IKSHP: Mbi 21 mijë raste të gripit për katër muajt e fundit në Kosovë

Autori:Gazeta Fjala

gripi-696x464

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) bën mbikëqyrjen permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes dhe në kuadër të kësaj mbikëqyrje edhe raportimin për gripin sezonal.

“Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë mundësia e rritjes së rasteve ekziston. Vala e gripit në territorin e Kosovës nuk ka pasur intensitet të lartë epidemik, ku njëri nga ndikuesit kryesor pos masave parandaluese ka qenë vaksinimi me kohë gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor i të gjitha grupeve të rrezikut”, bën të ditur IKSHP përmes një komunikate për media.

Më tutje thuhet se nga 01 tetori 2017 (java e 40 –të) deri më 21 janar, 2018 (java 03-të) në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 21350 raste të dyshimta në grip (ILI), 3036 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 54 raste SARI (Sëmundje e Rëndë Respiratore Akute).

Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe.

Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.

“Gjatë javës 03-të (15 – 24 janar 2018) janë raportuar 2.910 raste ILI, 360 raste ARI dhe 9 raste SARI. Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit – IKSHPK deri më 25 janar 2018 janë testuar gjithsej 174 mostra të dyshimta në grip. Prej tyre 68 mostra kane rezultuar pozitive: 27 mostra Inf.A, prej tyre 1rast A(H1)v dhe 41 mostra Inf.B”, thuhet në komunikatë.

Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.

Paraqitje e sëmundjes është e obliguar me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse nr. 02-L-109 andaj të gjitha institucionet shëndetësore kanë obligim që ta paraqesin sëmundjen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës po përcjellin me vëmendje shfaqjen e virusit A(H3N2) në hemisferën jugore (Australi) dhe po përhapet edhe në Europë, e që bënë pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm, por që mund të shkaktojë komplikime të rënda të sistemit respirator, sidomos te personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobësuar nga sëmundjet kronike.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës thotë se ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit A(H3N2) dhe është në gjendje gatishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike do të informoheni me kohë.

IKSHP tregon se si të mbrohemi nga gripi sezonal:

Gripi sezonal

Gripi sezonal është një infeksion akut viral. Transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes stërpikave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe në mënyrë indirekt me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.

Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?

Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit. Tek fëmijët, apo personat me imunitet të ulur, periudha e infektimit mund të jetë pak më e gjatë.

Kush rrezikohet nga gripi sezonal?

Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit sezonal dhe ta përhapë atë te të tjerët. Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit sezonal si:

• Fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç

• Njerëzit 65 vjeç e sipër

• Gratë shtatzëna.

• Njerëzit me sëmundje kronike.

Shenjat e zakonshme të gripit sezonal janë:

• Temperaturë e lartë

• Kollë

• Dhimbje fyti

• Lodhje

• Dhimbje koke

• Diarre dhe vjellje

• Dhimbje barku

• Rrjedhje të hundëve

• Dhimbje muskujsh

Shenjat paralajmëruese për emergjencë.

Duhet të dini se sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë por drejtohuni menjëherë te mjeku nëse fëmijët shfaqin:

• Frymëmarrje të shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen

• Ndryshim të ngjyrës së lëkurës

• Nuk konsumojnë mjaftueshëm lëngje

• Kanë ethe me një skuqje të lëkurës

• Fortësim të qafës

Të rriturit shfaqin:

• Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim

• Dhimbje apo presion në gjoks apo bark

• Marramendje të papritur

• Konfuzion mendor

• Të vjella të vazhdueshme

Si të mbrohemi nga virusi i gripit sezonal?

Ju rekomandojmë tre hapa për të luftuar gripin: vaksinimin, masat e përditshme parandaluese, dhe trajtimi me barna antivirale nëse mjeku i rekomandon.

Vaksinimi.

Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjen se gripit.

• Vaksinimi kundër gripit bëhet në muajt tetor – dhjetor.

• Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes

• vaksina aplikohet në pjesën e sipërme të krahut.

Vaksina kundër virusit të gripit i rekomandohet sidomos:

• Fëmijëve mbi 6 muaj

• Personave mbi 50 vjeç

• Personave me rrezik më të lartë

• Personelit shëndetësor

• Grave shtatzëna

• Personat kujdestarë si edukatoret e çerdheve, kopshteve, kujdestarët e te moshuarve.

Vaksina kundër virusit të gripit nuk i rekomandohet :

• Personave që kanë alergji në vezë

• Gjendje akute me temperaturë

• Fëmijët nën 6 muaj

II Masat e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal
• Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me faculetë.

• Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni desinfektues.

• Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës.

• Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë.

• Ushqehuni shëndetshëm

• Bëni aktivitet fizik

• Bëni gjumë të mjaftueshëm.

• Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit Barnat kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, por mjekues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhen të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes.

Kujdes, antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut

Nëse jeni të sëmurë me grip :
• Qëndroni në shtëpi.

• Qëndroni veç nga të tjerët

• Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë

• Mbuloni gojën dhe hundën me faculetë kur kolliteni apo teshtini

• Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtima

• Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj

• Evitoni kontaktet me njerëzit

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ikshp-mbi-21-mije-raste-te-gripit-per-kater-muajt-e-fundit-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala