Gjykata e Arbitrazhit vendos në mars për ‘Skandalin e pasaportave’

Autori:Gazeta Fjala

pasaporta-e-kosoves-1

Shteti i Kosovës dhe kompania austriake e prodhimit të pasaportave ‘OeSD’, vazhdojnë betejen ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris. Vendimi për rastin e njohur si ‘Skandali i paspaortave’ ku u zhdukën 1.4 milion euro, do të merret në fund të marsit. Seanca e përfundimtare tashmë është mbajtur.

Ish ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, njoftoi pensionimin e tij nga politika. Por një skandal që ndodhi në kohën kur ai drejtonte këtë ministri, vazhdon edhe më tej t’i kushtojë taksapaguesve kosovarë.

Bëhet fjalë për rastin e pasportave. Shteti i Kosovës dhe kompania austriek OeSD vazhdojnë betejen e tyre ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris.

Ministria e Punëve të Brendshme, konfirmon për Lajmi.net se tashmë ka përfunduar seanca kryesore në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris, ndërmjet shtetit të Kosovës dhe kompanisë austriake ‘OeSD’.

“Ju njoftojmë se seanca kryesore është mbajtur me datën 21 dhe 22 shtator 2015”, thanë nga MPB-ja për Lajmi.net.

“ Në këtë seancë janë dëgjuar palët dhe dëshmitaret, kurse pritet që vendimi përfundimtar të merret deri në fund të marsit 2016”, thotë zyra për media e MPB-së.

Skandali me pasporta ndodhi në verën e vitit 2012.

Kompania asutriake pretendon se Kosova nuk ia pagoi 1.4 milion euro për furnizimin me pasaporta kurse shteti i Kosovës pretendon se i ka paguar paratë sipas marrëveshjes, por të cilat humbën diku rrugës.

Ajo që ishte e autorizuar të bënte këtë transfer ishte Natali Velija me firmën e saj “Consulting EU”, e cila në vitin 2012 u arrestua për mashtrim raporton Lajmi.net.

Kjo bëri që Kosova ta ndërpresë kontratënpara kohe me ‘OeSD-në’, pasi palët nuk arritën pas disa takimesh të bien dakord për tejkalimin e situatës.

Pikërisht ky veprim bëri që palët të shqyrtojnë mundësinë e përballjes ligjore.

Në fund, ato u dakorduan që për këtë rast të vendosë Gjykata e Arbitrazhit në Paris.

Nga vendimi i saj i cili nuk është më tutje i apelueshëm, varet nëse Kosova do të humbë edhe më tej para pasi pala humbëse duhet t’i paguajë të gjitha, apo do ta fitojë rastin dhe ta mbyllë me 100 mijë eurot që ia ka dhënë një avokati kosovar për përfaqësim, nëpërmjet një tenderi, raporton Lajmi.net.

Lidhur me zhdukjen e 1.4 milion eurove, shtetasja gjermane, Natali Veliaj, në vitin 2014, është dënuar nga drejtësia kosovare me 12 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë. Ndërsa, Fisnik Balaj, i akuzuari i dytë në rastin e pasaportave është dënuar me 11 vjet burg dhe 25 mijë euro gjobë.

Aktualisht Kosova furnizohet me pasporta që i prodhon kompania gjermane “G&D”./Lajmi.net

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/gjykata-e-arbitrazhit-vendos-ne-mars-per-skandalin-e-pasaportave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala