Gjykata Speciale, i çon thirrje edhe Sylejman Selimit

Autori:Zekirja Shabani

sylejmanselimi-800x460 (1)

Në javën e dytë të janarit, në Hagë, do të intervistohet për krime lufte edhe ish-Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi. Express sjell datën e intervistimit të Komandantit të njohur, i cili aktualisht ndodhet në burg në Kosovë; si i dënuar për krime lufte në Rastin Drenica. Avokati dhe familja nuk flasin për ftesën, transmeton Gazeta inFokus.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka ftuar për intervistim në Hagë edhe ish-komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së Sylejman Selimi.

Selimi në Hagë, për krime lufte, do të intervistohet më 9 janar 2019, raporton Gazeta Express, përmes burimeve të afërta me procesin.

Ftesa Selimi i është dërguar qysh në fillim të dhjetorit të këtij viti, sikurse edhe një pjese tjetër të ish-komandantëve të UÇK-së dhe figurave tjera të rëndësishme të këtij grupimi ushtarak për çlirimin e Kosovës.

Avokati i Selimit dhe familjarë të tij nuk kanë folur për Gazetën Express rreth kësaj ftese.

Koment nuk ka dhënë as Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ka nisur ftesën.

Ish-Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së që pas luftës për një kohë ishte edhe Komandat i Përgjithshëm i TMK-së, e më pas edhe FSK-së, Ambasador i Kosovës në Tiranë, aktualisht ndodhet në burg në Kosovë.

Atij gjatë kohës sa po shërbente si Ambasador në Tiranë, EULEX-i i ngriti aktakuza për krime lufte, në rastin dy rastet e njohura si “Drenica” 1 dhe 2.

Në fund të dy proceseve, ish-Komandanti i Përgjithshëm i FSK-së u dënua më 14 vjet dënim unik, për të dy rastet; për krime lufte ndaj popullatës civile.

Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, rast në të cilin Gjykata e Apelit, Sylejaman Selimit i kishte vërtetur 6 vite burgim për “Tortura ndaj civilëve”.

Ndërkohë, Supremja, në shtator të 2018, për të dytën herë Sylejman Selimit i vërteton dënimin unik prej 7 vite burgim për krime lufte, në Drenica 2.

Përveç Selimit nga grupi “Drenica” Haga ka ftuar për intervistim edhe dy ish-komandantë tjerë të zonës operative të UÇK-së në Drenicë, raporton Gazeta Express. Këtë thirrje për në gjyq tashmë e ka konfirmuar edhe vetë Sami Lushtaku, përmes avokatit të tij.

“ZPS nuk jep detaje në hetimet e saj dhe nuk jep informata për kohën se kur mund të ngrihen aktakuzat e mundshme”, është përgjigja standarde e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, në pyetjet për secilin ish-pjesëtarë të UÇK-së të thirrur për intervistim nga Haga.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara dhe Prokurori Special u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Sylejman Selimi është emri i 10-të i konfirmuar me burime nga Gazeta Express, i ish-pjesëtarëve të UÇK-së që në janar të vitit të ardhshme do të udhëtojnë në Hagë, pas thirrjeve për intervistim që u ka bëra Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën.

Përveç ish-komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Specialja deri më tash, nga figurat kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ftuar për intervistim edhe ish-kryetarin e Gjykatës Ushtarake dhe disa ish-komandantë të njohur zonash operative të Drenicës dhe Llapit. /Gazeta inFokus/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/gjykata-speciale-i-con-thirrje-edhe-sylejman-selimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala