Hashashi ishte vetëm fillimi!

Autori:Gazeta Fjala

hasha

Vitin e kaluar Shqipëria u përball me një masivizim të kultivimit të hashashit në vend. Ndonëse fillimisht kaloi në heshtje, kjo dukuri më pas ishte e pamundur të mohohej, teksa Shqipëria u fut në listën e shumë institucioneve ndërkombëtare monitoruese, që publikuan në raportet e tyre rritjen e fenomenit dhe faktin që vendi ynë po bëhej nyje e trafikimit në Europë.

Këtë vit situata duket më e qetë për dy arsye. Së pari, ka pasur një angazhim më të madh të institucioneve për të mos lejuar kultivimin e hashashit. Së dyti, siç ishte dhe e pritshme, sasia e madhe e prodhuar vitin e kaluar ka krijuar stok dhe ka ulur edhe çmimet, çka e ka bërë të paleverdishme edhe nga ana ekonomike vijimin e këtij biznesi, që vitin e kaluar mori përmasa masive.

Që një vit më parë, Monitor u shpreh hapur kundër rendjes pas fitimeve afatshkurtra, që vinin nga mbjellja e produktit, që jo vetëm zëvendësoi shumë kultura bujqësore, por edhe “tërhoqi” nga tregu shumë punonjës, që përkohësisht u joshën nga pagesat e larta ditore. Edhe ekspertë të njohur të ekonomisë e mbështetën këtë qëndrim, teksa ranë dakord njëzëri se masivizimi i kultivimit të hashashit nuk do t’i sjellë të mira ekonomisë, përkundrazi, do të rezultojë një investim varfërues dhe me shumë viktima, ndërsa injektimi në ekonomi i një pjese të këtyre parave do të deformojë me shpejtësi edhe tregjet e tjera.

Sot, kur ka kaluar më shumë se një vit, ndonëse është pozitive që fenomeni i mbjelljes së hashashit është reduktuar, asgjë nuk ka mbaruar. Përkundrazi, është vetëm fillimi. Pasojat afatgjata dhe që u paralajmëruan nga ekspertët, sapo kanë filluar të ndihen. Pak muaj më parë, vendi rrezikoi të hynte në një qorrsokak, për shkak të refuzimit të opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, ku një nga argumentet ishte përdorimi i parasë kriminale për blerjen e votës, një shqetësim ky që u shpreh dhe në raportin e monitorimit të zgjedhjeve, duke e lidhur dhe me rënien e fortë të euros (kjo e fundit ndërkohë ka dëmtuar ndjeshëm eksportuesit).

Shqipëria është përkeqësuar në notën që i dha Instituti i Bazelit për Qeverisje në Indeksin Kundër-Pastrimit të Parave, ku renditet mes 15 vendeve me rrezik më të lartë në Europë dhe Azinë Qendrore, së bashku me Bosnjë Hercegovinën e Serbinë (hyrja e kësaj paraje në ekonominë legale ishte një nga pasojat e pritshme). Një raport i Policisë Holandeze flet deri në rrezikun e kthimit të vizave, duke përmendur si shkak grupet kriminale, që nëse do të ndodhte do të ishte një kthim i madh pas.

Ekonomia nga ana tjetër ka shfaqur paradokse të çuditshme, ku disa fenomene nuk po arrijnë të shpjegohen me zhvillimet normale.
Por, përtej pasojave ekonomike, një problem i mprehtë social po thellohet. Të dhënat e fundit tregojnë për një rritje të fenomenit të përdorimit të narkotikëve nga të rinjtë. Kjo ishte paralajmëruar që një vit më parë, teksa disponueshmëria më e lartë e hashashit, që është hapi i parë drejt kalimit tek narkotikët më të fortë, do të rriste përdorimin e tij te grupet më vulnerabël. Dhe ky nuk është një problem thjesht social edhe ekonomik, por mbi të gjitha mjaft madhor për të ardhmen e një vendi të tërë, teksa ai po ndikon në aspektin e brezit të ri të aftë për punë, që ofrohet në treg dhe të cilësive të tij.

Kalimi në këtë fazë ka ndikim në jetën e gjithë shoqërisë e jo vetëm më të individëve apo familjeve të tyre. Në kahun tjetër, nuk shihet angazhim i strukturave shtetërore e të sistemit shëndetësor të vendit për të marrë seriozisht e për të trajtuar këtë dukuri, që mund të jetë me pasoja të rënda afatgjata. Ka një vlerësim fillestar se kosto që po paguan shoqëria për mostrajtimin, ku përfshihet rënia e produktivitetit, rritja e kriminalitetit shkon nga 2.7 në 3.6 milionë euro vetëm për 700 përdorues të identifikuar të heroinës, por kosto reale llogaritet të jetë shumë më e lartë.

Në një kohë, kur vendi po vuan pasojat demografike të rënies së lindshmërisë dhe emigracionit masiv, ku një pjesë e konsiderueshme e rinisë po ikën, do të ishte fatale nëse situata do të lejohej të përkeqësohej. Më minimalja e pritshme është që toleranca, që u pa në lejimin e kthimit të Shqipërisë në pikë prodhuese dhe nyje trafikimi, të mos shtrihet në aspektin e përdorimit për të cenuar shtratin social të shoqërisë, që në vende të varfra si e jona janë amortizatori i të gjithë problematikave të individëve që ballafaqohen në jetën e tyre./Monitor/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/hashashi-ishte-vetem-fillimi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala