj, apo minimumi 1 here ne 3 muaj. Faturat përputhen me shpenzimin e lexuar nga ujëmatësit, pra aq sa shpenzon, aq edhe shkon fatura mujore”, ka thënë zëdhënësja Mjeku- Azizi.

Ky është orari i furnizimit dhe reduktimit me ujë për lagjen Kodra e Trimave sipas Ujësjellësit.

03:00-10:00 kanë ujë të pijshëm, 10:00-16:00 reduktime te planifikuara, 16:00-22:00 kanë ujë, 22:00-03:00 reduktim i planifikuar./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kodra-e-trimave-pa-shprese-per-uje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala