Gjermania zvogëlon kontingjentin e ushtarëve në Kosovë

Autori:Gazeta Fjala

gjermani

Në Bundestagun gjerman është mbajtur leximi i parë i propozimit për vazhdimin e misionit të ushtarëve gjermanë në Kosovë. Propozimi parashikon zvogëlimin e kontingjentit, transmeton DW.

Qeveria gjermane i ka propozuar Bundestagut që ta vazhdojë edhe për një vit mandatin e ushtrisë gjermane në Kosovë. Propozimi parashikon dërgimin në Kosovë deri të 800 ushtarëve, që do të thotë rreth 550 ushtarë më pak se në misionin e tanishëm. Në Bundestag është mbajtur të enjten (18.05) leximi i parë i propozimit të qeverisë, por vendimi për vazhdimin konsiderohet si punë e kryer.

Qeveria gjermane në sugjerimin për vazhdimin e mandatit u referohet vendimeve të NATO-s për përshtatjen e fuqisë ushtarake me zhvillimet në Kosovë. Kostoja për misionin e ushtrisë gjermane në Kosovë për këtë vit do të jetë 41,9 milionë euro.

Gjendja në Kosovë vlerësohet si kryesisht e qetë dhe e qëndrueshme, por edhe më tej me një potencial të lartë për konflikt – në veçanti në veri të Kosovës. Ndërsa detyra e Bundeswehrit është mbështetja e zhvillimit të një Kosove të qëndrueshme, demokratike, multietnike dhe paqësore, si dhe mbështetja e Forcave të Sigurisë në Kosovë.

Mandati i ushtarëve gjermanë në Kosovë vazhdohet çdo vit. Në media është spekuluar edhe me mundësinë e tërheqjes së ushtarëve gjermanë nga Kosova deri në fund të vitit 2018 dhe mbetjen atje të një kontigjenti këshillues. Por analistët thonë se realizimi i këtij synimi varet nga gjendja në terren.

Pjesëmarrja e ushtarëve gjermanë në kuadër të Kforit është miratuar për herë të parë në Bundestag më 11 qershor 1999. Në parim, misioni është i pakufizuar, por praktikisht ai duhet të vazhdohet nga Bundestagu çdo vit për 12 muajt e ardhshëm. Vazhdimi i fundit zyrtar është bërë më 23 qershor 2016 dhe ky vendim (aktualisht në fuqi) parashikon dërgimin e deri 1.350 ushtarëve në Kosovë. Por ky është numri më i madh, sepse në Kosovë atkualisht ka rreth 500 ushtarë gjermanë. Ndërsa vendimi i radhës zyrtarisht do të miratohet në Bundestag në qershor.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/gjermani-zvogelon-kontingjentin-e-ushtareve-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala