Efektet e pornografisë në adoleshencë

Autori:Besarta Taçi

porno

Tashmë ekspertët na e kanë bërë të ditur që të miturit, në mënyrë vullnetare apo jo, përdorin material pornografik. 9/10 adoleshentë meshkuj dhe 4/10 adoleshente femra përdorin rregullisht vëzhgimin e videove në platformat që ofrojnë materiale pornografike gratis.

Meshkujt nga mosha 12 në 17 vjeç, të cilët i vëzhgojnë rregullisht këto video, fillojnë aktivitetin seksual shumë më shpejt se bashkëmoshatarët e tjerë; të rinjtë përdorues rrezikojnë të preken më shpesh nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, shtatzënitë dhe abortet.

Tema e seksualitetit në adoleshencë është një argument shumë delikat dhe i rëndësishëm për vetë identitetin e të miturit. Gjithashtu prindërit gjenden në një pozitë tejet të vështirë. Nëse nga njëra anë adoleshentit i nevojiten informacione të sakta mbi seksualitetin, meqenëse trupi i tij fillon të marrë fuqinë e riprodhimit dhe të joshës nga ana tjetër, këto informacione shpeshherë kërkohen në vendin e gabuar.

Aktualisht shumë prindër kanë vështirësi të konsiderojnë fëmijën e tyre adoleshent, si një person i cili ka nevojë të eksperimentojë potencialin emotiv, afektiv dhe erotik të trupit të tij. Shpeshherë këta prindër harrojnë se marrëdhëniet afektive dhe seksuale në pubertet dhe adoleshencë janë ato që ndikojnë te zhvillimi psikoemotiv dhe identitar i fëmijës.

Ata prindër që injorojnë zhvillimin hormonal, fiziologjik dhe psikik të adoleshentit, heshturazi kontribuojnë në mënyrë negative për sa i përket rritjes dhe shëndetit në tërësi. Adoleshentët kanë nevojë të kenë informacionet e duhura mbi këtë temë, sepse në këtë periudhë eksplorojnë potencialin e tyre mashkullor apo femëror brenda rrethit shoqëror apo në marrëdhëniet me tjetrin, i cili bëhet objekti i dëshirës seksuale, dhe gjatë kësaj periudhe kanë nevojë të udhëzohen drejt eksperiencave jo të dëmshme.

Ka tepër rëndësi prania dhe roli i babait në dialogun me adoleshentin, sepse në të dyja rastet (me vajzën apo djalin) mundëson me dialogun argumentues një imazh ndryshe të rolit mashkullor.

Shpeshherë këto informacione fëmijët nuk i gjejnë as në marrëdhënien me prindërit dhe as në kontekstin shkollor, por në internet, duke ju afruar materialeve pornografike në rrjetin virtual. Sot fëmijët e mbarë botës janë çdo ditë e më shumë të bombarduar nga lajme, video, këngë apo filma ku përmbajnë imazhe “soft-porno”. Këto i ç’destabilizojnë për sa i përket seksit, duke i bërë të kërkojnë çdo ditë e më shumë imazhe akoma më të forta, duke arritur deri te “hard- porno”, përpara se në jetën reale të kenë pasur përvojën e parë seksuale.

Adoleshenti i virgjër i përballet përvojës së parë, duke pasur si model videot porno. Ndikimi i videove porno te zhvillimi psikosocial tek adoleshentet është objekt studimi nga psikoseksologët e mbarë globit, sidomos në ato shtete ku përdorimi i smartphoneve është në rritje. Një nga ato është edhe Shqipëria, ku varësia ndaj rrjeteve sociale është gjithëpërfshirëse jo vetëm tek adoleshentët, por edhe te moshat e tjera.

pornografia-2Ekspertët kanë shtrirë alarmin e përdorimit dhe ndikimit të pornografisë në një moshë shumë të re. Imazhet brutale të pornos (që kujtoj janë të prodhuara për të rriturit) ndikojnë në zhvillimin e parakohshëm seksual të fëmijës, jo vetëm që ai ekspozohet paraprakisht nga stimuj hiperseksualë, por ndonjëherë pëson traumë vizive. Adoleshentët e intervistuar thonë se ndjehen të tërhequr, por dhe të frikësuar nga ato imazhe. Përtej frikës, adoleshentët kanë të njëjtat simptoma post-trauma, përballë videove që tregojnë skena të dhunshme seksi të kualifikuara nga truri i tyre ende në zhvillim si tepër të rrezikshme.

Sexting në shkëmbim të parave (Prostitucioni i erës dixhitale 2.0).

Pornografia mund të krijojë tek të rinjtë varësi. Adoleshentët ekspozohen përballë një seksualiteti, i cili ka si të vetmin motiv, arritjen e kënaqësisë, pa prekur sferën emocionale me partnerin/en;

Pornografia jep modele performancash seksuale të amplifikuara edhe nga përdorimi i ilaçeve (hormone, viagra) të cilat shërbejnë për orët e tepërta të montazhit (por këtë aspekt të rinjtë e kanë të panjohur);

Shumëllojshmëri të kategorive performative në pornografi tregojnë marrëdhënie nënshtrimi të partnerit/es, i cili/e cila duket sikur ndodhen aty veçanërisht për t’u kënaqur (shumë larg realitetit të lidhjeve reale).

Adoleshentët shohin aktorët e pornos si model për të imituar. Në këtë moshë ku rolet e gjinive nuk janë akoma fikse, porno kontribuon në mënyrë negative, duke e parë të nënshtruar dhe shpeshherë në shërbim të mashkullit.

Ky aspekt kontribuon për:
– Uljen e vetëvlerësimit seksual,
– Rënien e dëshirës seksuale dhe imazhit të gabuar të femrës,
– Krijon rrezikun e ndarjes totale të aspektit emocional dhe relaksional nga ai trupor gjatë seksit,
– Krijimin e çrregullimeve seksuale në moshë të mitur,
– Lindjen e formave të ankthit, frikës, dobive, depresionit në moshë të mitur.

Pornografia është mënyra më brutale (nga vet fakti që tregon sjellje agresive) për të hyrë në botën e seksualitetit, sidomos kur pjekuria psikologjike nuk është akoma e arritur, si në adoleshencë.

Një studim italian i vitit të fundit tregon që adoleshentët që kanë ngacmuar seksualisht ose kanë tentuar të dhunojnë një bashkëmoshatar, shikojnë rregullisht porno. Organizata Botërore e Shëndetit u bën thirrje prindërve, edukatorëve, pedagogëve të mos evitojnë argumentet e seksualitetit në këtë moshë, por të bashkëbisedojnë me adoleshentët, sepse kur i mituri merr informacionin e duhur nga personat e rritur që e rrethojnë, edhe nëse rastësisht sheh material pornografik, ka më shumë mundësi të kuptojë sa larg ndjenjës dhe realitetit është porno. Mësuesit duhet të jenë të hapur të bëjnë grupe bashkëbisedimi për rreziqet që paraqesin kategoritë pornografike. Pra, prindërit nuk duhet të mohojnë botën e tornos, por t’ia shpjegojnë të miturit.

(Autorja është Psikologe klinike, Psikoseksologe, Psikotraumatologe)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/efektet-e-pornografise-ne-adoleshence/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala