Heqja e TVSH-së, “infuzion” për media

Autori:Zekirja Shabani

gazeta

Me ligjin e ri për TVSH, mediat dhe produktet e tyre nuk do t’i nënshtrohen pagesës së TVSH-së. Por mjetet e informimit, TVSH-në do ta paguajnë për pajisjet që i blejnë me përjashtim të pajisjeve të teknologjisë informative dhe materialeve siç janë letra dhe produktet e tjera të nevojshme.

Drejtues të shoqatës së gazetarëve dhe të mediave e shohin si lehtësim mos aplikimin e TVSH-së për mediat.

Sipas tyre, nëse do të futej në aplikim edhe TVSH-ja, gjendja e mediave dhe gazetarëve do të vështirësohej në mas të madhe.

Kryetari i Grupit Punues për ndryshimin e TVSH-së, Nahit Sharku, ka thënë për Telegrafin se kanë plotësuar në tersi kërkesat e mediave për të mos pasur TVSH.

“Mediat nuk do të paguajnë TVSH-në në materialet dhe shërbimet që shesin, po ashtu nuk do të paguajnë TVSH edhe kur importojnë pajisje të teknologjisë informative. Përveç nëse blejnë ndonjë dollap”, tha ai.

“TVSH-ja, po ashtu edhe në reklamë nuk do të llogaritet”, ka thënë ndër tjerash Nahit Sharku.

E kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Zekirja Shabani ka thënë për Telegrafin se si asociacioni në vazhdimësi i ka ngritur shqetësimet për kushtet e rënda të punës në të cilat punojnë gazetarët në mediet e Kosovës.

“Paralajmërimi për aplikim të TVSH-së në medie ka qenë shqetësues dhe jemi angazhuar që të mos lejojmë aplikimin e një ngarkese të tillë për mediat pasi do të përkeqësonin edhe më tej gjendjen dhe kushtet e punës së gazetarëve. Aktualisht shumë medie në mungesë të burimeve të qëndrueshme të financimit i vënë në pozitë mjaftë të pa lakmueshme gazetarët duke mos i paguar mjaftueshëm për punën që bëjnë dhe duke mos investuar në avancimin profesional të tyre”, tha Shabani.

Norma shtesë e TVSH-së, sipas tij, do të rriste barrën financiare në medie, e cila do të reflektonte automatikisht në pagat e gazetarëve dhe kushtet e tyre të punës.

“Përveç kësaj, do të nxiste edhe më tej informalitetin në medie të cilat edhe ashtu nuk i paguajnë me rregull gazetarët dhe nuk i paraqesin si punëtorë me kontrata të rregullta pune. Për këtë arsye, shpresojmë se lirimi nga TVSH-ja edhe për një kohë do tu mundësojë pronarëve të medieve që të investojnë për kushte më të mira të punës për gazetarët”, ka thënë kryetari i AGK-së, Zekirja Shabani.

Ndërkaq, zëvendëskryeredaktori i Gazetës “Zëri” Lavdim Hamidi, ka thënë për Telegrafin se mediet e Kosovës, sikurse të gjitha mediet e rajonit dhe të botës, po përballen me një situatë të vështirë financiare. Sipas tij, Qeveria nuk duhet të marrë vendime që ia vështirësojnë punën edhe më shumë mediave, por përkundrazi duhet tu krijoj lehtësira për to.

“Në kohën kur shumë biznese përballen me krizë financiare dhe interesimi i tyre për të reklamuar në medie edhe ashtu është në rënie e sipër, aplikimi i TVSH-së në do ta rris koston e reklamimit për 16 për qind dhe kjo e zbehë më shumë interesimin e tyre për marketing. Mungesa e të hyrave nga reklamimi dhe shitja, në këtë rast për gazetat, do i vë këto të fundit në një situatë kur duhet të mbyllen ose ta reduktojnë numrin e punëtorëve”, tha Hamidi.

Ndryshe, përveç mediave, për produktet e të cilave nuk do të aplikohet norma e TVSH-së, po ashtu edhe tek disa produkte bazike TVSH-ja do të zbres nga 16 në 8 për qind, siç janë buka, vaji, rryma, ngrohja etj. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/heqja-e-tvsh-se-infuzion-per-media/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala