FMN miratoi 184 milionë euro kredi për Kosovën

Autori:Gazeta Fjala

fmn

Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi 184 milionë euro për Kosovën, të barasvlefshme me 250% të kuotës së Kosovës në FMN. Miratimi i kësaj shume mundëson lëvrimin e menjëhershëm të 35 milionë eurove.

Programi parashikon një sërë reformash strukturore, që zyrtarët e Fondit thanë se janë të domosdoshme për ta drejtuar Kosovën nga një model që mbështetet tek remitancat drejt një sistemi që udhëhiqet nga prodhimi dhe tregtia.

Programi synon (1) të mos lejojë rritje të deficitit buxhetor dhe borxhit duke ruajtur nivelin e shpenzimeve dhe njëkohësisht duke krijuar hapësirë për shpenzime kapitali në sektorë që nxisin rritjen; (2) të rrisë potencialin ekonomik të Kosovës duke eliminuar disa pengesa strukturore ndaj rritjes ekonomike, përfshirë krijimin e një mjedisi më pozitiv për investime dhe aktivitet biznesi, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e rolit të bankave; (3) të shërbejë si katalizator mbështetjeje për kreditorë dypalësh dhe shumëpalësh.

Pas marrjes së vendimit, Zëvendës Drejtori Menaxhues dhe Kryetar në Detyrë i Bordit Ekzekutiv, Min Zhu tha përmes një deklarate:

“Megjithë rritjen e shëndetshme dhe një sektor të qëndrueshëm financiar, Kosova ndeshet me sfida në ruajtjen e kredibilitetit fiskal dhe shlyerjen e  detyrimeve të borxhit, si dhe shtimin e potencialit për rritje ekonomike”.

Zoti Min thotë se mirë-menaxhimi i fondeve publike është një ndër objektivat kryesor të këtij fondi:

“Forcimi i financave publike është pista kryesore e programit, i cili përfshin masa për të mbajtur deficitin brenda kuotave të lejueshme me rregullore zyrtare, ndërkohë që përmirësohet buxheti duke reduktuar shpenzime joproduktive”.

Në vitin 2014 rritja ekonomike në Kosovë u ngadalësua duke arritur në 2.7% të prodhimit të përgjithshëm bruto, GDP. Ndër arsyet kryesore ishin problemet e tejzgjatura politike pas zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe një aksident në centralin kryesor energjetik që çoi në ndërprerje energjie dhe shtimin e importit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/fmn-miratoi-184-milione-euro-kredi-per-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala