Keqkuptimet e demokracisë

Autori:Blerim Shala

blerim-shala-01

Një mëkëmbje e demokracisë në Kosovë, në trajtë të daljes më të madhe në zgjedhje është kusht nëse duam që vota e qytetarëve të prodhojë cilësi më të mirë të pushtetit.

Zgjedhjet në Kosovë, qofshin ato për pushtetin lokal apo për atë qendror, i kanë disa tipare që konfirmojnë një kontinuitet të raportit të qytetarit me votimin për qeverisjen në nivel të komunës dhe për atë në nivel të vendit, dhe disa veçori të tjera që shmangin këtë vazhdimësi.

Kryeveçoria e zgjedhjeve tek ne, veçmas që prej se u bë Kosova shtet  (mbase, më para qytetarët kanë menduar që edhe vet akti i votimit është një kontribut për krijimin e shtetit), është dalja e ulët e votuesve, e cila megjithatë, është dukuri relative. Në parim pra, kemi të bëjmë me një përqindje aspak impresive, prej 43.82% në zgjedhjet lokale tash, dhe edhe më pak në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, me 41.30%. Nëse në shtetet e mëdha evropiane do të shënohej kjo përqindje e pjesëmarrjes në aktin e ndërlidhjes së vullnetit të qytetarëve me krijimin e pushtetit, gjithsesi do të alarmohej e gjithë politika e atij shteti, sepse kjo do të kishte domethënien e një krize të demokracisë në atë vend. Në rastin e Kosovës, në afër 1.9 milionë votues të regjistruar, janë edhe mbi 350 mijë qytetarë që jetojnë jashtë vendit, e të cilët nuk votojnë, pos disa mijëra veta, përmes postës. Por, edhe nëse këtu pra heqim nga lista e votuesve të gjithë këta votues që nuk jetojnë këndejpari, sërish përqindja e daljes në zgjedhjet lokale, nuk do të ishte më e madhe se 54%.

Kosova nuk është demokracia e parë e re në Evropën pas-komuniste e cila përballet me  dukurinë e ‘lodhjes me demokracinë’ të qytetarëve të rëndomtë, të cilët fillimisht kanë keqkuptuar mundësinë reale që me një votë të ndryshojë gjithçka në jetën e tyre, e pastaj, kanë shkuar në atë skajshmërinë tjetër, duke u bë pengji të bindjes së plotë që vota nuk ndryshon gjë në një vend. E njejta përshtypje që ecë prej një ekstremi te tjetri, edhe kur bëhet fjalë për një tjetër ‘produkt’ të demokracisë, apo për lirinë e shprehjes. Në fillim qytetari i zakonshm vlerëson që kjo liri rrënon mure dhe mundëson një ngritje të jashtëzakonshme të mendimit politik, dhe të cilësisë së pushtetit. Pastaj, vjen qëndrimi që në realitet, liria e shprehjes shërben vetëm për të manipuluar në të gjitha mënyrat e mundshme me interpretimin e realitetit dhe me krijimin e rrethanave kur më nuk është aspak e qartë kush ofron cilësi e kush mashtrim.

Sidoqoftë, një mëkëmbje e demokracisë në Kosovë, në trajtë të daljes më të madhe në zgjedhje është kusht pa të cilin nuk bën nëse duam që vota e qytetarëve të prodhojë cilësi më të mirë të pushtetit, megjithëse këtu asgjë nuk është e garantuar.

Tiparet që shmangin kontinuitetin e zgjedhjeve në Kosovë, përkojnë me vet rezultatin e tyre. Edhe herës së kaluar, në vitet 2013, 2014, brenda një harku kohor prej tetë muajsh, patëm zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme. Kësaj radhe, një herë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme, në qershor, dhe vetëm katër muaj më vonë ato lokale. Por kësaj here, ndryshimi i rezultateve të subjekteve politike brenda katër muajsh, është njëmend dramatik, thuajse kemi të bëjmë me katër vjet distancë kohore në mes tyre.

Në ditët e kaluara ka pasë përpjekje në politikë dhe në media që të gjinden një shpjegues i vetëm i këtij ndryshimi thelbësor të rezultateve, që si një çelës magjik do t’i hapte të gjitha dyertë e shpjegimit të këtyre rezultateve zgjedhore. Në demokraci, ashtu si edhe në jetë, është e pamundur që me një ‘çelës’ të vetëm të mbërrihet tek një interpretim të qëndrueshëm të dukurive politike. Sidoqoftë, duket që qytetarët kosovarë me mënyrën se si kësaj radhe shpërndanë votën e tyre nëpër subjektet politike të vendit, de-monopolizuan ofertën e ndryshimit e cila në zgjedhjet e përgjithshme, për shkak të rrethanave të njohura për të gjithë, u përqëndrua (si mundësi), thuaja në vetëm një adresë politike. Natyrisht, kësaj i ka kontribuar edhe fakti që oferta në zgjedhjet lokale njeh shumë pretendentë për kryetar të komunave dhe për asambleistë në kuvendet komunale, e cila pastaj vjen e bëhet kualitet në vete që josh apo dëbon votusin nga një subjekt i caktuar.

Megjithatë, në bazë të rezultateve të sotme për fuqinë politike në vend, po del që më askush këndejpari nuk ka përkrahjen e 30% të qytetarëve, dhe që vetëm sa do të rritet nevoja për bashkëpunime dhe koalicione politike në vend, gjë që nuk paralajmëronë një stabilizim të demokracisë në Kosovë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/keqkuptimet-e-demokracise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala