Edhe në Kosovë nis implementimi i luftës kundër dopingut në sport

Autori:Gazeta Fjala

04_10_19_70151_kryesore-600x360 (1)

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Organizatën e Evropës Lindore për Anti Doping (EERADO), kanë organizuar për herë të parë seminarin me temën: “Sporti i Pastër”, i cili u mbajt në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë. Pjesëmarrës ishin mjekë, trajnerë, sportistë të federatave, si dhe nxënës e studentë të mjekësisë.

Ligjërues nga EERADO ishin drejtuesit e kësaj organizate, drejtori gjeneral Teimuraz Ukleba dhe menaxherja, Tamar Svanishvili, ndërsa nga KOK-u ishte anëtari i Komisionit Mjekësor të KOK-ut, Gëzim Murseli, kurse nga Shqipëria ishte koordinatorja në Ministrinë për Edukim dhe Sport, Violeta Shqevi.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, në fjalën hyrëse u kumtoi të pranishmëve lajmin se tani e tutje edhe Kosova e ka organizatën e saj për Anti-Doping.

“Duam t’ju kumtojmë lajmin se në Kosovë filloi implementimi i luftës kundër dopingut në sport, respektivisht themelimi i organizatës për Anti-Doping në Kosovë, me të cilën po iu bashkohemi 206 shteteve që e kanë këtë organizatë”, tha ndër të tjera Presidenti Hasani.

Drejtori i EERADO-s, Teimuraz Ukleba, duke uruar Kosovën që i është bashkuar luftës kundër dopingut, foli edhe për anëtarësimin e Kosovës në EERADO.

“Me përpjekjet e KOK-ut, në krye me Presidentin Besim Hasani, janë bërë përpjekje të mëdha për t’u anëtarësuar Kosova në EERADO dhe krahas kësaj ne tanimë kemi edhe anëtarin e KOK-ut në Bordin e EERADOS”, theksoi Ukleba, duke shtuar se në Kosovë ka ekspertë të përgatitur në luftën kundër dopingut.

Anëtari i Bordit të EERADOS është Avni Nuha, kryetar i Komisionit Mjekësor në KOK. Anëtari i këtij Komisioni, Gëzim Murseli, duke vlerësuar lart organizimin e seminarit, foli për rëndësinë që ka implementimi i luftës kundër dopingut në Kosovë, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në EERADO.


I pranishëm në seminar ishte edhe Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj, i cili në fjalën e tij tha se seminaret e tilla mundësojnë ndarjen e përvojave, dhe marrjen e informatave të reja që ndodhin në zhvillimin e sportit, në këtë rast të anti-dopingut, që është shumë i rëndësishëm në zhvillimin e fair-playt.

Për substancat dhe metodat e ndaluara bazuar në listën e WADA-s, foli specialisti i Mjekësisë Sportive, Bernard Tahirbegolli.

Një ditë më parë u mbajt edhe trajnimi për Ngritjen e Kapaciteteve të Anti-Dopingut, ku pjesëmarrës ishin nxënës dhe studentë të mjekësisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/edhe-ne-kosove-nis-implementimi-i-luftes-kunder-dopingut-ne-sport/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala