Erdogan flet për mediat greke: Si e martova grekun-kryetar të partisë time, me një vajzë turke

Autori:Gazeta Fjala

capture_1512648592-630256

Përpara vizitës së sotme në Athinë, e cila është e para pas 65 vjetësh e një presidenti turk në Greqi, Rexhep Tajjip Erdogan, ka dhënë një intervistë për ERT dhe Kathimerini-n duke folur para gazetarit të njohur Alexis Papachelas, që publiku shqiptar e mban mend për intervistën me kryeministrin Edi Rama.

Erdogan ka thënë fare qartë dhe prerë që shkon në Greqi për t’i ofruar një paqe të qëndrueshme vendit fqinj, duke krijuar një mundësi të re, të cilën nuk e kanë bërë qeveritarët e dy vendeve në të shkuarën.

“Fjala luftë nuk duhet kurrë, kurrë të përdoret mes nesh. Ne kemi kaq shumë gjëra të përbashkëta që mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.  Kur përdorim fjalën luftë trembim popullin turk dhe atë grek. Por duhet të dijmë se ata jetojnë me njëri-tjetrin.
Po ju them një rast: siç e dini ka shumë qytetarë me kombësi greke që jetojnë në ishujt tanë. Njëri prej tyre është edhe kryetar i partisë sime(AKP) për zonën.

Ai ishte dashuruar me një vajzë turke. Babai i vajzës nuk donte që të bëhej martesa mes tyre, pra mes dy  të dashuruarve me kombësi të ndryshme. Nëna donte, por babai jo. Kam shkuar personalisht të bind babain e vajzës dhe martesa ndodhi. Çifti bën jetë shumë normale dhe ne kemi sot një familje të shëndoshë. Ja një shembull, por të tillë ka plot. Në Greqi, në zonën e Trakës jetojnë mbi 200 mijë turq, më shumë sesa grekë jetojnë në Turqi. Ata janë një urë lidhjeje e marrëdhënieve tona”, tha Erdogan.

Gazetari i njohur grek e pyeti presidentin turk se ai ka takuar shumë prej kryeministrave grekë dhe ç’mendonte për ta.

Erdogan tha: “Kam takuar Simitisin, Karamanlis, Papandreun, zotin Tsipras. Si ministër i Jashtëm kam takuar zonjën Bakojanis . Sa mirë diskutonim, flisnim fare hapur dhe kam shumë përshtypje të mira. Por kur vjen puna tek marrëveshja, të gjithë hezitonin”.
Më pas Papachelas e pyet Erdogan mbi kërkesën e tij për ndryshimin e Marrëveshjes së Lozanës që është baza e marrëdhënieve Turqi-Greqi dhe çfarë donte të bënte ai me këtë pakt.

Presidenti turk është sërish i qartë: “Shiko Alex. Se ne flasim për Marrëveshjen e Lozanës dhe pak e kuptojmë. Ç’kërkojmë ne? Duam që anijet tona të lëvizin lirisht në Egje. Dhe Egjeu është det i madh që e ka falur Zoti për të gjithë. Aq kërkojmë, një marrëdhënie të lirë, të hapur. E di ti se shumë turistë turq vijnë në ishujt grekë? Ne duam që kjo hapësirë të jetë e lirë. Po si do të thoni ju? Si mund të arrihet një marrëveshje? Nëse më lejon të thërras Alex, po natyrisht duke folur hapur dhe e zgjidhur vetëm në mënyrë reciproke nga të dy palët: s’mund të ketë as parakusht, as diktim e as teka. Të flasim, të arrijmë një marrëveshje që konvenon edhe për ne edhe për ju. Ja kaq! Është e thjeshtë besoj”, tha presidenti turk.

Erdogan më pas tregoi disa detaje të panjohura të ditëve të verës së grushtit të shtetit në 2016-n. Gazetari grek e pyet se është shkruar se ju donit të uleshit në tokën greke nga Marmaris dhe Erdogan i përgjigjet shkoqur: “Eh, i mbaj mend me sekonda ato ngjarje. Pronari i hotelit, i shqetësuar për sigurinë time më tha që duhet të shpëtoja gjithsesi, pasi Turqia duhet ta ruante presidentin e saj. E unë i thashë se nëse më duhet të vdes, këtë do ta bëj në tokën time, në atdheun tim. Piloti nuk e dinte nëse do të ulesha në Stamboll apo Ankara. U endëm për 16 orë në ajër dhe më pas vendosëm Stambollin dhe dolën njerëzit në rrugë dhe i mposhtën puçistët. Ja kjo është e vërteta. Njerëzit janë gjallë, mjafton t’i pyesni. Nuk do të largohesha me çdo çmim nga Turqia ime.

Meqë jemi në këtë temë. kur ushtarakët turq që drejtuan puçin erdhën në Greqi e mora në telefon mikun tim Alexix Tsipras. I thashë që duhet të na i sillni menjëherë në Turqi. Më tha që do të merrem vetë me çështjen. Më pas nuk mori më dhe ata ende edhe sot janë në Greqi…”, tha Erdogan.

Alexis Papachelas i thotë më pas se “përse i kërkoni ushtarakët, kur këtu gjyqësori është i lirë?” Ja përgjigja e Erdogan:

“Shiko, gjyqësori është i lirë, por çështja mund të zgjidhej kur ishin në paraburgim. Mund ta bënte Ministria e Drejtësisë. Nëse në Turqi ne do të kishim rast të tillë me terroristët tuaj të ’18 marsit’ apo organizatës ’17 nëntori’, do t’i kishim kthyer brenda natës. Sfidoj këdo për këto që them. Por gjyqësori grek nuk po na imponon respekt. Po e zgjat çëshjen. Një drejtësi e vonuar krijon premisa për një drejtësi të mohuar. Por ata duhet të shprehen. Nëse duan t’i mbajnë këtu ne themi ‘ok’ është vendimi juaj sovran, por ta bëjnë”.

Presidenti turk thekson se shpreson shumë se do të nisë një stinë e re e marrëdhënieve mes dy vendve, stinë që nuk shkon kah përplasja, por nga paqja.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/erdogan-flet-per-mediat-greke-si-e-martova-grekun-kryetar-te-partise-time-me-nje-vajze-turke/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala