Hoti: Do ti jap fund qeverisjes së keqe në Klinë

Autori:Gazeta Fjala

IMG_6854

Klina ka nevojë të domosdoshme për ndryshim. Për këtë thotë se i është përveshur punës në garën për kryetarë komune, Besim Hoti, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai në një intervistë për Gazetën Fjala, shpalosë strategjinë me të cilën vlerëson se do ti japë fund gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet Klina.

Sipas Hotit, deri më tani nuk ka pasur transparencë as për vendimet e marra nga ekzekutivi as nga Kuvendi i Komunës. Ndërsa për kryetarin e deritashëm Sokol Bashota  thotë se do të mbahet mend për keqmenaxhim në punën e tij si kryetar komune, keqpërdorim të parasë publike.

“Projektet e realizuara nga ana e kryetarit Bashota kanë qenë selektive vetëm në fshatrat ku ka qenë anëtarësia e partisë së tij”, tregon ai.

Kjo qasje Hoti premton se do të ndryshojë pas 22 tetorit kur pretendon se do të marrë drejtimin e komunës.

Rritja e përgjegjësisë dhe transparencës si dhe rritja e nivelit të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies qytetare, përmes zbatimit të Strategjisë së zhvillimit ekonomik lokal për periudhën afatmesme janë disa nga prioritetet e tij për qeverisje.

Ndërkaq, në programin qeverisës për periudhën e ardhshme katërvjeçare, arsimi dhe edukimi thotë se do të mbetet ndër çështjet me prioritet të lartë.

Gazeta Fjala: Përse keni vendosur që të kandidoni për kryetar të Klinës?

Hoti: I shtyrë nga gjendja e keqe në të cilën ndodhet Komuna e Klinës nga keqqeverisja e kryetarit në ikje Sokol Bashota, keqmenaxhimi me paranë publike, projektet e nisura nga Komuna të lëna përgjysmë, politizimi i arsimit, punësimi në baza partiake, gjendja e keqe në shëndetësi etj. Domosdoshmëria për ndryshim.

Gazeta Fjala: Çfarë ju dallon prej kandidatëve të tjerë në këtë garë dhe i i frikësoheni kundër kandidatëve?

Hoti: Mendoj se në LDK ka vlera pasi jemi  parti që jemi formuar që 28 vite, andaj duke u nisur nga fakti se mendoj se favor dhe privilegj është të jesh në LDK kjo më bënë të ndihëm superior para kandidatëve të tjerë. Frikë do të kishim nga kandidatet tjerë nëse do isha person i korruptuar, ose me ndonjë njollë në biografi, përderisa nuk i kam këto mangësi nuk kam pse të kem frikë nga askush, gjithashtu vlera që më ka dhënë kandidimi nga LDK për kryetar komune më bënë të jem ballëhapur para  përgjegjësive të qytetarëve të Klinës.

Gazeta Fjala: Cilat do të jenë prioritetet tuaja për katër vitet e ardhshme?

Parimet bazë të qeverisjes së LDK-së, për periudhën e ardhshme katërvjeçare, në nivelin lokal do të jenë:

  • Rritja e përgjegjësisë dhe transparencës
  • Respektimi i rregullave dhe procedurave demokratike
  • Respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes, respektimi i traditës lirive individuale dhe kolektive
  • Rritja e nivelit të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenjës qytetare, përmes zbatimit të Strategjisë së zhvillimit ekonomik lokal për periudhën afatmesme.

Gazeta Fjala: Por cilat do të jenë tri veprimet që qytetarët do ti ndjejnë në 100 ditëshin e parë?

Hoti: Transparenca para qytetarëve, respektimi i orarit të punës nga i gjithë stafit i Komunës, Bashkëpunimi më organizatat vendore dhe ndërkombëtare etj.

Gazeta Fjala: Çfarë i mungon më së shumti komunës së Klinës?

Hoti: Uji i pijshëm. Ujrat e zeza janë shkaktarë i ndotjes së  madhe të puseve të ujit të pijes nëpër fshatra.  Një pjesë e shkollave edhe me tej nuk kanë kushte te mira për zhvillim dhe ngritje të cilësisë     në arsim dhe politizimi i skajshëm i pranimit të kuadrit arsimor.

  • Qytëtarët nuk pyeten kur merren vendime mbi  projekte të caktuara
  • Qyteti është pa transport të rregulluar dhe pa vende adekuate për autobus dhe taksistë
  • Projektet që kryhen janë të kualitetit të ulët apo mbesin të pa perfunduara tësisht
  • Raportet e auditimin vazhdimisht e nxjerrin me mangesi të medha menaxhimin në komunën e Klinës
  • Shpenzimet e tepruara në karburante, dreka zyrtare dhe në telefona mobil.
  • Deri ne 100.00 komuna paguan denime nga gjykatat per shkelje te procedurave administrative
  • Komuna e Klinës eshte e vetmja ne Kosovë qe eshte bastisur nga policia e Kosovës disa here.

Gazeta Fjala: Cili është vlerësimi i juaj i punës së deritashme që ka bërë Sokol Bashota?

Hoti: Punë e keqe nga ana e kryetarit Bashota, nuk ka pasur transparencë as për vendimet e marra nga ekzekutivi as nga Kuvendi i Komunës, keqmenaxhim në punën e tij si kryetar komune, keqperdorim i parasë publike, projektet e realizuara nga ana e kryetarit Bashota kanë qënë selektive vetëm në fshatrat ku ka qënë anëtarsia e partisë së tij etj.

Gazeta Fjala: A prisni përkrahje nga Kryeministri Haradinaj?

Hoti: Jemi të hapur për bashkëpunim me institucionet qendrore të Republikës së Kosovës dhe atë më këdo qoftë në krye të qeverisë së Kosovës gjithmonë duke u nisur nga fakti se LDK është parti institucionaliste dhe bashkëpunimi më nivelin qendror është edhe obligim ligjor.

Gazeta Fjala: Çfarë do të bëni që të instalohet shembulli i transparencës dhe kursimit në këtë komunë?

Hoti: Transparenca: Do të këtë informim  të mirë të publikut rreth punëve të Komunës dhe rreth projekteve që planifikohen, do të filloj publikimi i vendimeve dhe raporteve komunale,  do të mirëmbahet  web -faqja e Komunës së Klinës, do të procedohen kërkesat dhe do këtë përgjigje më kohë për qasje në dokumente  publike.

Kursimi – Kufizimi i shpenzimeve ne derivate për vetura, Zvogëlimi i shpenzimeve për darka dhe dreka zyrtare, zvogëlimi i shpenzimeve për telefona mobil, zvogëlimi i shpenzimeve për pagesat e mëditjeve për zyrtarët komunal, zvogëlimi i shpenzimeve për udhëtimet brenda dhe jashtë vendit etj.

Gazeta Fjala: Cili është plani juaj për arsimin, kulturën e shëndetësinë në Klinë?

Hoti: Programi për arsim

Duke e konsideruar arsimin si njërën nga shtyllat e shtetësisë së Kosovës Dega e LDK-së në Klinë është e përcaktuar që edhe më Programin qeverisës për periudhën e ardhshme katërvjeçarë, arsimi dhe edukimi të mbetët ndër çështjet më prioritet të lartë.

  • Ngritja e cilësisë dhe efikasitetit në arsim si dhe ngritja profesionale e personelit arsimor,
  • Përfshirja e të gjithë nxënësve në procesin e arsimimit dhe edukimit, sipas niveleve përkatëse të shkollimit: parashkollor dhe shkollor dhe kujdesi i vazhdueshëm ndaj fëmijëve dhe përsonave më nevoja të veçanta
  • Mirëmbajtja dhe përmirësimi i infrastrukturës fizike në arsim.
  • Përmirësimi i infrastrukturës shkollore, krijimi i hapësirës dhe mjedisit të përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarisë edukative-arsimore
  • Profilizimi i sistemit arsimor (shkollimit të mesëm të lartë) – hapja e drejtimeve të reja profesionale konform nevojave të tregut të punës
  • Pranimi i kuadrit mësimor ekskluzivisht sipas plotësimit të kriterëve pedagogjike profesionale
  • Zhdukja e analfabetizmit ndër gjeneratat e reja dhe evitimi i dukurisë së braktisjës së shkollimit nga nxënësit
  • Sigurimi i transportit për nxënësit që udhëtojnë në largësi 4-5 km
  • Krijimi i hapësirave -“oazave të gjelbërta” në mjediset shkollore
  • Krijimi i sigurisë së plotë për nxënësit në të gjitha nivelet e shkollimit
  • Fuqizimi i rolit të shkollës dhe intensifikimi i bashkëpunimit më prindër dhe komunitet

Programi për shëndetsi

Në qeverisjen e mandatuar katërvjeçare të LDK-së në Komunën e Klinës parashihet të përmirësohen dhe të ngritën kapacitetet në të gjitha shërbimet shëndetësore. Objektivat në zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore  në periudhën e ardhshme afatmesme dhe prioritetet e identifikuara:

  • Përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore
  • Ngritja e nivelit të shërbimeve shëndetësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe në Ambulancat Familjare
  • Përmirësimi i nivelit të organizimit të brendshëm te shërbimeve shëndetësore dhe zhvendosja e stafit nga qendra në periferi
  • Trajnimi i stafit mjekësor
  • Zhvillimi i projektit të digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore
  • Inicimi i trajnimit të përsonelit shëndetësor për Sistemin informativ shëndetësor (SISH) dhe për menaxhimin e fondeve të sigurimeve shëndetësore
  • Riorganizimi strukturor i shërbimeve shëndetësore në nivel komunal sipas një skeme të re funksionale që do të rris cilësinë e shërbimëve shëndetësore.
  • Rritja e përfshirjes së popullatës, gjegjësisht fëmijëve në vaksinimet që do të jenë preventivë e sëmundjëve të ndryshme

Programi për kulturë

Të dhënat për jetën në këtë pjesë të Kosovës datojnë që nga kohet më të vjetra, përkatësisht që nga parahistoria – koha e neolitit. Dëshmi për këtë janë gërmadhat  e shumta që gjenden në lokalitetet e ndryshme të Komunës sonë. Më të njohura janë lokalitetet ilire si në Përçevë, Gllarevë, pastaj lokaliteti arkeologjik në Dërsnik si dhe lokalitetet e pa hulumtuara  në Dollc, Pograxhë dhe Jashanicë etj. Në Komunën e Klinës janë evidentuar dhe inventarizuar shumë objekte të trashëgimisë kulturore dhe ne do të punojmë për  ruajtjen dhe restaurimin e disa prej tyre që janë me karakteristike. Këtë do ta bëjmë në bashkëpunim dhe më përkrahjen edhe të  Ministrisë së Kulturës, rinisë dhe  sportit.

Do të shikohet si një mundësi meremetimi apo ndërtimi i një shtëpie më vlera arkitektonike, ose të improvizohet një e tillë, e cila duhet të pajiset me tërë ornamentin e jashtëm dhe të brendshëm më orendi nga trashëgimia kulturore etnografike (veshjet, veglat e ushqimit etj.)

Sot Komuna e Klinës e ka një Shtëpi të Kulturës dhe hapësirat e saj do të mund të hyjnë në funksion të zhvillimit të artit dramatik dhe filmik, muzikor, arkeologjik, etnografik, atë të arteve pamore si dhe performarncave të ngjashme dhe gjatë periudhës së ardhshme katërvjeçare ne do të lëvizim drejt aktivizimit të këtyre veprimtarive. Hapësira e Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit në Klinë” si dhe stafi i Komunës që merret me kulturën do të jenë në mbështetje të përhershme të aktiviteteve kulturore të lartpërmendura.

Për gjatë viteve do të mbahen dhe do të organizohen manifestimet kulturore tradicionale si Festivali Folklorik “I këndojmë Lirisë”, manifestimi letrar “Ora e Tahir Desku-t” dhe manifestime tjera gjatë festave të ndryshme. Në kuadër të Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport funksionon edhe Biblioteka Publike, më sallën e librit në qytet dhe aneksin për lexues. Më programin tonë qeverisës planifikojmë rritjen e fondit të  librave në Bibliotekën e qytetit por edhe nëpër shkolla.

Gazeta Fjala: Nëse nuk bëheni këtë kryetar çka do tu mbetet merak?

Hoti: Nëse nuk bëhem kryetar komune do më mbetet merak se nuk do kem shansin dhe mundësinë për të ndalur keqmenaxhimin e parasë publike dhe të gjitha  punët e këqija që janë bërë gjatë këtyre 10 viteve të udhëheqjes më pushtetin nga ana e Sokol Bashotës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/intervistehoti-do-ti-jape-fund-qeverisjes-se-keqe-ne-kline/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala