KMDLNJ: Qytetarët ta paguajnë vetëm 70 % të faturës së rrymës

Autori:Gazeta Fjala

rryma

Këshilli për Mbrojtën e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka ftuar qytetarët e Kosovës të mos e paguajnë energjinë elektrike në shumën e faturuar, por ta paguajnë vetëm 70% të shumës së faturuar, kurse pjesën tjetër ta paguajnë shpenzuesit serbë apo nga ndonjë burim.

Ky këshill ka kërkuar që të zbatohet vendimi i Gjykatës së Apelit për ndërprerje të faturimit diskriminues, në baza etnike.

“Si hap të parë, KMDLNj-ja propozon që të zbatohet vendimi i Gjykatës së Apelit për ndërprerje të faturimit diskriminues, në baza etnike, kurse, si hap të dytë, deri të bëhet një zgjidhje përfundimtare dhe në përputhje me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, KMDLNj-ja i fton qytetarët e Kosovës të mos e paguajnë energjinë elektrike në shumën e faturuar por ta paguajnë vetëm 70 % të shumës së faturuar”, thuhet ndër tjera në komunikatën e KMDLNj-së.

Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

“ZRRE DHE KEDS, MBI GJYKATAT, MBI LIGJIN DHE MBI SHTETIN!”

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) në Prishtinë në një reagim para një viti ka kërkuar që të ndërpritet diskriminimi i shpenzuesve të energjisë elektrike shqiptarë dhe të nacionaliteteve tjera të cilëve u është faturuar rryma e shpenzuar nga serbët e veriut të Kosovës dhe komunave me shumicë serbe dhe të cilët, që nga përfundimi i luftës nuk e kanë paguar asnjë cent të vetëm për rrymën që e shpenzuar.

Llogaritet që shuma e faturave për konsumatorët joserbë është ngarkuar me 25-30% të shpenzimeve të serbëve që nënkupton se nëse shuma e faturës ka qenë 100 E ,25-30 euro janë para për shpenzimet e serbëve hiç këtu edhe faturat e fryra, manipulimi me njehsorë sikur edhe keqpërdorimi i skajshëm i tarifave , gjë që edhe është dëshmuar me fakte.

Pas kësaj ka reaguar edhe Avokati i Popullit që pas përfundimit të hetimeve ka konstatuar se dyshimet e KMDLNj-së kanë qenë të mbështetura në fakte duke kërkuar nga ZRRE-ja ta ndërpresë këtë praktikë diskriminuese dhe t’i kompensojë konsumatorët e dëmtuar e që ZRRE-ja, si pjesë aktive dhe përcaktuese e këtij diskriminimi ka refuzuar ta bëjë. Pastaj, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit ka marrë vendim të zbatohen rekomandimet e IAP-it.

Përkundër vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit për ndërprerjen e plaçkitjes së konsumatorëve e që bëhet në baza etnike si edhe të kompensohen në mënyrë retroaktive për dëmin e shkaktuar më shumë se 18 vite.

Zyra e Rregullatorit dhe Energjisë Elektrike nuk e zbaton vendimin e Gjykatës së Apelit me arsyetim se Bordi i ZRRE-së nuk mund të merr vendim për faktin se nuk është i kompletuar, në ndërkohë që po i njëjti Bord, (i pakompletuar) e lejon KEDS-in që në mënyrë të kundërligjshme t’i plaçkitë shpenzuesit dhe paguesit e rregullt të energjisë elektrike e që nuk i përkasin nacionalitetit serb.

Ky skandal apo legalizim i plaçkitjes së konsumatorëve nuk do të tolerohej në asnjë vend dhe nuk do të kalonte pa pasoja ligjore për keqpërdoruesit e mjeteve financiare të konsumatorëve të cilët po ashtu e kanë shumë vështirë t’i shlyejnë faturat për shpenzimet reale të energjisë e lere më të paguajnë për serbët që refuzojnë të paguajnë rrymën, të ndikuar kryesisht nga mosbindja politike.

Ministri Lluka e dha një premtim publik se do të marrë fund kjo plaçkitje e KEDS-it e legalizuar nga ZRRE-ja dhe se konsumatorët e dëmtuar do të kompensohen gjë që në rrethanat aktuale, KMDLNj e konsideron si premtim që nuk do të realizohet.

Si hap të parë, KMDLNj-ja propozon që të zbatohet vendimi i Gjykatës së Apelit për ndërprerje të faturimit diskriminues, në baza etnike, kurse, si hap të dytë, deri të bëhet një zgjidhje përfundimtare dhe në përputhje me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, KMDLNj-ja i fton qytetarët e Kosovës të mos e paguajnë energjinë elektrike në shumën e faturuar por ta paguajnë vetëm 70 % të shumës së faturuar.

Pjesën tjetër (30%) le ta paguajnë shpenzuesit serbë apo nga ndonjë burim tjetër e që nuk e dëmton buxhetin, thuaja social të pjesës dërmuese të konsumatorëve. Autoritetet kosovare duhet ta detyrojnë KEDS-in të hyjë në standardet ekzistuese të pagesës edhe me kartela bankare e jo të detyrohen të paguajnë me para të gatshme por siç ka deklaruar një sporteliste më parë se duhet keshi që t’ju dërgohet padronëve në Turqi.

Një shtet ka probleme serioze të sillet si shtet kur një kompani private KEDS dhe paterica e saj ZRRE nuk i zbatojnë vendimet përfundimtare të Gjykatave të atij shteti siç po ndodhë në Kosovë. Dhe vërtetë, a mund të thuhet në rastin konkret se KEDS-i dhe ZRRE janë vet shteti apo edhe mbi shtetin dhe se Republika e Kosovës është nën protektoratin e KEDS-it dhe ZRRE-së?”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kmdlnj-qytetaret-ta-paguajne-vetem-70-te-fatures-se-rrymes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala