KEK-u arrin rekord në prodhimin e qymyrit për termocentralet

Autori:Gazeta Fjala

Foto-2-1-852x460

Me gjithë problemet dhe sfidat e shumta që dolën me shpronësimin e pronave në Shipitullë, Divizioni i prodhimit të qymyrit i Korporatës Energjetike të Kosovës ka arrit rekord të prodhimit dhe furnizimit me lëndë të parë të termocentralit Kosova A dhe Kosova B duke mundësuar furnizim të rregullt me energji nga këto dy termocentrale.

Drejtor Ekzekutiv Divizionit të Prodhimit të Qymyrit në KEK, Hanefi Hajdini, ka thënë se ky divizion brenda 24 orëve ka arrit që të prodhoj mbi 40 mijë tonë qymyr.

“Vlen të theksohet që këtë vit Divizioni për prodhimin e qymyrit ka arritur rekorde të prodhimit të qymyrit, ku në muajin prill më saktësisht brenda 24 orëve ka arrit që të prodhoj mbi 40 mijë tonë qymyr dhe largimin e djerrinës, afërsisht 60 mijë metër kub djerrinë. Përkundër pajisjeve të cilat i kemi bukur të vjetruara, me angazhimin e menaxhmentit, stafit dhe punëtorëve, të cilët i kemi me numër prej 2500 punëtorë, kemi arritur që jo vetëm ti furnizojmë elektranat dhe të mos kenë rrezikshmëri rreth furnizimit me qymyr, por edhe të krijojmë rezerva në deponi, të cilat i kemi mbi 500 mijë tonë të deponuara”.

Prodhimi i qymyrit është një nga punët më të vështira në Korporatën Energjetike të Kosovës, por falë angazhimit të menaxhmentit dhe punëtorëve çdo vështirësi ka arritur të tejkalohet pa probleme të mëdha.

“Në Divizionin e Qymyrit punohet në vazhdimësi në 24 orë në tri ndërrime. Puna është jashtëzakonisht e vështirë, si në të gjitha minierat edhe te ne. Gjatë verës kemi pluhur të madh dhe rrezikshmëri të madhe nga vetëndezja e qymyrit. Kurse gjatë dimrit mund të paraqiten probleme të mëdha për shkak të reshjeve
dhe ngricave të shumta. Mirëpo, përkundër që është puna e vështirë, falë angazhimit maksimal të punëtorëve dhe përkrahjes së stafit menaxhues, si dhe kushteve që na ka krijuar KEK-u ne po arrijmë t’i menaxhojmë këto situata, si dhe të realizojmë prodhimin sipas planifikimit”, ka shpjeguar Udhëheqësi i sektorit të prodhimit në Departamentin e Prodhimit të Qymyrit, Arsim Krasniqi.

Ky divizion është në proces të furnizimit me pajisje të reja, të cilat do ta rrisin në masë të madhe procesin e punës, që do të ndikoj edhe në prodhimin e sigurt të qymyrit për të gjitha termocentralet.

“Në vitin 2019 kemi të planifikuar rreth 8 milionë tonë qymyr, mirëpo me ardhjen e pajisjeve të reja, planifikojmë që ky prodhim apo kjo nxjerrje e qymyrit do të dyfishohet që do të arrij në 15 milionë tonë qymyr. Me investimet e reja në ekskavatorët e rinj dhe me pajisjet tjera të reja, jo vetëm që do të kemi siguri në prodhim në termocentralet aktuale, por garantojmë që do të kemi një siguri dhe një furnizim të bollshëm edhe për termocentralin e ri”. theksoi, Drejtori Ekzekutiv i Divizionit të Prodhimit të Qymyrit, Hanefi Hajdini.

Nxjerrja e qymyrit ka filluar në vitin 1922 me metodën nëntokësore, ndërsa në vitin 1958 si minierë sipërfaqësore në Mirash dhe Bardh.

Miniera e Sibovcit Jug-Perëndimor ka rezerva të zbuluara prej 123.4 milionë tonë që garantojnë prodhim të qymyrit deri në vitin 2027.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kek-u-arrin-rekord-ne-prodhimin-e-qymyrit-per-termocentralet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala