“Kaubojët” e KEDS-it u hyjnë shtëpive private

Autori:Gazeta Fjala

KEDS-i-vijon-me-riparime-650x3581

Valon Januzi nga Prishtina mesditen e së premtes është shqetësuar nga punëtorët e KEDS, të cilët kishin kërkuar kontrollimin e çdo cepi të shtëpisë së tij, për të parë se çfarë paisjesh elektrike përdorin.

Tre punëtorë të KEDS-it të cilët deri tek dera e shtëpisë së tij, në rrugën Fatos Limani në lagjen universitare kishin qenë me veturë zyrtare të këtij institucioni, kishin shkuar të bindur që të hynë për inspektim.

Ata ishin nisur të kryenin një kontrollë të pa autorizuar në kundërshtime ligjet ekzistuese në vend, sikur që kishin bërë në shumë shtëpi tjera nëpër Kosovë, transmeton Gazeta Fjala.

Këtë e ka konstatuar edhe Avokati i Popullit, i cili ka kërkuar masë të përkohëshme për pezullimin e këtyre kontrollave të kundërligjshme të KEDS.

“Duke pasur parasysh se kontrolli i paautorizuar i banesës mund të shkaktojë shkelje të së drejtës në privatësi dhe shkelje të së drejtës së pronës, të dyja këto të drejta të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat janë drejtpërdrejtë të zbatueshme në Republikën e Kosovës, Avokati i Popullit ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse masë të përkohshme ( pezullim)  të këtyre aktiviteteve, të cilat, sipas hetimeve preliminare, besohet se janë duke u ndërmarrë nga ana e KEDS-it”, thuhet në kërkesën e zyrës së Avokatit të Popullit.

Në këtë institucion konfirmojnë se kanë pranuar ankesa të ndara lidhur me aktivitetet e Kompanisë kosovare për distribuim dhe furnizim me energji elektrike sh.a. (KEDS j.s.c) për kontrollimin e pajisjeve elektrike nëpër banesa, shtëpi dhe hapësira private.

Në bazë të pretendimeve të ankuesve, punëtorët e KEDS-it i kryejnë këto kontrolle pa autorizim nga organet kompetente përkatëse dhe se këto kontrolle kryhen në mënyrë kolektive nëpër lagje të caktuara.

KEDS shkelë privatësinë e qytetarëve

Edhe në rastin e Familjes Januzi punëtorët e KEDS-it nuk posedonin urdhër kontrolli nga institucionet kompetente.

“Unë kam kërku nëse kanë ndonjë vendim apo autorizim prej ndonjë institucioni që ju lejon me hy në ambientet private për me ba një pasqyrim të tillë ai ka thanë jo nuk kemi edhe më është përgjigj kështu: “kemi ardhë sagllamë, skemi kurgja me veti”, tha Januzi për Gazetën Fjala.

Ky qytetarë nga Prishtina kishte refuzuar në cfarëdo mënyrë që t`i shkilet privatësia.

“U thash që ju nuk guxoni me hy me kontrollu në pronën teme private se ma cënon të drejtën private që ma garanton ligji, ata nuk zbrapseshin fillimisht por kur ua permenda ligjin ata  u bindën”, tregon Januzi.

Edhe pse nuk u lejuan të hynë brenda ata prap se prakë kishin kërkuar që familja Januzi të deklaroheshin se cfarë mjetesh elektrike përdorin.

“Unë e kam refuzu edhe këtë, se nuk kanë të drejtë me pas informata lidhur me pasurinë tem . Por nena kur e ka pa që konflikti verbal po përshkallzohet ka vendos me ju dhanë këtë të dhëna, edhe ata kanë fillu deri në detaje ata me pyet, a kemi heklur, lavatriqe, makinë për enë etj.”, vazhdon rrëfimin Januzi për gazetën Fjala.

Januzi nuk është i vetmi qytetarë që është ballafaquar me këtë situatë. Gjatë dy ditëve të fundit edhe fqinjët e tij, thotë se e kanë pasur këtë problem.

Madje sipas tij, fqinjët as nuk kanë mundur t`i ndalin pasi që punëtorët e KEDS-it kishin insistuar se kanë të drejtë kontrolli.

Përvec Prishtinës, edhe në qytetin e Prizrenit disa prona të qytetarëve janë kontrolluar nga zyrtarët e KEDS për të marrë informatat se cfarë paisjesh janë duke përdorur.

Familja Vukshinaj, nga Prizreni ka treguar për Gazetën Fjala se punëtorët e KEDS kishin kërkuar fillimisht  të dinë se ku e kanë të lidhur rrymë.

“Pas kontraollës së detajuar nga bodrumi I shtëpisë, ata kanë shiku cdo aparat ekeltrik që ne kemi në shtëpi se a e përdorim”, kanë treguar familjarët nga familja Vukshinaj.

Ata kanë thënë se krete këtë kontroll zyrtarët e KEDS e kanë bërë pa pasur asnjë lamërim paraprak e asnjë urdhër nga institucionet. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kaubojet-e-keds-it-u-hyjne-shtepive-private/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala