Ja pse PSD po kërkon përfshirjen e opozitës në dialog

Autori:Zekirja Shabani

Lajme-1-1-768x384

Në Partinë Social Demokrate janë të bindur se iniciativa e tyre për miratimin e rezolutës për dialogun me Serbinë është në interes të pergjithshëm në mënyrë që të arrihet pajtim i brendshëm për një ndër çështjet më të rëndësishme.

Në një prononcim për Gazetën inFokus, zëdhënësja e PSD’së, Natyra Kuqi, tha se projekt-rezoluta e PSD-Nisma-Alternativa për dialogun me Serbinë flet për ndërtimin e delegacionit shtetëror në raportin pozitë-opozitë.

“Në këtë fazë mbetet hipotetike edhe vet pjesëmarrja apo jo e PSD-së në delegacionin shtetëror, rrjedhimisht edhe e kryetarit të saj, Shpend Ahmeti”, tha Kuqi.

Sipas saj, e tëra varet nga gatishmëria e grupeve parlamentare për ta mbështetur apo jo projekt-rezolutën e PSD-Nismës-Alternativës.

Sa i përket objektivave të PSD-së për procesin e dialogut, Kuqi, theksoi se disa prej tyre janë tashmë të përfshira në projekt-rezolutën PSD-Nisma-Alternativa dhe në projekt-ligjin për dialogun.

“Ato do të zbërtheheshin dhe qartësoheshin me hartimin dhe miratimin e platformës shtetërore që do të përpilohej nga ana e delegacionit shtetëror pas votimit të tij në Kuvendin e Republikës”, deklaroi Kuqi.

Që inkuadrimi i PSD’së, përkatësisht Shpend Ahmetit në grupin negociatorë është positive, e sheh edhe publicisti Leon Duhanaj.

Ai, për gazetën inFokus, tha se Kosova nuk e ka luksin e bllokadës politike sepse përgjegjësia bie gati njësoj si mbi ata që punojnë keq, ashtu dhe ata që refuzojnë të punojnë, apo të marrin përgjegjësinë që u takon.

“Pos kësaj mëndoj që do të ishte me mirë për Kosovën nëse PSD do të merrte edhe përgjegjësi në kuadër të qeverisë atëherë do të ndikonin në ngritje kualitalive të disa segmenteve qeverisëse”, tha Duhanaj.
Duhanaj, më tej, shtoi se kishte me qenë shumë pozitive nëse do të kishim ndryshime në politikën e jashtme e cila po dëgradon çdo dit e më shumë.

“Po ashtu e shoh pozitive ketë lëvizje politike sepse mendoj do ta forcojë pozitën e Kryeministrit Haradinaj në raport me Presidentin Thaçi, i cili duke shfrytëzuar Pacollin si gjoker që e ka, e shantazhon Kryeministrin për qëllime të veta”, thotë Duhanaj.

Sido që të jetë, sipas Duhanajt, me rëndësi është që sa më shumë të bashkohemi, aq me të suksesshëm do jemi.

Nga ana tjetër, analistja Besa Luzha, shprehet se duhet kontributi i gjithsecilit për ta larguar nga agjenda idenë e shkëmbimit, korrigjimit apo prekjen e kufijve të Kosovës.

“Në çështje si kjo e dialogut dhe kur po tentohet njëkohësisht me e largu nga agjenda idenë e shkëmbimit, korrigjimit apo prekjen e kufijve të Kosovës, besoj se duhet kontributi i secilit, përfshi këtu edhe të PSD’së, që kanë mundësi të angazhohen për parandalimin e kësaj agjende”, u shpreh ajo për InFokus.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ja-pse-psd-po-kerkon-perfshirjen-e-opozites-ne-dialog/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala