Integriminë BE: Në mes dëshirave e përkushtimit

Autori:Gazeta Fjala

INFOKUSI-1-1

Shkruan: Menderes Ibra

1.

Kishte debate e deklarata të numërta këtyre ditëve nga shumë qarqe pas shpalosjes së Strategjisë së KE për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe pozitës së Kosovës në të. Në njërin syresh ku debatohej për rolin e vendit në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve karshi BE-së, një zyrtar i lartë i administratës publike, përgjegjës i një sektori të rëndësishëm po përgjigjej ngathët në insistimin e moderatorit për arsyet e mos përmbushjes së prioriteteve të dakorduara me BE-në. As nuk guxonte të adresonte përgjegjësinë e vet e as të fajësonte BE-në, duke tentuar me ca fraza të përgjithshme bajate të kapërcente pyetjet konkrete. Si, pse, çka keni bërë ju konkretisht ngulmonte gazetari. I zënë ngushtë, ai dha një përgjigje pothuajse pavetëdijshëm, e që me siguri nuk do të donte ta jipte. Shiqoni, tha kemi punuar shumë, ndër të tjera përveç punës në institucionin tim, madje edhe me studentët në fakultetin ku jap mësim kam zhvilluar trajtime e hulumtime teorike rreth këtyre çështjeve, në çka gazetari finok  e thumboi në mënyrë inteligjente: Aha, d.m.th as me studentët nuk bëri punë, duke shtuar me sarkazmë, quditem, se si në këso angazhimesh shtetërore, gjendet kohë edhe për një punë të dytë a të tretë!  Gazetari pas këtij humori duke parë orën kaloi me shpejtësi në çështjen tjetër.

2.

Në tërë mozaikun e procesit të integrimit evropian ky është një rast, që si i tillë edhe mund të mos jetë relevant. Mirëpo, është i rëndësishëm nëse vështrohet si pjesë e mentalitetit dhe qasjes. Si ua lejon ndërgjegjjaqoftë atij personi, ose atij që e lejon dhe e aprovon veprimin e tij, të kenë  një qasje të tillë ndaj një procesi kaq të rëndësishëm. Ku mbetet përgjegjësia për veprimet dhe rezultatet?

Në këtë shkrim do të analizohen  disa aspekte nga sfera ekonomike e procesit të integrimit. Ato edhe pse nuk përmenden specifikisht në dokumentet e BE-së, megjithatë qëndrojnë aty kokëforta, dhe me siguri determinojnë në masë të madhe pa u vërejtur rrjedhat e këtij procesi.

3.

Në aspektin e këmbimeve të përgjithshme tregtare me BE-në, nga të gjitha vendet fqinje Kosova si shihet nga tabela e mëposhtme është e fundit duke pasur vetëm 22.3 % të totalit të eksporteve të saj në BE dhe 43 % të importeve nga ajo. Këto shifra të ulëta bëhen edhe më vetëshpjeguese kur të mirren parasysh vlerat  dukshëm më të vogla të Kosovës në këmbimet tregtare, krahasuar me vendet tjera, e veçanërisht totali i eksporteve tona, që brenda vitit arrin në  rreth 310 milion € (e nga kjo në BE eksportohen vetëm  rreth 69 milion euro), kurse importi nga BE arriti në 1.2 milardë € (43 % e totalit). Pra, Kosova ka një këmbim të përgjithshëm tregtar me BE-në prej 1.27 milardë €. Sa për krahasim këmbimi total i Shqipërisë me BE arrin në 7.64 miliardë € (prej tyre 4.82 miliardë import dhe 2.82 miliardë € eksport). Kurse Maqedonia arrin këmbim tregtar të përgjithshëm me BE në shumën prej 7.18 miliardë €. Totali i këmbimit tregtar të BE me vendet e Ballkanit arrin në rreth 47 miliardë €, e ku pjesëmarrja  jonë është vetëm 1.27 miliardë €.

Ne duhet të analizojmë se pse jemi vendi i fundit në Ballkan me volumin më të vogël të këmbimit tregtar me BE-në? Cilat janë arsyet? Cilat janë orientimet dhe tendencat qofshin ato të hapura apo nën rrogoz? Nëse kemi prioritet të deklaruar shtetëror integrimin evropian, nëse BE na alokon edhe asistencë e fonde falas për të na ndihmuar në këtë drejtim, nëse kemi përqindjen më të lartë të banorëve optimistë për BE, pse vallë ekonomia nuk po i reflekton ende këto trende?

Shteti Importi nga BE (Nga totali i importeve) Eksporti në BE (nga totali i eksporteve)
Shqipëria (2017) 61.6% 78.3%
BeH (2017) 63.4 % 78.1 %
Mali i Zi (2016) 48.3 % 37.7 %
Maqedonia (2016) 62.1 % 79.9 %
Serbia (2016) 63.2% 66.4 %
Kosova (2016) 43.1% 22.6 %

 

Përveç kësaj aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimi është edhe pjesëmarrja e BE në totalin e investimeve të huaja direkte, dhe ajo është mjaft e lartë në shtetet fqinje, e  ku p.sh. në Serbi kjo shkon në 65 %.

IPA II (Instrumenti i asistencës së para antarësimit) është mjeti kryesor financiar i BE për të mbështetur financiarisht vendet e Ballkanit dhe Turqinë për t’u përgatitur për anëtarësim. Këto mjete financiare BE i ka alokuar për secilin vend në buxhetin e BE 2014-20. Nga gjithsejt 11.7 miliardë € për tërë rajonin Kosovës i janë alokuar 645.6 milion €. Nga totali i mjeteve më së shumti (236.6 milion €) janë alokuar për  sferën e përgatitjeve për anëtarsim në BE dhe ndërtimin e institucioneve e kapaciteteve, 235 milion € për zhvillimin socioekonomik, pastaj 79.7 milion € për bujqësi dhe zhvillim rural etj.

Mirëpo, cili ishte reagimi dhe efikasiteti ynë në shfrytëzimin e këtyre mjeteve, konform kërkesave dhe procedurave të BE-së? A është ai në nivelin e kërkesës dhe nevojave tona? A është bërë gjithëçka që ka qenë e mundur?

Po përmendim dy fakte: E para- Secili vend ka të emëruar një koordinator nacional për IPA II. Në këto poste shtetet kanë emëruar zyrtarë të profilit të lartë politik si p.sh. zv.kryeministra apo ministra. Mirëpo, Kosova është e vetmja që në këtë post caktoi profil më të ultë- një shërbyes civil (sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Integrimeve)!Koordinatori nacional është post me rëndësi të madhe, pasi që  është përgjegjës për procesin e përgjithshëm të planifikimit strategjik, koordinimin e programit, monitorimin, implementimin dhe vlerësimin e tij, duke qenë kështu personi kyç që bën koordinimin me BE-në rreth përdorimit të fondeve IPA II.

Shtrohet pyetja, pse ky post nuk është mbuluar nga zyrtarë të profilit  më të lartë? Pse bile nuk është vepruar njejtë sikurse  në Shqipëri, Maqedoni apo Serbi? Ka  indikatorë që tregojnë se një post i tillë në raportet me BE-në është shumë më tepër se sa impakti financiar i asistencës (edhe pse ai në asnjë rrethanë nuk guxon të nënvlerësohet),  dhe ai shpërfaqë në fund të fundit edhe kontekstin diplomatik të raporteve të ndërsjella në mes palëve e që gjithmonë përceptohet nga rangu, relevanca dhe pesha e personit. Nuk ka gjasa që në BE të mos vërehen gjestet e tilla, e pavarësisht se a bëhen nga neglizhenca apo ndonjë qëllimi tjetër, ato gjithëherë marrin një përgjigje.

E dyta- Parlamenti Europiane çdo vit publikon raportet vjetore shtetet,ku jep rekomandimet kryesore. Në raportet e viteve të fundit për Kosovën, (p.sh. ai i shpallur në korrik të vitit të kaluar), hapurshprehet keqardhja e ritmit të ultë të përpjekjeve për të ndërtuar kapacitetet adekuate administrative për të shfrytëzuar efektivisht fondet e BE-së. Këto fonde në formë grantesh do të përdoreshin për mbështetjen e NVM-ve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë përfshirë bujqësinë dhe zhvillimin rural duke ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Shqipëria (edhe pse e fundit nga vendet tjera) p.sh. këto ditë do të fillojë tërheqjen e 71 milion € grantesh për bujqësi dhe zhvillim rural nga programi IPARD II. Grantet e tilla do të ishin shumë të mirëseardhura edhe për bujqësinë e Kosovës, mirëpo siç u tha më lartë Kosova ende nuk ka krijuar kushtet për shfrytëzimin e tyre.

Këso konstatimesh e rekomandimesh kanë ardhur edhe nga organet dhe institucionet tjeta të BE-së, duke parë se Kosova ka ngecje në ndërtimin e strukturave të nevojshme për tërheqjen e fondeve IPA II, dhe Kosova është i vetmi vend ku shfrytëzimi i fondeve IPA II nuk bëhet sipas modelit të menaxhimit të decentralizuar, sistem ky i krijuar nga BE-ja me qëllim të rritjes së pronësisë së menaxhimit të fondeve të asistencës nga vendet përfituese. Një ngecje e tillë nuk rezulton vetëm me dëmet financiare nga mos shfrytëzimi i fondeve, por ka edhe impakt më të thellë negativ në planin e përgjithshëm  të procesit të integrimeve.

5.

Kosova e ka deklaruar si prioritet të lartë shtetëror integrimin në BE. Pa ekuivoke dhe pa alternativë. Ne, pra, po kërkojmë që ti bashkangjitemi BE-së, ne po trokasim në dyert e tyre. Kjo do të duhet të nënkuptoj pëkushtim dhe angazhim serioz në punë, sepse dëshirat edhe kur janë më të lartat, pa përkushtim e zotim mbesin vetëm si dëshira. Kjo duhet të tregohet e dëshmohet edhe në sferën e mentalitetit duke synuar vlerat e BE-së, por edhe në atë ekonomike, sepse nuk bën të tregohemi të papërgjegjshëm, duke synuar BE e standardet e saj në njërën anë, e në anën tjetër duke tregtuar me vende tjera (për ndonjë cent më lirë dhe interes të ndonjë tregtari, e në dëm të kualitetit). Të angazhohemi për të punuar e vepruar me plan, dije e vizion, dhe për të shmangur ndonjë interpretim eventual nga kushdoqoftë si për metaforën e pulës ‘hutaqe’ që vezën e bën në kotec të huaj, e kakariset zhurmshëm në oborr, që populli ynë e ka krijuar kaherë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/integrimine-be-ne-mes-deshirave-e-perkushtimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala