Jerusalemi dhe diplomacia shqiptare

Autori:Muhamed Jusufi

muhamed

“…, nëse shqiptarët detyrimisht do të duhet të prononcohen, ata, nuk duhet nxitojnë e të dalin para prononcimit të Turqisë, sepse vetëm ky shtet mund t’iu garantojë siguri! Duket absurde, por ky është realiteti. Vërtetë, Turqia këto ditë është vend i pa stabilizuar politikisht, dhe ka shumë halle me perëndimin edhe pse është anëtare në NATO, mirëpo, duke qenë se është shtet që ka hapësira të shumta të përzgjedhjes, ajo do të dijë më së miri të përcaktohet. Shpresojmë që ky shtet shumë shpejt të del me një vendim të prerë, pastaj edhe shqiptarët të mund të vendosin lidershipin e tyre, i cili do të ketë autoritet të plotë”.

Nga këndvështrimi i përgjithshëm, detyrimet e një njeriu ose një populli lidhet me pozitën e tij në shoqëri, por në esencë, secili qytetar fillimisht i detyrohet Krijuesit-Zotit të botëve, atdheut, familjes së tij, ndërsa moralisht i detyrohet njerëzimit duke qenë se i përket këtij lloji.

Pozita shqiptare

Shqiptarët jetojnë në Ballkan, në këtë hapësirë gjeografike ku gërshetohen tri civilizimet e të njëjtit trung të besimit të tyre. Shtrirja e shqiptarëve “drejtohet nga dy individë” që udhëheqin 6 milionë shqiptarë të cilët jetojnë në 6-të shtete. Shumica dërmuese e tyre janë muslimanë, pastaj pakicën prej 30 % e përbëjnë krishtero-ortodoksët, krishtero-katolitët, dhe të tjerë. Njohja e Jerusalemit për kryeqytetin e Izraelit nga ana e presidentit të SHBA-ve, bëri bujë të madhe dhe me të lëvizi diplomacinë në nivel botëror. Si çdo popull tjetër edhe shqiptarët duhej të prononcoheshin, pa marrë parasysh pozitën shumë të pa lakmueshme që kishin në këtë kohë.

Më 6 dhjetor Donald Trump, presidenti i SHBA-ve shpalli njohjen e Jerusalemit, kryeqytet të Izraelit, dy orë më vonë, “shefi shtetit Shqiptarë” Edvin Rama menjëherë doli me deklaratë se përkrah plotësisht vendimin e tij, edhe pse siç thuhet askush nuk ia kishte kërkuar. Pas pak ditësh, më 13 dhjetor, ndodhi që shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik të grumbullohen në një takim të jashtëzakonshëm në Stamboll, ku edhe Shqipëria kishte përfaqësuesin e vet. Përfaqësimi shqiptar ishte i nivelit të ulët krahasuar me rëndësinë e problemit, dhe me të sikur tregoi se, nuk kishte ndonjë interesim për vendimin që do të merrej në të.

Një janë më vonë, edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkoi që shtetet e botës të prononcoheshin nëse qëndrojnë pro deklaratës së presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, apo kundër tij. Rezultati përfundimtar ishte në disfavor të dukshëm kundër Trump-it, nga 172 shtete, 128 dolën kundër tij dhe vetëm 9 shtete përkrahën atë, ndërsa abstenuan 33 shtete. Mirëpo, asnjë shtet në këtë organizatë dhe asnjë shqiptarë nuk kishte pritur që ambasadori i Shqipërisë të votnte kundër!

Diplomacia shqiptare është paraqitur shumë e ç’ekulibruar dhe konfuze. Kjo tregon se shqiptarët nuk paskan një shef të denjët që të gëzojë autoritetin në vendin e tij. Prandaj, ata duhet t’i thërrasin mendjes së tyre dhe të kthjellen sa më shpejtë, sepse bota po kalon momente shumë kritike. Bota shumë shpejt do të pësojë ndryshime të mëdha, ndërsa pozita e shqiptarëve duket se është shumë larg aktualitetit. Prandaj, nesër le të mos i ngelet faji faktorit të jashtëm ashtu siç gjithmonë ankohen, kur të vije dita e falimentimit të plotë si popull.

Cila është rruga?

Presidenti Trump kishte deklaruar se, ai shtet i cili nuk do ta përkrahë gjatë votimit në OKB, do të dënohet duke iu ndërprerë ndihmat. Kjo ka paraqitur panik dhe frikë ndër shqiptarët, pasi vota tyre shkoi kundër Trump-it! Të ndodhur në këtë situatë lindin disa pyetje, por fokusi ynë përqendrohet vetëm në dy sosh. Vërtetë, çka mund të bëhet nëse SHBA-të nuk ndihmojnë shqiptarët? Pastaj, a është në interesin e SHBA-ve të heqin dorë nga shqiptarët. E para është e thjeshtë, shqiptarët materialisht nuk u ndihmuan nga SHBA-të. Të gjitha ndihmat milionëshe që reklamohen se SHBA-të dhe perëndimi ia ka dhanë shqiptarëve, ishin vetëm “trajnime kuadrosh” që deri më sot nuk treguan asnjë rezultat. Ndërsa ndihma reale investimesh zhvillimore afatmesme dhe afatgjata shqiptarët nuk kujtojnë asnjë investim të tillë, i cili të ketë punësuar qindra ose mijëra të rinj. Shqiptarët kishin nevojë për infrastrukturë, dhe ajo u bë falë kredive me kamata të larta, që një sasi e tyre më shumë shkoi në likuidimin e borxheve të shkaktuara nga kontratat e pa rregullta e tj.

Ndërsa e dyta është pak më e komplikuar, në njërën anë shqiptarët nuk i kanë mundësitë të parandalojnë hegjemoninë serbo-gerke dhe në anën tjetër, as SHBA-të nuk mund të gjejnë vend më të përshtatshëm në Ballkan se sa hapësira shqiptare. Nevoja në këtë rast është reciproke. Sikur shqiptarët të kishin një politikë mbarë kombëtare dhe një lidership të denjët do të dilte një përgjigje e shpejtë, e qartë dhe e lehtë, mirëpo, situata në të cilën janë shqiptarët përgjigja është shumë e vështirë.

Është thënë shpesh herë se shqiptarët nuk kanë burrë/a shteti që mendojnë dhe veprojnë shqip, ata vetëm flasin shqip. Kjo e rëndon tej mase vetë popullin dhe vetë ata që duan të ndihmojnë këtë popull të vetmuar në rajon. Në këtë rast të krizës së Jerusalemit, diplomacia shqiptare tregoi se është e pa aftë dhe se ajo ka dështuar edhe karshi perëndimit edhe karshi shteteve muslimane. Shqiptarët do të duhej të kuptonin se vota tyre në këtë moment nuk ishte e rëndësishme, as për perëndimin (Trump-in), as për shumë shtete hipokrite që përkrahën Jerusalemin qytet neutral.

Mirëpo, për shtetet muslimane kishte rëndësi të madhe qoftë vota e shteteve hipokrite, qoftë edhe vota e brishtë e shqiptarëve. Nuk dihet sigurt se çfarë kishte ndodhur në ditën e votimit, por disa shtetet serioze muslimane vërtetë e meritonin atë votë, sepse ishin dhe janë duke e mbrojtur kauzën e palës së drejtë. Shqiptarët edhe pse e dhanë votën kundër Trump-it, shumë institucione të larta shqiptare dolën kundër atij votimi gjë që me të e keqësuan edhe më shumë gjendjen e tyre konfuze. Në situatë të tillë, mbase vota shqiptare do të duhej t’ishte abstenimi, dhe atë për këto arsye.

Së pari, shqiptarët në një formë varen nga perëndimi? Por në parim kjo nuk qëndron, sepse ata nuk u zhvilluan, as politikisht e as ekonomikisht. Përkundrazi, ashtu siç u shpreh me modestinë e tij edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, çfarë fituam ne nga Evropa…, përkundrazi serbët më shumë po avancohet politikisht dhe ekonomikisht se sa ne që ishim viktimë e tyre. Ne, ditë e më shumë po izolohemi… Ndërsa në anën tjetër SHBA-të duke qenë se ende pretendojnë se janë superfuqia botërore, nevoja e tyre për shqiptarët është më e madhe se sa nevoja tyre për ta. Ata, vërtetë kanë nevojë për siguri, mirëpo, në këtë kohë të vështirë kush garanton se SHBA-të nuk largohen sa hap e mbyll sytë të detyruar nga Ballkani. Prandaj, abstenimi hë për hë për shqiptarët do të ishte më i mirë që të mos trazoheshin ambiciet e gjithë akterëve në Ballkan.

Së dyti, bazuar në përqindjen fetare shqiptarët më shumë i takojnë orientit se sa oksidentit, dhe një votë pro Jerusalemit në favor të Palestinës dhe muslimanëve do t’i gëzonte ata, por, a e meritonin votën e shqiptarëve Palestina? Duke qenë se shqiptarët janë shumicë muslimane, vota pro do të duhej të dilte nga zemra e tyre, mirëpo, kur ambasadori palestinez në Beograd me zë të çoroditur pak ditë para konferencës së Stambollit del kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, vota kundër ose abstenim do t’i justifikonte përpara shteteve islame!?

Atëherë, duket qartë se bota është errësuar dhe asgjë nuk është në vendin e vet si rezultat i tymtajës së dendur. Në rrafshin global, gjendet një superfuqi e pa shoqe ushtarake në botë (SHBA-të), me një president të çoroditur i cili siç po duket do të fundosë veten dhe bashkë me të edhe shumë popuj dhe teknologjinë moderne. Në rrafshin kontinental, gjendet një Evropë e pa konsoliduar dhe si e tillë ajo për shumë kohë nuk do të guxojë të bën hapat e ndryshimeve të mëdha. Kemi një Rusi të dobët ekonomikisht, por ditë e më shumë po tregohet e rrezikshme karshi ish shteteve të bllokut të Varshavës dhe Ballkanit. Kjo hegjemoni ruse shpejt mund të përplaset me të çoroditurin e SHBA-ve. Gjithashtu, kemi një Kinë bukur mirë të stabilizuar e cila herë pas herë provokon SHBA-të me anë të Koresë së Veriut. Dhe së fundmi në rrafshin rajonal kemi:

  • Një Izrael të vogël me pretendime të mëdha, i cili si ish popull i persekutuar e i masakruar nga perëndimorët, është shndërruar në përbindësh ndaj arabëve për një copë tokë. Çuditërisht i ndihmuar po nga perëndimorët!
  • Një Turqi që ëndërron të rikthejë kalifatin e dikurshëm, por që ende nuk merr guximin të shkëputet nga perëndimi (NATO dhe BE-ja), dhe vazhdon ekonomikisht të mbështetet nga Izraeli dhe SHBA-të.
  • Një botë arabe me potencial shumë të madh për të zotëruar rajonin dhe më gjerë, por që nuk e kanë një lidership të mendojnë dhe veprojë krahas mundësive të tyre.
  • Një Iran i vendosur kundër hegjemonisë perëndimore, por duke qenë se i përket islamit shiit, nuk e kanë përkrahjen as politike e as ekonomike nga shtetet tjera muslimane të rajonit, përveç shteteve satelite të saj dhe mbase Turqisë së këtij viti, dhe në fund kemi
  • Një Ballkan me një ortodoksi (serbe, pse jo edhe grekët) shumë dinake që e mbajnë me shpresa BE-në se “shumë shpejt” do të vendosin të aderojnë në BE, ndërsa karshi SHBA-ve janë gjithnjë e më armiqësore, përderisa arsenali ushtarak më bashkëkohori rus ditë e më shumë shkon duke u rritur.

Tani kur shqiptarët kanë këtë panoramë para tyre, atëherë, a nuk do t’ishte më e drejtë që hë për hë të qëndronin neutral politikisht, që me të, të mos nevrikosnin asnjë nga këto fuqi që qëndrojnë mbi ta. Për shkak të papërcaktueshmërisë të qartë të tyre, dhe për shkak të mungesës së lidershipit, veprimi tyre qe i nxituar, prandaj ishin shumë konfuz. Mbase një ditë sërish do t’iu kërkohet prononcimi tyre, por ai do të vijë shumë pranë ditëve kur çdo gjë do të del sheshazi. Mbase  edhe nuk do t’iu kërkohet fare një prononcim i tillë, sepse forca globale është e vendosur në hapësirën e tyre dhe një kërkesë e tillë mbase do t’ua përkeqësonte më shumë gjendjen e tyre.

Sidoqoftë, për sa u theksua më lartë, nëse shqiptarët detyrimisht do të duhet të prononcohen, ata, nuk duhet nxitojnë e të dalin para prononcimit të Turqisë, sepse vetëm ky shtet mund t’iu garantojë siguri! Duket absurde, por ky është realiteti. Vërtetë, Turqia këto ditë është vend i pa stabilizuar politikisht, dhe ka shumë halle me perëndimin edhe pse është anëtare në NATO, mirëpo, duke qenë se është shtet që ka hapësira të shumta të përzgjedhjes, ajo do të dijë më së miri të përcaktohet. Shpresojmë që ky shtet shumë shpejt të del me një vendim të prerë, pastaj edhe shqiptarët të mund të vendosin lidershipin e tyre, i cili do të ketë autoritet të plotë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/jerusalemi-dhe-diplomacia-shqiptare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala