Këto janë premtimet e Haradinajt në fushatë

Autori:Gazeta Fjala

tmp_17539-ramush_haradinaj793456965

Kryeministri i ri i vendit, Ramush Haradinaj ka premtuar shumë gjatë fushatës zgjedhore. Disa prej atyre premtimeve edhe ishin cilësuar si vështirë të realizueshme, mirëpo prej të hënës kreu i AAK’së e ka timonin e Qeverisë për ta dëshmuar veten.

Ramush Haradinaj, ka premtuar zgjidhje të shpejtë për temat kyçe në Kosovë, si: Demarkacionin me Malin e Zi, liberalizimin e vizave, Ushtrinë e Kosovës, luftimin e krimit e korrupsionit, si dhe për punësimin dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Për vizat, tashmë kryeministri kosovar kishte thënë se vetëm tre muaj pasi të marrë detyrën do t’i heqë ato.

Njëri nga premtimet kryesore të tij është rritja e pagave në vend për 30 për qind, si dhe rritja e pensioneve për 25 për qind.

Madje, ai gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit, si mandatar i PAN’it ishte zotuar se do të ulë importet me Serbinë.

Haradinaj, ashtu sikurse kur ka qenë në opozitë, është zotuar se vija kufitare me Malin e Zi do të vendoset në Çakorr, duke kundërshtuar versionin e Qeverisë së Isa Mustafës.
Luftimi i terrorizmit, po ashtu, ka qene një nga zotimet e të parit të qeverisë.

Haradinaj ka thënë se do ta rifunksionalizojë edhe ‘Trepçën’ dhe do të gjejë zgjidhje për pensionistët minatorë, brenda 90 ditëve të tij qeverisje.

Edhe pse për t’u bërë kryeministër i kishte të domosdoshme votat e deputetëve të Listës Serbe, Haradinaj gjatë fushatës premtonte se në Kosovë do të vendosë vetë Republika e Kosovës.

Njëra nga sfidat kryesore për Qeverinë Haradinaj pritet të jetë çështja e energjetikës, konkretisht problemi për sigurimin e thëngjillit nga Korporata Energjetike e Kosovës për t’u siguruar qytetarëve energji elektrike të mjaftueshme.

Edhe pse ishte zotuar se do t’i respektojë veteranët dhe do t’ua kthejë obligimet që ka ndaj tyre shteti i Kosovës, Haradinaj do të trashëgojë një problematikë të tyre. Kjo pasi veteranët e UÇK do të përballen me mungesë të mjeteve për pensionet e tyre mujore, pasi Qeveria e Kosovës nuk ka fonde të mjaftueshme për ndarjen e këtyre pensioneve.

Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili sot zyrtarisht ka nisur detyrën për të qeverisur vendin, kishte premtuar edhe transparencë dhe llogaridhënie gjatë udhëheqjes si shef i ekzekutivit.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/keto-jane-premtimet-haradinajt-ne-fushate/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala