Gjermania e Franca në kontakt me Kosovën e Serbinë, por s’e dinë kur do të ketë takim

Autori:Gazeta Fjala

Thaci-Merkel-Vucic-600x360

ialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë asnjëherë s’ka qenë në rrethana më të paqarta. Derisa Kosova ka mbetur pa Ekip Negociator dhe nuk heq dorë nga taksa, Serbia vazhdon ta kushtëzojë kthimin në dialog me heqjen e tarifës. Për këtë është shtyrë Samiti i Parisit, ndërkohë nga Qeveria gjermane, për Gazetën Express, thonë se janë në kontakt me palët, por nuk e dinë kur mund të ketë një takim të radhës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Besnik Veliu

Dy shtetet më të fuqishme të Evropës, Gjermania e kancelares Angela Merkel dhe Franca e presidentit Emanuel Macron, në fund të prillit të këtij viti kishin organizuar Samitin e Berlinit, si përpjekje për të marrë në dorë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo pasi që dy shtetet e shihnin si të rrezikshëm faktin që kryenegociatorja dhe shefja e politikës së jasthem të BE-së, Federica Mogherini, kishte lejuar presidentin Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiqin të vendosnin në tavolinë edhe çështjen e prekjes së kufijve. Përveç kësaj në Berlin dëshironin ta bindin edhe Ramush Haradinajn që ta heqë taksën, për të rinisur dialogun.

Pas përfundimit të takimit në kryeqytetin gjerman, u tha se u varros ideja për pazare me territore, u vendos që takimi i radhës mes dy shteteve të vazhdonte në Paris, ndërkohë kryeministri Haradinaj pavarësisht gjithë presioneve nuk hoqi dorë nga taksa.

Ky mos ndryshim i pozicioneve politike nga dy palët ka bërë që të shtyhet edhe Samiti i Parisit i planifikuar të mbahej më 1 korrik, ndërkohë tashmë askush nuk e di se kur do të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Qeveria Gjermane e kancelares Angela Merkel, thuhet se për momentin nuk mund të japin një datë të re se kur mund të ndodh një takim tjetër, megjithatë potencojnë që janë në kontakt të vazhdueshëm me Kosovën dhe Serbinë.

“Tash për tash, nuk mund t’jua jap një datë të re të takimit. Sidoqoftë, Gjermania dhe Franca janë në kontakte të ngushta me ata që janë të përfshirë në këtë proces”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i Qeverisë Federale të Gjermanisë.

Sa i përket shtyrjes së Samitit të Parisit thonë se ka ndodhur për shkak se nuk kishin avancuar aq shumë sa që kishin menduar me Kosovën dhe Serbinë.

“Siç ka thënë kancelarja Merkel në Poznan, presidenti Macron kishte bërë një ofertë që ta organizojë një takim mes Serbisë dhe Kosovës për ta promovuar procesin politik. Për fat të keq, nuk kishim shkuar aq larg sa kishim planifikuar”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

E gjithë kjo periudhë e bllokadës pas Samitit të Berlinit është përcjellë me tensione të shumta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Presideni i Serbisë Aleksander Vuçiq me qëllim të rritjes së presionit ndaj Haradinajt për ta hequr taksën, kishte propaganduar se në veri të të territorit të Republikës së Kosovës kishte krizë ‘humanitare’, pasi sipas tij serbët që jetojnë në atë pjesë nuk kishin çfarë të hanë e pinë e as ilaçe për t’u shëruar.

Ndaj një situatë të tillë kishte reaguar kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e kishte quajtur një plan mashtrues të Vuçiqit për të destabilizuar veriun e Kosovës.

Përveç kësaj u bë shumë zhurmë për një vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë që ua ndalonte zyrtarëve serbë të hynin brenda territorit të Republikës së Kosovës, edhe përkundër faktit që Ramush Haradinaj kishte thënë që është një ‘lajm i rremë’.

Përveç këtyre situatave të cilat vetëm sa po rritin ndasitë dhe po e bëjnë vazhdimin e dialogut pothuajse të pamundur, Kosova tashmë ka mbetur edhe pa Ekip Negociator. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka shpallur si antikushtetues ekipin që drejtonte Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj. Në anën tjetër ka paqartësi ndërmjet Haradinajt dhe Thaçit se kush duhet të përfaqësojë Kosovën në dialog, edhe pse në vendimin e fundit të Kushtetueses një gjë e tillë specifikohet qartë.

Gjykata kishte konstatuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës është i obliguar ta mbikëqyrë politikën e jashtme në kuadër të kompetencave kushtetuese të parapara sipas paragrafit 12 të nenit 65 të Kushtetutës.

Gjykata po ashtu kishte theksuar se paragrafi 1, i nenit 93 të Kushtetutës i përcakton kompetencat e Qeverisë në “propozimin dhe zbatimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të vendit”, përderisa paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94, përcaktojnë se Kryeministri, si i pari i Qeverisë, “Përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë”, si dhe “Këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/gjermania-e-franca-ne-kontakt-me-kosoven-e-serbine-por-se-dine-kur-do-te-kete-takim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala