Kështu kultivohet spinaqi

Autori:Gazeta Fjala

spinaqi

Spinaqit mund të mbillet si në fushë të hapur, ashtu edhe në sera. Në teknologjinë e kultivimit të spinaqit rëndësi e veçantë i kushtohet mbirjes së shpejtë dhe të njëkohshme të farave dhe më pas sigurimit të njëtrajtshmërisë në ritmet e zhvillimit të bimëve. Për këtë vëmendja përqendrohet në përgatitjen e mirë të shtratit rrënjor, nëpërmjet kryerjes në kohë dhe me cilësi të punimeve.

Mbjellja e spinaqit bëhet me farë, në rreshta 25-30 cm larg nga njëri-tjetri, në thellësi 1-1.5 cm. Mbjellja bëhet me makina mbjellëse dhe në sipërfaqe të vogla me dorë. Për mbjellje përdoren 20-25 kg/ha farë.

Spinaqi ashtu si perime të tjera gjethore, falë vegjetacionit të shkurtër, krijon mundësinë e shfrytëzimit të serave në periudha të lira nga kulturat intensive. Më të zakonshme mbjelljet e spinaqit në sera janë në vjeshtë, në periudhën Shtator-Nëntor dhe shfrytëzimi i tyre me spinaq deri në prag të mbjelljeve të kulturave intensive pranverore. Megjithatë, në tunele të vegjël apo në mjedise të tjera të ngjashme me ata, mbjellja e spinaqit mund të bëhet edhe në pranverë, në periudhën Janar-Shkurt dhe vjelja e tij në periudhën Prill-Maj. Ndonëse, këto mbjellje korrespondojnë me mbjelljet pranverore të spinaqit në fushë të hapur, rendimenti dhe në mënyrë të veçantë cilësia e prodhimit janë shumë më të mira. Gjithsesi, mbjelljet e vonuara në pranverë nuk janë të këshillueshme, sepse bimët rrezikohen nga lulëzimi i parakohshëm, si pasojë e zgjatjes së ditës. Në raste të tilla bimët formojnë vetëm një numër të vogël gjethesh, prodhimi është i ulët dhe cilësia e tij e keqe.

Në mbirje spinaqi është shumë i ndjeshëm kundrejt mungesës së ujit në tokë. Për këtë arsye, pas mbjelljes së tij janë të domosdoshme disa ujitje të lehta për të realizuar mbirje të shpejta dhe të njëkohshme. Është e këshillueshme që ujitjet e para të bëhen me impiante shi hedhëse, ndërsa më vonë ato mund të kryhen edhe nëpërmjet sistemit të ujitjes me pika, apo mënyra të tjera të ujitjes. Spinaqi, gjatë mbirjes është gjithashtu shumë i ndjeshëm ndaj formimit të kores që formon toka pas ujitjeve apo shirave të rrëmbyera. Për të parandaluar këtë fenomen, në shumë raste këshillohet të kryhet para ujitja e tokës në vend të ujitjeve për mbirje pas mbjelljes. Në çdo rast ujitjet duhet të bëhen me norma të vogla uji, por të shpeshta, në mënyrë që përmbajtja e ujit në tokë të jetë sa 60-70% e kapacitetit të saj ujëmbajtës. Mbjellja e spinaqit me fidane te parapergatitur ne kaseta polisteroli eshte nje praktike pak e njohur, por gjithsesi shume efektive ne shfrytezimin intensive te tokes ne mjedise te mbrojtura.

Pas mbirjes së plotë dhe daljes së gjetheve të vërteta, spinaqit i bëhet bëhet një capitje e lehtë e shoqëruar me rreth 1 kv/ha plehra azotikë, për të favorizuar rritjen e shpejtë të bimëve. Njëkohësisht me to bëhet zëvendësimi i boshllëqeve me bimë të pambira në rresht dhe rrallimi i bimëve të dendura, duke i lënë ato 5-7 cm larg nga njëra tjetra. Pas plehërimit të parë, në varësi nga pjelloria e tokës dhe gjendja e bimëve, bëhen edhe 1-2 plehërime të tjera plotësuese me plehra azotike, por gjithmonë jo më vonë se 3-4 javë përpara vjeljes së bimëve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/keshtu-kultivohet-spinaqi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala