Kaspersky bashkëpunon me Interpolin megjithë akuzat për spiunim

Autori:Gazeta Fjala

DA05EA24-B86C-49BA-9020-6CF1D9CB79B8_w1023_r1_s-650x358

Firma kiberntike ruse, Kaspersky Lab, ka njoftuar mbrëmë se i ka zgjeruar raportet e saj me agjencinë policore ndërkombëtare, Interpol, duke u pajtuar për t’i ndarë të dhënat me të cilat do të ndihmohej lufta globale kundër krimit kibernetik.

Kjo kompani e ka zbuluar marrëveshjen, derisa Kremlini i ka vlerësuar si “absurde” raportet aktuale në media, se zyrtarët e inteligjencës së Izraelit kanë përcaktuar se hakerët e qeverisë së Rusisë e kanë përdorë softuerin e kompanisë Kaspersky për spiunim.

E përditshmja, New York Times (NYT), ka raportuar para tri ditësh se agjentët e inteligjencës së Izraelit kanë depërtuar në rrjetin Kaspersky dhe kanë detektuar ndërhyrje nga hakerët rusë, duke i alarmuar Shtetet e Bashkuara.

NYT ka shkruar se tërheqja e vërejtjes nga ana e Izraelit ka çuar në vendimin e Shteteve të Bashkuara, muajin e kaluar, për t’i larguar të gjithë softuerët Kaspersky nga të gjithë kompjuterët e qeverisë amerikane, duke cituar “lidhje ndërmjet zyrtarëve të caktuar të Kasperskyt dhe agjencive të qeverisë ruse të inteligjencës dhe të agjencive të tjera”.

Njëherësh, e përditshmja, Wall Street Journal, javën e kaluar ka raportuar se qeveria e Rusisë kishte mundësi për ta modifikuar softuerin Kaspersky, për ta shndërruar atë në mjet spiunimi.

Kompania Kaspersky dhe themeluesi i saj, Eugene Kaspersky, disa herë i kanë hedhur poshtë akuzat se kanë çfarëdo lidhjeje me qeverinë ruse dhe thonë se nuk janë të angazhuar në spiunim.

Në një kumtesë aktuale, kompania ka pretenduar se është “zënë në mes të luftës gjeopolitike” ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, tha se akuzat në raportet në NYT, WSJ dhe mediat e tjera, se Kaspersky po shfrytëzohet si kanal për spiunët rusë janë “absurde”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/kaspersky-bashkepunon-me-interpolin-megjithe-akuzat-per-spiunim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala