Freskimi i mendjes

Autori:Menderes Ibra

656X37337230menderes_ibra

1.

Mendimtarët më të famshëm që nga kohët e lashta kanë thënë se për të mbijetuar dhe zhvilluar është detyrë imanente e njeriut që të kërkoj dijen e të mësojë. Në librat e shenjtë thuhet që fjala e parë me të cilën Zoti i është drejtuar njeriut është: Mëso, lexo. Ata që e kuptuan këtë korrën edhe rezultatet. Të tjerët që e neglizhuan mund të mësojnë nga përvojat e të parëve. Frederiku i Madh (Mbreti i Prusisë në shekullin e XVIII) ishte monarku më i madh i asaj kohe, e kishte zakon të ftonte si mysafir personal në oborrin e tij dijetarët më të njohur të kohës nga fusha e filozofisë, shkencave të natyrës, letërsisë, artit etj. Mysafirë të tij ishin mendjet më të ndritura nga shtetet tjera si p.sh Volteri e shumë të tjerë, me të cilët diskutonte për fushën e dijeve të tyre. Ai e bënte këtë për interes të vendit të tij,  me qëllim që duke shfrytëzuar dhuntitë dhe gjenialitetin e tyre të arrinte të zgjonte mendjen e gjermanëve, ta pasuronte atë me dije, dhe ta sillte  në nivel të kombeve tjera europiane. Dhe kur njeriu sheh Gjermaninë e sotme të prosperuar e zhvilluar, do të kuptojë se rrënjët e zhvillimit janë thellë në kohëra, edhe duke iu falenderuar burrshtetasve të tillë me vizion, që shihnin larg dhe që kuptonin mirëfilli rolin e dijes.

2.

Mu kujtua kjo teksa mora pjesë në një seminar me temë interesante e shumë të dobishme, në të cilin ligjëronte një ekspert  eminent botëror i fushës së vet, e që për shkak të agjendës së ngarkuar do të qëndronte vetëm një ditë në vendin tonë. Të sigurosh ekspertë të tillë jo vetëm se është vështirë, por ajo ka edhe kosto të lartë financiare, mirëpo të gjitha këto i kishte kryer një agjencion i një shteti që është mik i madh dhe i veçantë i Kosovës. Prisja që pjesëmarrësit do të bëheshin sy e veshë dhe do të vërshonin me pyetje duke shfrytëzuar këtë rast e mundësi të rrallë. Mirëpo nuk doli kështu, pasi në pjesën e dedikuar për pyetje, debat e interaksion për çudi kishte shumë shumë pak interesim. Për më tepër dëgjova zërin një personi që ishte prapa meje: ” Na kanë lodhur me këto gjëra, po mendojnë se ne jemi Afrikë!”. Unë po e rifrazoj kështu për delikatesë, dhe për shkak të respektit ndaj lexuesit, sepse ai përdori fjalë shumë më banale! Fodullëku e mendjemadhësia u shoqëruan edhe me një gjest mospërfilljeje e gjoja nervoze. Në këso situatash me sjellje që të vrasin sytë dhe mendjen, njeriu e ndjen veten vërtetë shumë keq.

Nuk ishte vetëm mosmirënjohja, por edhe mungesa elementare e sjelljes, dhe niveli i panevojshëm e i pavend i arrogances e nënqmimit. Ishte fundja edhe synimi i tij dhe personifikimi. Nëse vërtetë konsideron se di më shumë se ai, atëherë dëshmoje në një debat të mirëfilltë professional, ballafaqoju me fakte, dhe mos e fut kokën në rërë si struci duke ofenduar me zë të ultë prapa shpinës. Nëse e llogaritë veten superior, atëherë dëshmoje së paku me një rezultat, dhe jo me mburrësi të kotë. Sjelljet e tilla infantile përveç dëshpërimit ngrejnë edhe shumë hamendësime jo vetëm për shkaqet e arsyet që i shtyjnë të tillët në këso veprimesh, por edhe për pasojat e tyre në shoqëri. Persona të tillë duket se dijen e konsiderojnë si një stacion ku arrihet pas një diplome e jo si një qëllim jetësor dhe të mësuar gjatë gjithë jetës.

Njëra nga format e shumta të padijes është edhe ajo kur nuk di e mendon se di. Dhe ashtu siq ka thënë një filozofi: “Është e pamundur për njeriun që të mësojë atë që ai mendon se tashmë e di!”. Dhe vërtetë kjo është katërcipërisht e saktë, sepse njëra nga bllokadat më të mëdha në rrugën drejt dijes është të besuarit se  di diqka që nuk e di.

Dhe dija e aftësia nuk është sikurse flama që i ngjitet njeriut pa dëshirën e tij. Atë duhet kërkuar me ngulm, ashtu siq kishte thënë Sokrati, ‘se një njeri do të përvetësojë dijen, vetëm atëherë kur do ta konsideroj atë si ajrin, pa të cilin  s’mund të jetohet më shumë se disa minuta’.

3.

Transferi i dijes sot në botë ka ndryshuar shumë. Ndër format më të përhapura janë  seminaret disa ditore, ku përkunderjt një shume parash të paguara, eksperti përkatës ofron aftësimin e njerëzve brenda një moduli të caktuar. Për të rifreskuar mendjen e dijen sot në tërë botën njerëzit paguajnë, sepse në kushtet e rritjes eksponeciale të dijes dhe dyfishimit të saj në pothuasje më pak se në çdo pesë vjet, kjo është forma më e mirë e mundshme. Dija sot ofrohet e strukturuar dhe e specializuar brenda një fushe të ngushtë dhe duke përcjellur zhvillimet më të fundit globale. Ekspertë të vërtetë e kompetentë çmohen vetëm ata që njohin mirë fushat e ngushta dhe të specializuara. Ata që mendojnë se me tituj akademik e diploma të marrura kush e di se si, dhe kush e di se ku, mund të fitojnë ekspertizë të gjithëanshme jetojnë në një mentalitet të së kaluarës së largët, dhe e cila nuk përkon me dinamikën e së sotmes. Një mendimtar i njohur ka thënë: “Ka  diqka që është shumë më e rrallë se dija e aftësia. Kjo është aftësia për të njohur dijen dhe aftësinë”.

 

4.

Gjatë tërë periudhës së paslufte e deri më sot bashkësia ndërkombëtare dhe miqtë e Kosovës investuan dhe janë duke investuar ndër të tjera shumë edhe në aftësimin, rritjen e kapaciteteve dhe transferin e dijes në të gjitha sferat e jetës duke përfshirë administratën publike, shërbimin civil, shoqërinë civile etj. Duhet që si shoqëri të jemi koshient për këtë aspekt të ndihmës, ta çmojmë atë, dhe të mos e trajtojmë  si diqka të pambarim. Përkundrazi, duhet parë si mundësi të artë për të fituar djet dhe aftësitë që na mungojnë, nga përvoja dhe ekspertiza e tillë.

Natyra, për dallim nga krijesat tjera, e pajisi njeriun me mekanizimin më të sofistikuar dhe më hyjnor – mendjen. Mirëpo, edhe truri sikurse çdo organ tjetër i nënshtrohet ligjeve të ndryshimit konstant dhe evolucionit, për t’u zhvilluar dhe pasur dobi prej tij, ai duhet që vazhdimisht të zhvillohet, rifreskohet e pasurohet me dije, sepse në të kundërtën ai zvetnohet, rudimentohet e edhe atrofohet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/freskimi-i-mendjes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala