Fuqia punëtore sfidë e sektorit privat

Autori:Gazeta Fjala

abrashi-oeak-650x408

Përgatitja e fuqisë punëtore me njohuri dhe shkathtësi që nevojiten në tregun e punës mbetet një sfidë që duhet adresuar nga qeveria dhe akterët tjerë relevant. Për të diskutuar këtë temë dhe çështje tjera që hyjnë në fushëveprimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) organizoi një tryezë me ministrin Arban Abrashi.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane theksoi se puna dhe politikat që kjo ministri i zhvillon janë me shumë interes për sektorin privat, pasi lidhen drejtpërdrejt me punën ditore të bizneseve.

Më tej ai kërkoi nga ministri i Punës, Arban Abrashi që të mbështesë qëndrimet e sektorit privat në diskutimet dhe vendimmarrjet për çështje të tjera brenda kabinetit qeveritar.

Ministri Abrashi tha se ai e sheh sektorin privat si bartës të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës, duke shtuar se sa i përket legjislacionit, në përgjithësi Kosova qëndron mjaft mirë dhe ka ligje që janë të avancuara në nivel të njëjtë me shtete shumë më të zhvilluara.

Në mesin e hapave konkretë që ministria pritet të ndërmarrë për stimulimin e punësimit në sektor privat, Abrashi përmendi planet për jetësimin e një skeme për subvencionimin e pagave të punëtorëve të rinj në ndërmarrje që janë në zhvillim e sipër, duke u bazuar në shembuj të ndryshëm të vendeve që kanë treguar sukses në luftimin e papunësisë.

Sa i përket boshllëkut të shkathtësive të fuqisë së re punëtore, e veçanërisht atyre që sapo kanë përfunduar studimet, çështje kjo që u ngrit si problematike nga shumë kompani të pranishme, Ministri Abrashi theksoi se ky është një problem evident dhe se duhet një qasje shumëdimensionale për trajtimin e saj.

Ai tha se ka propozime që shërbimet për këshillim të karrierës të fillojnë që nga fillet e para të shkollimit, në mënyrë që të formohet një pasqyrë më e qartë për gjeneratat në vijim se cilat janë realisht nevojat në tregun e punës dhe që nxënësit të orientohen në përputhje me këto projektime.

Një çështje tjetër tejet problematike që u ngrit nga bizneset e pranishme ishte edhe ajo e punësimit joformal, që shkakton pabarazi në mes të kompanive të sektorëve të ndryshëm. Abrashi tha se ky është një problem në ekonominë kosovare, që përpos pabarazisë, ai ka implikime edhe në buxhet, në shpërndarjen e asistencës sociale, mirëpo edhe pamundëson nxjerrjen e statistikave të besueshme lidhur me punësimin.

Ai konfirmoi paralajmërimet e inspektoratit të punës se nuk do të ketë aspak tolerancë ndaj kompanive që nuk kanë kontrata të punës për punëtorët e tyre në mënyrë që ky problem të adresohet. Gjithashtu, Abrashi informoi të pranishmit mbi hapat që ministria që ai drejton po ndërmerr që të evidentohen rastet e personave që marrin grante nga Ministria e Bujqësisë dhe që në anën tjetër rezultojnë si të papunë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/fuqia-punetore-sfide-e-sektorit-privat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala