Ikin mjeket

Autori:Gazeta Fjala

qkuk

Kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës.

Vetëm për tre vjet nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Me kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe me pagesë, nuk janë pajtuar shumë mjekë specialistë, andaj kjo ka qenë edhe arsyeja e ikjes nga Kosova për të kërkuar punë në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë.

Profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa, në mënyrë që të zvogëlohet numri i mjekëve që ikin dhe të krijohen mundësi të kthehet, siç  kanë thënë ata, truri i Kosovës, pasi që ata që kryejnë specializimet, edhe aftësohen për punë.

Federata Sindikale e Shëndetësisë ka bërë një hulumtim, ku thuhet se pa përfshirjen e infermierëve, për tre vjet kanë ikur 400 mjekë.

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë thotë se kanë bërë edhe një pyetësor, ku prej 1 mijë studentëve që janë anketuar, 73 për qind e tyre kanë deklaruar se do të ikin jashtë vendit.

“Nuk është çështja vetëm te pagat, por nuk kemi sistem të mirë shëndetësor, nuk kemi planifikim të mirë të punësimit, politizimi i shëndetësisë e shumë faktorë tjerë”.

“Ky fenomen është i pandalshëm – edhe pse njerëzit e kryejnë shkollën duhet ikin. Është shumë vështirë që në moshën 45-vjeçare një mjek të ikë jashtë vendit, dhe të fillojë të mësojë gjuhën për t’u punësuar”, thotë Syla.

Por, një tjetër fakt mbetet shqetësues – mosha mesatare e mjekëve në Kosovë është rreth 55 vjeç. Pas 10 vjetësh, mjekët aktualë do të pensionohen, derisa kuadrot e reja mjekësore perspektivën e shohin jashtë vendit.

Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër referente për tërë Kosovën, janë të punësuar 613 mjekë dhe 1,882 infermierë. Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri, për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/ikin-mjeket/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala