Gënjeshtrat e Agim Bahtirit për fotokopjet

Autori:Gazeta Fjala

agim-bahtiri

Komuna e Mitrovicës ka tentuar të fsheh të vërtetën me tenderin për marrjen me qera të fotokopjeve, për të cilat raportoi Gazeta Fjala në artikullin “fotokopjet e shtrenjta të Agim Bahtirit”, me datë 21.09.2016

Zyrtarët e këtij institucioni mohojnë se janë kontaktuar nga Gazeta Fjala lidhur me tenderin për marrje me qera të fotokopjeve në vlerë 75 mijë euro.

Megjithatë, ju bashkëngjesim korrespodencën zyrtare me këtë institucion si dëshmi kur gazetari i Gazetës Fjala i dërgon pyetje lidhur me tenderin në fjalë dhe pas 9 ditë pritjeje publikojmë shkrimin bashkë me dokumentet përcjellëse.

pyetjet komuna mitrovice

Komunikimi me këtë institucion është bërë në adresën zyrtare sikur të gjitha herat tjera, ashtu siç obligohen institucionet në bazë të udhëzimit administrativ 4/2010 për përdorimin e postës elektronike.

Në bazë të nenit 7 të këtij udhëzimi rekomandimi dhe kërkesa e komunës për të komunikuar me email privat është e kundërligjshme dhe redaksia jonë nuk bën veprime të kundërligjshme pavarësisht nëse kërkesat vijnë nga një kryetar komune.

Redaksia e Gazetës Fjala, mbetet e përkushtuar në informimin e drejtë dhe korrekt të lexuesve dhe siguron se të gjitha të dhënat e publikuara në artikull janë të bazuara në dokumente përcjellëse dhe të prezantuara si dëshmi në artikull.

Gazeta Fjala ka raportuar se komuna ka planifikuar të shpenzoj 75 mijë euro për marrjen me qera të 6 aparateve fotokopjuese ndërsa po ti blinte ato do ti kushtonin 17 mijë euro.

Në asnjë rast nuk paragjykojmë totalin e shpenzimeve, por raportojmë atë të paraqitur në kontratën e nënshkruar nga komuna me kompaninë rikon dhe ofertën e tregut për këto pajisje.

Gazeta Fjala kërkon publikisht nga kreu i komunës së Mitrovicës dhe zyra e prokurimit të këtij institucioni të sqaroj se mbi çfarë procedurash ligjore janë marrë në shfrytëzim 70 fotokopje të cilat përmenden në reagim derisa në kontratë kanë qenë të parapara vetëm 6.

Për hir të korrektësisë e botojmë të plotë reagimin e Komunës së mitrovicës dhe mbetemi të gatshëm të ballafaqojmë argumentet tona para institucioneve kompetente nëse zyrtarët e Komunës së Mitrovicës dëshmojnë të kundërtën.

Sinqerisht,

Gazeta Fjala

 

Reagim ndaj shkrimit “Fotokopjet e shtrenjta të Agim Bahtirit” të gazetës Fjala

Komuna e Mitrovicës i ka zvogëluar shpenzimet e fotokopjimit

E nderuara redaksi e Gazetës “Fjala”,

Artikulli i botuar në gazetën tuaj, me titull “Fotokopjet e shtrenjta të Agim Bahtirit”, të autorit Agon Sinanaj, përmban shumë të pavërteta dhe të dhëna që nuk qëndrojnë, me të cilat lexuesit tuaj dhe opinioni i gjerë janë dezinformuar, andaj për hir të realitetit, ju lusim që të botoni këtë reagim.

Fillimisht ju njoftojmë se tenderi numër 036/2016 “Marrja me qira e fotokopjeve për shërbimet e fotokopjimit”, është zhvilluar tërësisht në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik në fuqi dhe se të gjitha procedurat, duke filluar nga kërkesa e deri tek njoftimi mbi nënshkrimin e kontratës janë kryer në mënyrë transparente.

Reagimi ynë ka të bëjë me faktin se gazetari i juaj, ka dezinformuar lexuesit kur ka thënë se komuna ka shpërblyer me kontratë NTSH “Rikon”, në vlerë prej 75 mijë euro. Kjo nuk është fare e vërtetë, pasi që komuna vetëm ka planifikuar shumën prej 75.000 euro për shërbimet  e fotokopjimit, shërbime të cilat i janë besuar Kompanisë “Rikon”, për tri vite dhe kjo quhet “kontratë kornizë”.

Kjo do të thotë se Kompanisë “Rikon”, do t’i paguhen vetëm aq para sa do të kryej shërbime, sipas çmimit prej 1.2 cent, përkatësisht 0.0012 €, për një faqe të kopjuar të formatit A-4. Në këtë çmim është parapa edhe sigurimi i aparateve të nevojshme për fotokopjim,  mirëmbajtja e tyre dhe ndërrimi i tonerëve kur ata të shpenzohen.

Pra, siç mund të shihni, shuma e parave që do të marrë Kompania “Rikon”, nga komuna e Mitrovicës për këto tri vite, për shërbimet që do t’i ofroj, përcaktohet në bazë të numrit të faqeve të materialeve që fotokopjohen, e që mund të jetë edhe 10.000, 20.000 apo më shumë euro, por nuk është e përcaktuar që ajo domosdoshmërisht të jetë 75.000 euro. Sipas llogarisë që kemi bërë, shpenzimet e komunës për fotokopjim në bazë të kësaj marrëveshje, nuk do ta kalojnë assesi shumën prej 10.000 euro në vit.

Në bazë të një parallogarie që e ka bërë Zyra e Prokurimit, përkatësisht ajo e furnizimit, shpenzimet e komunës me këtë kontratë do të jenë për rreth 70 për qind më të vogla se sa që ishin deri tash.

Po, ashtu, nuk është e vërtetë se Kompania “Rikon” obligohet të siguroj vetëm 6 fotokopje dhe një plloter. Ajo deri tash ka në komunë rreth 70 fotokopje, të cilat i përdorin punëtorët e administratës komunale dhe është e obliguar që në rast të shtimit të nevojave, të siguroj edhe fotokopje të tjera. Sikur komuna t’i blinte të gjitha këto  pajisje, do të kushtonin 93.100 euro.

Ndërsa sa i përket pjesës së shkrimit, ku thuhet se gazeta ka pritur një javë nga zyrtarët e informimit të komunës së Mitrovicës përgjigjet në pyetjet tuaja, ju njoftojmë se në asnjë adresë zyrtare të komunës, apo të ndonjë zyrtari tjetër, nuk kanë arritur pyetjet tuaja lidhur me temën për të cilën keni shkruar. Ne  nga ju kuptuam sot se i keni dërguar pyetjet në e-mail-in  [email protected] …, që kurrë nuk ka ekzistuar. Z. Syla ka pas dhe ka ende vetëm këto dy adresa:[email protected] dhe [email protected].

Pra siç po shihet, komuna nuk i ka marrë pyetjet tuaja, andaj edhe kanë munguar përgjigjet. Po shihet çartë se ka munguar interesimi i juaj për të mësuar të vërtetën, pasi që keni mundur të interesoheni edhe përmes telefonit se ku është problemi dhe në këtë mënyrë të informoni lexuesit realisht për problemin e trajtuar në shkrimin tuaj.

Prandaj e nderuara redaksi, ju lusim që të botoni këtë reagim tonin dhe që të ju kërkoni falje lexuesve tuaj për dezinformimin e tyre, pa marrë parasysh se a është bërë me apo pa qëllim. Nëse reagimin tonë nuk do e botoni, atëherë do të jemi të detyruar që të ndërmarrim veprimet tjera ligjore.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/genjeshtrat-agim-bahtirit-per-fotokopjet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala