Fushata e çuditshme dhe e pabazë kundër Agim Ademit – Kush po synon ta shkatërroj FFK-n?!

Autori:Gazeta Fjala

ffk-852x460

Kryetari i Federatës së futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka qenë cak i akuzave të ashpra nga dy klube të Superligës që kërkojnë titullin, Llapi e Feronikeli si dhe nga djali i legjendës, Fadil Vokrri, Gramozi.

Akuzat i nisi Llapi, i vazhdojë Feronikeli dhe kapakun ia qiti Gramoz Vokrri që braktisi FFK-në me akuza në drejtim të Agim Ademit.

Llapi akuzoi se FFK-ja ia kishte dhënë Prishtinës 38 mijë euro një ditë para derbit, i cili megjithatë u fitua nga llapjanët 1:0.

Pretendimet e Llapit i përkrahu edhe Feronikelit, klub që shkoi edhe më larg duke thënë se Agim Ademi dëshiron ta fundos “Niklin” dhe Federatën e futbollit ta shndërroi në Federatë të futbollit të Prishtinës.

Të gjitha këto akuza janë hedhur poshtë nga FFK-ja, e cila ka sqaruar se Prishtinës i janë paguar 12 mijë euro nga të drejtat televizive e jo 38 mijë sa pretendonte Llapi, klub që kshte informacione, por jo edhe fakte.

Pas këtyre, erdhi edhe një “goditje” tjetër, por tani nga djali i presidentit legjendar, Fadil Vokrri, Gramozi, i cili shkroi se Agim Ademi po e shkatërron Federatën e futbollit dhe ai nuk do të jetë më pjesë e saj.

Gramozi e akuzoi Agim Ademin edhe për fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve ende pa përfunduar e pamja e Fadil Vokrrit.

I menjëhershëm ishte reagimi i FFK-së, e cila thirri edhe konferencë për media për ti sqaruar të gjitha.

I pranishëm në konferencë ishte edhe Agim Ademi, i cili tha se Gramoz Vokrrit, i ka ofruar 5 pozita në institucionin që ai drejton, por sipas tij, janë refuzuar të gjitha pasi Gramozi ka kërkuar pozitën e drejtorit gjeneral, e cila nuk ekziston ende në FFK.

Të gjitha këto, duken si një fushatë për të rrëzuar Agim Ademin i cili e zëvendësoi Fadil Vokrrin, madje duke pasur përkrahjen absolute nga të gjitha klubet.

Madje, janë pikërisht, Llapi, Feronikeli e besa edhe Gramoz Vokrri, që e përkrahën fuqishëm Agim Ademin, i cili ende pa i mbushur një vjet në krye të shtëpisë së futbollit kosovar, arriti mjaftë suksese.

Së fundmi, është drejtori sportiv i Llapit, Tahir Batatina, që e ka pranuar se është duke i mbledhur nënshkrimet e delegatëve që të rrëzojnë Agim Ademin në Kuvendin e Punës që do të mbahet në fund të këtij muaji.

Batatina pretendon që do të ketë mjaftë vota për të kërkuar shkarkimin e Agim Ademit, por deri me tani asnjë klub nuk është deklaruar se po e mbështet.

Jo zyrtarisht, mësohet se prapa kësaj është edhe Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi, i cili ka pretendime të kamotshme të marr drejtimin e FFK-së.

Për disa vjet, Haxhiu ka qenë nënkryetar i FFK-së, por është larguar me kërkesë të UEFA, pasi ai është pjesë e politikës, saktësisht deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Agim Ademi në krye të FFK-së trashëgoi shumë projekte të nisura nga Fadil Vokrri, por arriti ti përmbyllë me sukses.

Me Ademi në krye, Kosova arriti suksesin më të madh në histori, duke u kualifikuar në Play Offin e Ligës së Kombeve.

Në kohën e Agim Ademit, nuk ka pasur asnjë skandal të madh që do të prishte imazhin e futbollit kosovar.

Me Ademin kryetar, FFK-ja ka marr lëvdata për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare gjë të cilën e bënte për herë të parë dhe e kaloi me sukses të madh.

Me Ademin në krye, FFK-ja mori projekte të mëdha në UEFA e FIFA, e të cilat pritet të jetësohen shumë shpejt.

Njëri ndër projektet ishte edhe ndërtimi i 12-të fushave me bari sintetik për 12-të ekipet e Superligës, e ku bashkë financuese ishte edhe Ministria e Sportit.

E keqja e gjithë kësaj, është se të gjitha këto akuza, vijnë vetëm disa javë para se Kosova të nis ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian të futbollit që do të mbahet në vitin 2020.

Përplasjet e tilla, mund të ndikojnë edhe te Kombëtarja e Kosovës e cila veqësa e ka filluar lulëzimin dhe i duhet përkrahje edhe më e madhe në këto momente.

Aktualisht, FFK-ja nuk ka nevojë për kryetar të ri, pasi deri me tani, gjithçka ka shkuar sipas planit dhe çdo ndryshim në këtë kohë, do të ishte thikë me dy teha për futbollin e Kosovës. /Gazeta inFokus/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/fushata-e-cuditshme-dhe-e-pabaze-kunder-agim-ademit-kush-po-synon-ta-shkaterroj-ffk-n/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala