Haradinaj e qon në qiell punën në autostradën Arbën Xhaferi: Ndër veprat më të mira në Ballkan

Autori:Gazeta Fjala

unnamed-2019-05-14T134226.762

Autostrada “Arbën Xhaferi” do të hapet më 29 maj, dhe ceremonia e lëshimit të saj bëhet po këtë ditë në orën 11:00. Kështu e ka njoftuar kabinetin qeveritar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Për projektin e kësaj autostrade, kryeministri Ramush Haradinaj tha në mbledhjen e qeverisë, se ishte mjaft i vështirë, por e konsideroi atë si veprën infrastrukturore prej më të mirave që ekzistojnë në Ballkan.

“E kemi caktuar edhe datën, janë të informuar institucionet e vendit, edhe presidenti edhe kryeparlamentari, Parlamenti. Kam informuar edhe kryeministrat fqinjë, kryeministrin Zaev, kryeministrin Rama, kryeministrin Markoviq, nëse eventualisht kanë kohë të na bashkohen. Urojmë Kosovës përmbylljen e këtij projekti me rëndësim, është një përmbyllje e një projekti boll të vështirë, por një vepër infrastrukturore ndër më të mirat që ekzistojnë në Ballkan”, tha ai.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj tha se është një projekt gjigant dhe se është kryer një punë e shkëlqyer.

“Më 29 maj, në orën 11.00, bëhet përurimi i autostradës ‘Arbën Xhaferi’ që ka ndikim në zhvillimin ekonomik në sektorin privat dhe lidhjen e korridoreve. Atë ditë duhet të gëzohemi çdo qytetar, është bërë një punë e shkëlqyer, një projekt gjigant”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se janë të gatshëm për mbledhjen e dy qeverive, Kosovë-Maqedoni e Veriut.

Ai tha se javën e kaluar, ekipi i përbërë nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Jashtme kanë qëndruar në Shkup dhe kanë bërë koordinimet e fundit se kur mund të mbahet mbledhja.

Sipas Hoxhajt, vonesat e kësaj mbledhje kanë të bëjnë më shumë me arsyet e brendshme të Maqedonisë së Veriut, lidhur me zhvillimet e fundit, siç ishte marrëveshja me Greqinë, anëtarësimi në NATO dhe zgjedhjet presidenciale.

Ai tha se shumë shpejt mund të caktohet data për këtë mbledhje.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/haradinaj-e-qon-ne-qiell-punen-ne-autostraden-arben-xhaferi-nder-veprat-me-te-mira-ne-ballkan/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala