Edhe mos marrja e një vendimi është vendim

Autori:Menderes Ibra

menderes Ibra

1.

Në të gjitha  rastet, qoftë në planin individual apo të përgjithshëm, vendimet e ndryshojnë jetën e njeriut – ato të mirat dhe të  marrura mirë – e përmirësojnë, kurse ato të gabuara dhe të marrura keq – e përkeqësojnë. Por përkeqësim edhe më të madh shkakton mos marrja e vendimit, shtyrja, pavendosmëria dhe neglizhenca. Sepse në këtë rast humbë edhe diçka që nuk kthehet kurrë më – koha. E mjerimi dhe shumica e fatkeqësive janë rezultat direkt i shpërdorimit të kohës.

2.

Në një situatë urgjente, aty nga mesi i Luftës së Dytë Botërore, Çerçili kishte reguar vrullshëm ndaj vartësve të tij, kur kishte mësuar se si rridhnin punët në një operacion të planifikuar ushtarak, për ndërtimin e transportuesve të tankeve, mjeteve luftarake e ushtarëve. Ata po harxhonin kohën duke diskutuar për formën se si do të dukej transportuesi, duke e shpenzuar kështu kohën e çmuar dhe duke rrezikuar operacionin. U kishte tërhequr vërejtjen shkurtazi dhe në mënyrë spirituoze e kuptimplote: “Maksima e njohur ‘Asgjë nuk është e vlefshme përveç perfektes’, mund të thuhet edhe shumë më shkurt: Paralizë”! I vetëdijshëm për çdo minutë të humbur dhe çmimin e lartë që mund të paguante kombi për trillet, tekat apo edhe papërgjegjësinë e ndokujt, burrshtetasi më i madh britanik i dy shekujve të fundit, e sipas disave edhe i gjithë historisë kombëtare, nuk kishte lejuar të vazhdonte tutje kjo situatë. Lideri i madh që ishte i njohur edhe për thënjen:”Unë kënaqem lehtë me më të mirën”, sikurse edhe në qindra raste tjera dramatike, kishte vlerësuar drejt momentin dhe kishte marrë vendimin e duhur duke mos i lën asgjë rastit. I pajisur me dije të gjërë e me menqurinë aq të nevojshme të liderit, ai e dinte se ishte detyra e tij dhe e askuj tjetër që të udhëhiqte popullin. Njerëzit ia kishin besuar këtë dhe ai nuk do i linte në baltë në asnjë rrethanë. Lideri i madh kishte jo vetëm menqurinë, por edhe guximin e mbi të gjitha autoritetin e lartë dhe kredibilitetin e padiskutueshëm për të marrë vendime. Prandaj ai nuk do të lejonte që të zvarritej marrja e një vendimi. Ai nuk do të lejonte diskutime shterpe për formën në dëm të përmbajtjes. Ai nuk do të lejonte kurrfarë paralize në dëm të çështjes!

3.

E marrja e vendimeve, duke përfshirë edhe ato kapitale të interesit të përgjithshëm shoqëror, shpeshëherë paralizohet nga analiza të tepruara, e madje edhe triviale. Në të tilla raste jo vetëm se huqet tërësisht thelbi, por humbet edhe vizioni  Mendimtarë të ndryshëm kanë shpjeguar situatat se si dhe pse nuk mund të mirret një vendim. Se si duke analizuar së tepërmi alternativat, duke u marrë me gjëra jo relevante arrihet në një pikë bllokuese, nga të menduarit jo adekuat që të gjitha alternativat i sheh si të njejta duke pamundësuar kështu marrjen e vendimit. Krijohet ndarje në taborre thuajse të barabarta, duke humbur në argumentime të pafundme rreth gjërave terciare dhe duke mbetur peng i paaftësisë për të vendosur. Në këso rastesh qasjet jo kompetente shkaktojnë një kakofoni e vërtetë, ku nuk e merr vesh i pari të dytin dhe opinioni bombardohet pamshirshëm nga tirania e mendimeve të vogla. Në aspektin psikologjik kjo shpjegohet me ekzistencën e një impulsi rutinor që shpesh nxit ata që duhet të marrin vendimin, por kundërshtojnë marrjen e rrezikut: Të kërkuarit e të pamundurës prej analizave, të shumë më shumë të asaj që vetë analizat mund të japin – eliminimin e pasigurisë e paqartësisë.

Mirëpo, në këtë rast do të duhej dalluar obsesionin e dikujt me perfeksionin dhe arritjen e më të mirës, e të cilën liderë me bagazh të madh të dijes sikurse Çerçili e kishin kuptuar se ishte i barasvlershëm me paralizën. Sepse paraliza e njejtë (bile me pasoja edhe më të këqija) arrihej edhe në një situatë tjetër – në mungesën e veprimit për të marrë një vendim, të shkaktuar nga një sërë faktorësh: qoftë si rezultat i paaftësisë, neglizhencës, mungesës së përgjegjësisë, apo veprimeve të caktuara penguese nën rrogoz. Të menduarit e paktë, çkyçja e arsyes dhe reagimi emocional, është edhe më e rëndë, sepse përfundimisht aftësia për të marrë vendimin  rrëgjohet.

4.

Pse dhe kur nuk mund të mirret një vendim i caktuar? Përgjigjja më e thjeshtë tregon se është në pyetje pamundësia e paaftësia për të vendosur për njërën nga alternativat që duhet të ndodhin pas marrjes së vendimit. Ndonjëherë subjektit që duhet të vendosë për diçka, i duken të njejta alternativat. Mendimtarët e kanë shpjeguar këtë situatë përmes metaforës së paradoksit të gomarit të Buridanit (sipas filozofit francez të shekullit XIV) dhe bazuar në kontekstin e konceptit të forcave të ekuilibruara pro dhe kundër, të cilat e pamundësojnë marrjen e vendimit. Kështu, hipotetikisht gomari i uritur dhe i etur (në prag të shterrimit të fuqive të fundit), i vendosur në mes të dy duajve të sanës dhe dy kovave ujë, krejtësisht identike dhe në distancë të barabartë, nuk mund të vendosë racionalisht për të shkuar te njëra apo tjetra, duke ngordhur nga uria dhe etja. Ky koncept pothuajse në mënyrë të njejtë dhe në kontekst identik është përmendur edhe nga mendimtarë tjerë të famshëm si  Aristoteli, Spinoza etj. Spinoza shkruan, se njeriu i ndodhur në mes dy alternativave vërtetë të ngjashme nuk mund të jetë plotësisht racional në veprimet e tij. Natyrisht që mesazhi i drejtohet njeriut që ai të jetë në gjendje që përmes kyçjes së gjykimit racional, vullnetit të lirë dhe sidomos aftësisë për të dalluar të mirën nga e keqja, përfitimet nga humbja dhe sidomos perspektivën afatgjate të merr vendimet e duhura. Edhe Ezopi përmes fabulave të tij edukuese, dymijë e gjashtëqind vjet më parë thoshte: ”Më mirë një rrugë e sigurtë se sa njëqind tjera në të cilat veq mund të llogaritësh.”

5.

Suksesi dhe progresi i kombeve të zhvilluara sot është produkt i vendimeve të menqura, të drejta, të duhura e në kohën e duhur, duke vjelur tash frutat e punës së menqur. Të tjerët, ata që dështojnë t’i marrin ato,  në vend të kësaj arsyetohen, ankohen, justifikohen apo edhe ngushllohen duke ofruar zgjidhje pasi të ketë kaluar koha, duke thënë nën zë e pa brejtje të ndërgjegjes: Nuk është mirë kjo që ndodhi, por ja që paska qenë kështu e shkruar!

Duke përshtatur një shprehje letrare, mund të thuhet se njerëzit hyjnë në rrugë e mënyra të ndryshme në qasjen ndaj marrjes së vendimeve, por të gjithë ata që nuk i marrin ato si duhet dhe në kohën e duhur, dalin njejtë nga ajo situatë – të gjymtë e fatkeq.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/edhe-mos-marrja-e-nje-vendimi-eshte-vendim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala