Juncker: Reforma në BE, s’ka zgjerim deri në vitin 2019

Autori:Gazeta Fjala

junckeri

“Era është sërish e favorshme për velat e BE-së”, thotë presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, që sheh në këto momente një mundësi të mirë për reformimin e bllokut europian.

Në fjalimin e tij të përvitshëm për gjendjen e BE-së, në Parlamentin Europian në Strasburg, Juncker foli për një dritare mundësish, që nuk do të qëndrojë gjithmonë e hapur.

“Ekonomia europiane po e merr veten dhe Bashkimit Europian iu desh ta kapërcente ‘Brexit’-in. Tashmë është koha që unioni të reformohet e të farkëtojë marrëveshje të reja tregtare. Kërcënimet ekzistenciale të tij nga shkëputja e Britanisë, kriza e emigrantëve dhe rritja e populizmit tashmë janë ulur”, tha Jean-Claude Juncker.

Juncker preku në fjalën e tij edhe çështjen e zgjerimit dhe tha se Europa duhet të ndjekë një projekt të besueshëm shtrirjeje lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse nuk do të ketë anëtarësime të reja brenda mandatit aktual të Komisionit, që përfundon në vitin 2019.

“Nëse duam më shumë qëndrueshmëri në fqinjësi, atëherë duhet të mbajmë hapur perspektivën e besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Asnjë kandidat nuk është ende gati. Por, më pas, BE-ja do të jetë më e madhe sesa 27 në numër. Kandidatët për anëtarësim duhet t’u japin përparësi sundimit të ligjit, drejtësisë dhe të drejtave themelore”, deklaroi Juncker.

Kjo, sipas tij do të thotë që Turqia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së në një të ardhme të afërt, sepse ka bërë hapa të largimit nga Bashkimi Europian.

Kreu i Komisionit Europian shtoi më tej se është koha që Rumania dhe Bullgaria të bëhen pjesë e zonës së lëvizjes së lirë “Schengen” dhe se Kroacia duhet të anëtarësohet gjithashtu sapo të jetë gati.

Juncker kërkoi gjithashtu që pozicioni i tij i presidentit të Komisionit të shkrihet me atë të presidentit të Këshillit dhe zgjedhja e personit të realizohet duke ndjekur një fushatë paneuropiane. Ai shtoi, sidoqoftë, se ky propozim nuk shënjestron në asnjë mënyrë punën e mikut të vet të shkëlqyer, Donald Tusk. Çdo përpjekje për t’i shkrirë të dyja këto role do të kërkojë ndryshimin e traktateve të bllokut./TCh/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/juncker-reforma-ne-be-ska-zgjerim-deri-ne-vitin-2019/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala