Hamza jep dorëheqje nga posti i guvernatorit të BQK-së

Autori:Gazeta Fjala

hamzaaaaaaaaaaaaa

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje nga posti i guvernatorit të Bankës Qendrore për shkak të zgjedhjes së tij ministër i Financave.

Hamza këtë e ka bërë publike të dielën, në një konferencë për media, me ç’rast ka thënë se do të jap maksimumin e tij në Ministri të Financave.

“Si rezultat i zhvillimeve të reja unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e guvernatorit, dhe të njëjtën në përputhje me ligjin e BQK-së, ia kam prezantuar bordit të Bankës Qendrore dhe Presidentit të Bankës Qendrore. Ju e dini, unë jam caktuar me një detyrë të re, nuk është e panjohur për mua. I di sfidat, i di vështirësitë. Unë do të jap maksimumin. Do të bëjë përpjekje që me punë ekipore të gjitha proceset të cilat janë kompetencë e Ministrisë së Financave do t’i shtyjmë dhe t’i lëvizim në drejtim pozitiv”, u shpreh ai, transmeton KosovaPress.

Me këtë rast, ai ka numëruar disa nga të arriturat e Bankës Qendrore gjatë kohës sa ka qenë guvernator i saj, duke ngritur lart meritat e bordit ekzekutiv, menaxhmentit dhe gjithë stafit të BQK-së.

Sipas tij, në mesin e shumë sukseseve ajo që është tejet e rëndësishme është përgjysmimi i normës së interesit, ku nga 12.2 sa ka qenë ka zbritur në 6.8 për qind.

“Gjatë këtyre viteve, katër vite e gjysmë, sektorin financiar e kanë karakterizuar zhvillime pozitive. Nëse i referohemi shifrave dhe fakteve dhe i krahasojmë me fundin e vitit 2012 dhe i krahasojmë me kohën kur sot po raportoj del se sektori financiar ka pasur rritje të aseteve nga 2.8 miliard në 3.7 miliardë. Rritja e kredive nga 1.7 miliardë ka mbërri në 2.4 miliardë. Rritja vjetore e kredive në fund të vitit 2012-të ka qenë 3.8 për qind, sot është 10 për qind. Normat e interesit, po flas për normën mesatare efektive të interesit, nga 12.2 sa ka qenë ka zbritur në 6.8. Kam kënaqësinë të deklaroj para qytetarëve të Republikës së Kosovës se edhe sektori i sigurimeve është viti i parë, pas shumë viteve që do ta mbyllë më afarizëm pozitiv”, tha ai përderisa shtoi se nuk pritet të ketë ndonjë turbulencë në vitet e ardhshme.

Guvernatori i deritanishëm i BQK-së Bedri Hamza ka vlerësuar lart edhe kontributin e të gjitha institucione me të cilat ka punuar BQK, ndërsa ka shprehur falënderimin e tij ndaj institucioneve të vendit, Kuvendit dhe Qeverisë për përkrahjen e vazhdueshme dhe pa rezerve që sipas tij kanë quar në ruajtjen e autonomisë të Bankës Qendrore gjatë gjithë këtyre viteve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/hamza-jep-doreheqje-nga-posti-i-guvernatorit-te-bqk-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala