Edhe vjeshta në Shkup ka dy fytyra

Autori:Gazeta Fjala

cair1-804x335

Stina e vjeshtës, sjell me vete të mirat dhe vështirësitë e saja për të gjithë qytetarët, por jo të gjithë i përjetojnë njëjtë. Një problem që sjell me vete kjo stinë, janë gjethet që bien gjithandej, që dinë të krijojnë peizazh të bukur karakteristik për këtë stinë, por ama edhe shkaktojnë papastërti, sigurisht nëse nuk mirëmbahet pastërtia në rrugët dhe trotuaret që frekuentohen nga njerëzit. Në këtë segment, banorët e Komunës së Çairit shprehen tejet të indinjuar. Ata thonë se, fatkeqësisht pastërtia nuk është mirëmbajtur asnjëherë, e nuk po mirëmbahet as tani.

“Gjethet njerëzit duhet t’i pastrojnë. Shko në Karposh, në Aerodrom, si të shkosh në Zvicër. Këtu është xhungël, gjithmonë tek shqiptarët ashtu ka qenë, edhe askush nuk është interesuar për këtë, absolutisht hiç”, thotë një banor i Çairit.

“Qysh me qenë të kënaqur, kur ka plot gjethe jashtë. Nuk janë të mbledhura askund. Dilni në pjesën tjetër, shihni si është, e si është këndej pari. Tek ne gjithmonë kështu ka qenë, e kështu edhe do të jetë. Ndoshta nuk kanë mjaft njerëz, ndoshta nuk punon Komuna”, thotë një banor tjetër.

Pas sugjerimeve të qytetarëve, Televizioni SHENJA vizitoi edhe një komunë tjetër të Shkupit, atë të Aerodromit. Sigurisht që vjeshta e njëjtë është edhe në komunën që gjendet pak kilometra larg Çairit, dhe me po të njëjtat probleme përballet edhe kjo komunë. Por, vendet që frekuentohen nga qytetarët, i gjetëm të pastra. Gjithashtu, udhe qytetarët shprehen të kënaqur me punën e autoriteteve lokale.

“Jemi shumë të kënaqur edhe me punën e Kryetarit të Komunës edhe me ndërmarrjet tjera. Nuk shëtis shumë nëpër qytet, por nuk besoj se ka ndonjë komunë më të pastër se Aerodromi. ”, tha një qytetar.

“Po, në përgjithësi rrugët janë të pastra, jemi të kënaqur. Në disa pjesë ku punohet, nuk është aq pastër, por në përgjithësi është mirë”, deklaroi një qytetare.

Që moti është thënë se Shkupi ka dy fytyrat e tij, njërën ku punohet dhe ku përmbushen kërkesat e qytetarëve, dhe tjetrën ku qytetarët duhet vetë të kujdesen për hallet e tyre. Fatkeqësisht, edhe gjethet që mbulojnë tokën gjatë vjeshtës, i zbulojnë këta dy fytyra të Shkupit./SHENJA/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/edhe-vjeshta-ne-shkup-ka-dy-fytyra/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala