KEK-u i gatshëm ti trajnoi kuadrot e ardhshme të teknologjisë

Autori:Gazeta Fjala

41034330-1855908264492424-4920411115227185152-n

Vetëm në tri vitet e fundit rreth 10 mijë qytetarë të Kosovës kanë marrë viza të punës në shtetet perëndimore për një jetë më të mirë.

Kështu ka thënë sot ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë një vizite që ka bërë në Qendrën e Trajnimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës(KEK), i cili vuri në pah se është sfiduese ikja e kuadrove, e cila po shkakton dëme të madhe në vend.

Sipas tij, këto shkathtësi që po zhvillohen në Qendrën e Trajnimeve në KEK, janë në të mirë të vendit, sepse Kosova ka mungesë jashtëzakonisht të madhe të kuadrove në nivel të vendit.

“Po flasim për një ikje të kuadrove nga vendi, por gjithashtu edhe mungesë të certifikimeve të ndryshme ndërkombëtare. Nëse ne vetëm me ndërtimin e Termocentralit (Kosova e Re), do të punësojmë qindra saldues dhe teknik të ndryshëm, ku do t’i marrim ata? Sfida është se ne në vitet e kaluara, për tri vitet e fundit diku rreth 10 mijë vet, persona të certifikuar kanë marrë viza punë për në vendet e perëndimit, siç është Gjermania, dhe kjo normalisht neve na shkakton një dëm afatshkurt, sepse ato kapacitete nuk i kemi zëvendësuar. Andaj, kjo është ideja dhe qëllimi i vizitës të shikohen format se si mundet të certifikohen më shumë persona me shumë shkathtësi dhe të arrihet të mos ketë një hapësirë ku duhet të importohet fuqi punëtore nga vendet e ndryshme të rajonit”, ka thënë Lluka.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik tha se do të angazhohet që të sigurohen sa më shumë bursa për studentët për krijimin e këtyre shkathtësive për certifikim ndërkombëtar, sepse është i domosdoshëm për të gjitha kompanitë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues në KEK, Njazi Thaçi ka prezantuar kapacitetet që posedon Qendra e Trajnimeve në KEK për aftësimin profesional të të rinjve dhe mundësitë që tani do të ofrojë kjo qendër për trajnime në disa teknologji.

Ai tha se në Qendrën e Trajnimeve janë trajnuar punëtorë të KEK-ut, të cilët kanë treguar rezultate të jashtëzakonshme dhe falë tyre KEK është një kompani me perfomancën më të mirë në Kosovë, me një fitim mbi 20 milionë euro.

Ai shtoi se përpos trajnimeve për punëtorët KEK-ut, kjo Qendër kryen trajnime edhe për të rinjtë që janë të interesuar jashtë KEK-ut me kërkesë të donatorëve, kompanive të ndryshme si dhe për fakultete.

 

“Tani ne kemi bërë një strategji që t’ju ofrojmë të rinjve të Kosovës një mundësi trajnimi që të përgatiten për tregun e punës. Kemi trajnerë të përgatitur profesionalisht të certifikuar ndërkombëtarisht, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian. Trajnimet që kjo qendër I kryen janë kryesisht teknike si teknologji elektrike, teknologji makinerie si dhe teknologjia e saldimit. Përpos këtyre trajnimeve, kjo qendër kryen edhe trajnime të tjera siç janë trajnimet e IT-së të menaxhimit të sigurisë industriale si dhe trajnime kundër zjarrit”, tha Thaçi.

Fillimi i punës së Qendrës së Trajnimit ka nisur në maj të vitit 2005, ku ndërtimi i Qendrës e po ashtu pajisja e zyrave, laboratorëve dhe punëtorive është financuar nga burimet KEK-ut dhe nga Agjencioni Evropian për Rindërtim.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kek-u-i-gatshem-ti-trajnoi-kuadrot-e-ardhshme-te-teknologjise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala