Fushata për zgjedhjet lokale e vë në gjumë Kuvendin

Autori:Gazeta Fjala

auto_auto_kuvendi15002233771501132485-650x358

Fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 22 tetor, vlerësohet se është duke ndikuar negativisht në funksionimin dhe punën e Kuvendit të Kosovës. Kështu vlerësojnë analistët politikë dhe përfaqësues të organizatave që monitorojnë punën e Kuvendit.

Që kur është konstituuar Kuvendi i Kosovës, atë po e përcjellin zvarritje të shumta që kanë ndikuar në nisjen e rregullt të punës në këtë institucion.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e Kuvendit, thotë se që nga konstituimi, nuk është parë punë e rregullt në Kuvend.

Sipas tij, deputetët janë duke humbur kohë dhe se veprimet e tyre janë përqendruar në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor. Këto sjellje, nënvizon ai, janë të pajustifikueshme.

“Kuvendi po vazhdon me jo-funksionalitet dhe nga subjektet politike fokusi i tyre po shihet qartë që është i drejtuar në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale. Shumica e subjekteve politike parlamentare kanë strukturat e veta në komunat e Kosovës. Po vërehet se ka shumë individë, si nga Qendra, ashtu edhe deputetë nga rajonet e ndryshme që vazhdimisht janë përkrah kandidatëve për kryetarë nëpër komuna të caktuara”, thotë Murati.

Po ashtu, thekson Murati, një numër i konsiderueshëm i deputetëve aktual të Kuvendit të Kosovës, janë duke kandiduar edhe për kryetarë të komunave dhe kjo, sipas tij, po ndikon drejtpërdrejt në pasivitetin e tyre sa i përket nivelit qendror dhe punës së tyre si deputetë.

“Si liderët e partive apo edhe deputetët tanimë të legjislaturës së gjashtë, vazhdimisht janë duke u marrë me fushatë. Fushata po ndikon direkt edhe në mosefikasitetin dhe mospunën e Kuvendit. Për më tepër, duhet të përmendim që agjenda legjislative e legjislaturës së pestë nuk është përmbushur asnjëherë më tepër se 36 për qind. Ka shumë projektligje të mbetura në procedurë, plus e kemi një plan legjislativ të miratuar nga Qeveria, e i cili ende nuk është proceduar në Kuvend”, thekson Murati.

Nga ana tjetër, analisti politik, Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi nuk është në nivelin e duhur të përgjegjësisë. Ai thotë se mosfunksionimi i Kuvendit, qoftë me mosthirrjen e seancave apo zhvillimin e punëve nëpër komisione parlamentare, nuk mund të arsyetohet.

“Ne fatkeqësisht ende nuk e kemi të miratuar programin qeveritar në Kuvendin e Kosovës. Madje, as që është diskutuar për programin qeveritar të Qeverisë Haradinaj, ndërkohë që deputetët i shohim duke bërë fushatë për zgjedhjet lokale. Ky është një keqpërdorim i besimit të dhënë nga ana e qytetarëve dhe po ashtu keqpërdorim i parasë publike për shkak se deputetët paguhen për mospunën që po i karakterizon”, vlerëson Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se Kuvendi do të duhej të mblidhej dhe çfarëdo arsyetimi i çfarëdo lloji nuk është bindës. Andaj, sipas tij, vazhdimi i këtij trendi duke arsyetuar se fushata zgjedhore po i pengon, është i papranueshëm.

“Përndryshe nëse vazhdohet në ketë formë, atëherë deputetët duhet që thjesht të marrin përgjegjësi për mospunën që po i karakterizon dhe normal që duhet kërkuar llogari nga ta, sepse po ndodh që ata kanë bllokuar punën e Kuvendit duke mos i miratuar ligjet që kanë mbetur ende pa u miratuar”, thotë Mushkolaj.

Kuvendi i Kosovës konsiderohet si jofunksional që nga maji i këtij viti, kur ishte shpërndarë, kurse legjislatura e re, përveç seancës konstituive, nuk ka arritur të mbajë asnjë seancë të rregullt plenare.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/fushata-per-zgjedhjet-lokale-e-ve-ne-gjume-kuvendin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala