Gjithçka rreth vrasjes së rëndë në Gjakovë, si u vra Tunë Bezhi nga fqiu Alfred Gjugja për 15 ari tokë

Autori:Gazeta Fjala

shtepia-final

As 50 metra nuk kanë distancë shtëpia e viktimës me të dorasit. Fqinjët e moçëm nuk u pajtuan rreth shit-blerjes së një toke në Marmull të Gjakovës, për të cilën mbrëmë u shkrepën plumba. Në vend të ngjarjes mbeti i vrarë Tunë Bezhi 40 vjeç e i plagosur Anton Nikolla 56 vjeç. I dyshuari kryesor i vrasjes dhe tentim vrasjes se mbrëmshme Alfred Gjugja, 30 vjeç tashmë ndodhet prapa grilave. Arma me të cilën dyshohet se u krye krimi është pa leje, tha prokuroria.

Që nga paslufta fshati Marmull i Gjakovës njihet si vend problematik ku familjet mes vete kanë probleme, kryesisht janë në gjakmarrje. Janë më shumë se dhjetë persona të vrarë për probleme banale. E për një të tillë, u vra mbrëmë edhe Tunë Bezhi. Babai i tre fëmijëve që jetonte e vepronte në Zvicër, ditë më parë u kthye në Kosovë për ta zgjidhur problemin e një toke, që sipas familjarëve të tij, kohë më parë e kishte blerë nga axha i dorasit.

Fotografia: Policia para shtëpisë së dorasit

shtepia-final (1)

 

Për të mbërritur te shtëpia e familjes së Tunë Bezhit duhet të kalosh para shtëpisë së dorasit Alfred Gjugja. Dy shtëpitë i ndanë toka për të cilën mbrëmë ndodhi vrasja. Bëhet fjalë për rreth 15 ari tokë që sipas familjes së viktimës, djali i tyre e kishte blerë më parë nga familja e dorasit.

Toka për të cilën nisi konflikti, rreth 15 ari tokë

Pranë shtëpisë në Marmull ku po bëhet e pamja.

Gjendja shëndetësore e të plagosurit Anton Nikollës që njëherit është kumbara i viktimës është stabile, ai është jashtë rrezikut për jetën. Ai është i plagosur në këmbë dhe ka lëndime edhe në kokë pasi është goditur edhe nga një mjet i fortë. Është i shtrirë në Siptalin e Gjakovës konkretisht në repartin e ortopedisë.

Nikolla tha se ka dhimbje nga plagët dhe se nuk është në gjendje të flas për media. Shtoi se konflikti nisi për shkak të një prone dhe se të gjitha i ka thënë në polici.

“Ma mirë jom. Nuk dua me folë për media. Pak ma mirë jom, kam dhimbje. Të gjitha i kam thënë në polici. Mosmarrëveshja ka fillu për një pronë, nuk ka pas shumë fjalosje”, tha Nikolla.

Ishte pikërisht problemi me tokë që e shtyu Tunën të vinte nga Zvicra në Kosovë. Për të familja ka hapur të pamen në Marmull e varrimi pritet të bëhet nesër. Familjarët që sot e pranuan kufomën e Tunës nga Mjekësia Ligjore nuk ishin në gjendje të prononcoheshin për asnjë media. Mirëpo një nip i familjes Bezhi foli shkurt rreth vrasjes.

“Ka ardhë mu marrë vesh për tokë , të shtunën ka ardhë. Dje e kan vra. Axha i dorasit ja ka shit dajës, thonë që ja ka jep paret, po s’jonë pajtu mas andej edhe e ka vra”, thotë një nip i të ndjerit, që vazhdimisht e potenconte se nuk e di saktë ngjarjen por kështu e ka dëgjuar nga familjarët e tjerë.

Shtoi se viktima i ka tre fëmijë, të cilët bashkë me gruan kanë ardhë sot në Kosovë për të ja dhënë lamtumirën e fundit atij.

Rreziku për t’u thelluar edhe më shumë konflikti mes dy familjeve tani është i madh, prandaj një patrullë e njësisë speciale të Policisë së Kosovës po ruan shtëpinë e familjes së dorasit.

Express ka arritur të kontaktoj me personin i cili e solli dorasin në Marmull për tu dorëzuar në polici. Tunë Gojani, shok i Alfred Gjugjës tha se pasi ai ka kryer vrasjen e ka telefonuar dhe i ka thënë se është larguar nga vendi i ngjarjes. I ka kërkuar që ta kthejë në Marmull te familja për t’i përshëndetur para se të dorëzohej në polici.

“Më ka telefonu, më ka thanë se i ka ndodh një rast. Tha a po vjen mem marrë me kerr në fshatin Rezinë. Ekom pru te shpija në Marmull tha po du me u përshendet me familjarët e mi, edhe u dorëzu. E kanë marrë policia e kanë dërgu në stacion të policisë”, tha Gojani.

Cilat ishin fjalët e dorasit pasi ka kryer vrasjen?

Sipas personit që e kishte sjellë në fshatin Marmull dorasin pasi ai kishte kryer vrasjen Alfredi kishte thënë se i vjen keq për rastin që ka ndodhur dhe se gjithçka ka qenë e momentit.

Shtoi se arsyeja e vrasjes ka qenë prona tokësore.

“Është largu nga vendi ku e ka kry vrasjen nuk e di arsyen pse. Në gjendje të mirë u kan, i qetë, tha më ka ardhë keq për rastin që ka ndodhë, tha u kan e momentit. Po tha sjom konë në vendije u kan moment i shkurtë. Alfredi marrë me bujqësi, ka prind vëlla motër, e kam shok, kumbarë të shtëpisë”, përfundoi ai.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Semilaj.  Tha se viktima ka ardhë prej Zvicrës mu marrë vesh për një pronë tokësore.

Ndërsa, për dorasin tha se po mbrohet në heshtje dhe i njejti po hetohet për “vrasje të rëndë” “lëndim trupor me mjet të fortë” dhe “armëmbajtje pa leje”

“Fatkeqëisht nga fshati Marmull nuk është hera e parë që po japin informacione jo të mira. Mbrëmë rreth orës 18:30 ka ndodhur një vrasje. Një person është privu nga jeta, tjetri është plagos, sa kem informacione motivi është i karakterit pronësor. Për një kohë të shkurtër i dyshuari ka qenë në arrati, pastaj i kemi hy në shtëpi kemi bërë bastisje e kemi arrestu i kemi konfisku armën që dyshohet se me të e ka kry krimin. Veper penale “Vrasje e rëndë” “Lëndime trupore me mjet të fortë” dhe “armëmbajtje pa leje””, tha Selimaj.

Selimaj shtoi se pasi policia ka bastisur shtëpinë e dorasit i njejti nuk ka rezistuar dhe është dorëzuar.

“Njëherë e ka telefonu policinë pastaj e ka ndërpre çdo kontakt me policinë, pasi i kemi shku në shtëpi nuk ka rezistu edhe e kemi arrestu”, tha kryeprokurori.

“Shtëpinë e dorasit jemi duke e ruajt me polici. Duke e marrë parasysh gjakmarrjen, kjo është arsyeja që e kemi siguru shtëpinë e tij”, përfundoi Selimaj.

Ndërsa, nesër pritet që dorasi të dalë para gjykatës ku edhe do t’i caktohet masa e paraburgimit.

Avokati i dorasit Ndrecë Dodaj i cili tha se kilenti i tij po mbrohet në heshtje.

Alfred Gjugja, i dyshyari i vrasjes së mbrëmshme.

Për dy muaj e gjysmë ndodhën katër vrasje në Kosovë:

Vrasja e Tunë Bezhit është vrasja e katërt në Kosovë për këtë vit. 40 vjeçari se u vra nga Alfred Gjugja për një problem pronësor. Abid Jasharai u vra në fund të muajit shkurt në Prishtinë nga një familjar i gruas së tij për shkak të një mosmarrëveshjeje. Po ashtu gjatë muajit shkurt u vra edhe Mentor Aliu nga Ferizaj, dyshohet se vrasjen e kreu 17-vjeçari SH.R për shkak të një gjakmarrjeje. Ndërsa, vrasja e parë në vitin 2019 ka ndodhur më 1 janar, në një familje nga komuna e Gjilanit. Dyshohet se burri ka vrarë aksidentalisht gruan e tij, përderisa ishte duke festuar me armë Vitin e Ri.

Sidoqoftë, në tri vitet e fundit, viti 2018 cilësohet si viti me më së shumti vrasje në Kosovë. Policia tha se në vitin 2018 u vranë 35 persona, në vitin 2017 ndodhën 27 vrasje, ndërsa në vitin 2016 ndodhën 26 vrasje.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/gjithcka-rreth-vrasjes-se-rende-ne-gjakove-si-u-vra-tune-bezhi-nga-fqiu-alfred-gjugja-per-15-ari-toke/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala