Francës i ikin milionerët

Autori:Zekirja Shabani

paris

Rritja e tensioneve në Francë, veçanërisht në Paris, pas një seri sulmesh terroriste islamike në vitin 2015, kanë nxitur një eksod të qytetarëve të saj super të pasur, ka bërë të ditur një raport i ri mbi tendencat migratore të milionerëve.

Raporti paralajmëron se vende të tjera evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikën, Gjermaninë dhe Suedinë”, ku tensionet fetare kanë filluar të shtohen”, do të mund të preken nga tendenca të ngjashme.

Lidhur me mundësinë e një Brexit, raporti thotë se milionerët do të qëndrojnë në Britani edhe në qoftë se ajo del nga zona euro.

Raporti është hartuar nga Nee World Wealth, një agjenci që jep informacion mbi sektorin e pasurisë globale.

Sipas raportit, listën për migrimin e milionerëve në vitin 2015 e kryeson Franca, pasi humbi 10.000 milionerë, ose 3% të popullsisë së saj milionere.

Ndër qytetet që panë rrjedhjen maksimale të milionerëve ishte Parisi, duke humbur rreth 6% të popullsisë së saj milionere ose 7.000 milionerë  përgjatë 2015 në Britaninë e Madhe, SHBA, Kanada, Australi dhe Izrael.

“Dalja e madhe e milionerëve nga Franca është e dukshme. Franca është duke u ndikuar rëndë nga tensionet fetare mes të krishterëve dhe myslimanëve, veçanërisht në zonat urbane. Ne presim që migrimi i milionereve nga Franca do të përshpejtohet gjatë dekadës së ardhshme, pasi këto tensione po eskalojnë” paralajmëron raporti.

Pas Francës, lista e vendeve të prekura nga largimi i milionerëve vazhdon me Kinën që renditet e dyta, e  ndjekur nga Italia, India, Greqia, Federata Ruse, Spanja dhe Brazili.

Sa i përket hyrjeve të milionerëve, Australia është destinacioni i preferuar me 8.000 milionerë të rinj gjatë 2015.

SHBA renditet e dyta me 7000 hyrje, e ndjekur nga Kanadaja, Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Zelanda e Re.

Qytetet Australiane Sydney, Melbourne dhe Perth patën një fluks të konsiderueshëm milionerësh në vitin 2015 nga Kina, Evropa, Britania e Madhe, SHBA dhe Afrika e Jugut.

Sydney rendit i pari në tabelë me 4.000 milionerë të rinj, ose 4% të popullsisë të saj milionere. Melbourne dhe Perth kanë pasur 3.000 dhe 1.000 milioner të rinj në vitin 2015.

Edhe Tel Aviv, Dubai, San Francisco, Vancouver dhe Seattle janë renditur në raport në mesin e 8 qyteteve me hyrjet më të mëdha të milionerëve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/frances-i-ikin-milioneret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala