Ja kujt i ka borxh Kosova (Dokumente)

Autori:Gazeta Fjala

53611056_306082140080383_4209473605446139904_n

Nga viti në vit Kosova vetëm se është duke u thelluar në borxhe.

Në fund të vitit 2018, ky borxh shkoi në plot 1.1 miliardë euro, shkruan Gazeta inFokus.

Sipas një njoftimi  të Bankës Qendrore të Kosovës, krejt kjo erdhi pas rritjes së borxhit të brendshëm prej 17.8 për qind ose përkthyer në para plot 676.6 milionë euro.

Por, kujt i ka borxh Kosova?

Banka Botërore, ku hyjnë edhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim, e Banka Islame për Zhvillim janë vetëm disa prej institucioneve ndërkombëtare financiare të cilave Kosova u ka miliona euro borxhe.

Drejtori i Zyrës për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini, në një prononcim, për Gazetën inFokus ka treguar se borxhi ndërkombëtar kryesisht përdoret për financimin e projekteve kapitale.

Këto projekte, Shahini tregon se kryesisht lidhen me projektet infrastrukturore.

“Projektet që financohen nga huamarrja ndërkombëtare i takojnë sektorëve të ndryshëm dhe kryesisht lidhen me projekte prioritare siç janë projektet infrastrukturore, ujërat e zeza, furnizimi me ujë, shëndetësi, bujqësi, arsim, energji etj”, ka theksuar ai.

Cilët janë borxhlinjtë më të mëdhenj?

Gazeta inFokus ka siguruar të dhëna të detajuara që lidhen me borxhet që i ka Kosova.

Në vitin 2018, Qeveria mori më së shumti borxh nga FMN-ja.

Nga ky institucion, u morën kredi më shumë se 160 milionë euro.

Institucioni tjetër financiare prej së cilës Kosova mori një kredi të lartë, është Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.

Aty, u morën 146.9 milionë euro kredi, shkruan Gazeta inFokus.

Të dhëna më të detajizuara për borxhet e Kosovës, ministria e Financave i ka për vitin 2017.

Për këtë vit, kredia më e lartë ishte ajo nga BERZH-i për autostradën Kijevë – Zahaq.

Për autostradën që ka vite që nuk po përfundon, në vitin 2017 u huazuan 71 milionë euro.

Tjetër kredi e lartë ishte ajo e ministrisë së mjedisit dhe planifikimit hapësinor, për projektin e trajtimit të ujërave të zeza.

Nga kreditori Natixis, Qeveria mori plot 66 milionë euro.

Borxhlinjtë  e brendshëm të Kosovës

Kosova përgjatë vitit 2018 e rriti edhe borxhin e brendshëm.

Borxhi prej 676.62 milionë euro kryesisht vjen nga emetimi i letrave me vlerë.

Në vitin 2017, kjo shumë ishte 574.27 dhe nga të dhënat e siguruara nga Gazeta inFokus, del se mbajtësit më të mëdhenj të këtyre letrave me vlerë janë bankat komerciale.

243.42 milionë euro ishte vlera e Letrave me Vlerë të cilat në vitin 2017 i kishin në posedim bankat komerciale, apo kthyer në përqindje 42 për qind të tyre.

Pas tyre vijnë institucionet publike me 198.74 milionë ose 35 për qind.

E treta në këtë listë janë Fondet Pensionale, që kishin Letra me Vlerë në vlerë 104.10 milionë euro, 18 për qind.

Edhe kompanitë e sigurimeve mbajnë një pjesë të këtyre letrave.

21.52 milionë është vlera e këtyre letrave të cilat i posedojnë ato.

Këto Letra me Vlerë të cilat i posedon Qeveria e Kosovës kanë të drejtë t’i mbajnë edhe disa institucione e kompani të tjera, por të cilat nuk janë saktësuar nga Ministria e Financave.

Të tjerët, sipas ministrisë në vitin 2017 poseduan letra me vlerë të cilat kishin vlerën 7.17 milionë euro. /Gazeta inFokus/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ja-kujt-i-ka-borxh-kosova-dokumente/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala