E panjohura e të panjohurave

Autori:Menderes Ibra

656X37337230menderes_ibra

1.

Jo rrallë herë ndodhë që kur dikush e mbron një çështje, kauzë apo fenomen të shkaktojë më shumë dëm se sa vetë sulmuesit e saj. Kjo natyrisht nuk ndodhë nga mungesa e dëshirës së tij apo saj, por nga mungesa e përgatitjes, dijes dhe fakteve.

2.

Në një nga debatet televizive për çështje ekonomike, njëri nga pjesëmarrësit po këmbëngulte se marrëveshja për tregti të lirë CEFTA është e pafavorshme për vendin dhe se duhej dalë nga ajo. Mirëpo, nuk është kjo çështja që dua ta shtjelloj këtu, pasi që kërkon trajtim më të gjërë. Më bënë  përshtypje këtu dy gjëra: E para, ai fliste pa u thirrur në asnjë analizë të situatës, por vetëm në bindjet e veta, dhe e dyta, se ai  kishte qenë vetë njëri nga anëtarët e delegacionit tonë kur ajo ishte negociiuar, dhe s’do mend që kishte pjesën e tij të autorësisë në të. Për më tepër, ndërkohë kishte përparuar në karrierë dhe tash  ndodhej në një pozitë që nuk kishte të bëj me politikat tregtare e ekonomike të shtetit. Dhe nuk ishte vetëm mungesa e përgjegjësisë për fjalën publike ajo që të vriste syrin, por edhe qasja hipokrite  dhe lehtësia e padurueshme e marrjes me një çështje e cila mund të kishte konsekuenca serioze për shtetin. Duke insistuar për të dalur nga marrëveshja, ai nuk ndalej në asnjërën nga rreziqet e pasojat që mund të rridhnin nga ky veprim. Po ashtu nuk ofronte asnjë alternativë ose plan B se çka të bëhej nëse kjo do të ndodhte. Ai kritikonte dhe vetëm kritikonte se pse kjo kishte ndodhur, pa e vërejtur se po kritikonte edhe vetëveten.

Dhe vërtetë, nganjëherë në jetë vështruar nga aspekti psokologjik krijohen situata interesante, sepse ndodhë që njeriu pavetëdijshëm të sulmojë veten e vet, madje edhe atëherë kur këtë nuk ia kërkon askush. Mbase, ndërgjegjja, ky gjykatës suprem dhe i pagabueshëm në një formë ose tjetër heret a vonë e ballafaqon njeriun dhe e shpërblen për rezultatet e të shkuarës së tij, çfarëdo qofshin ato pozitive apo negative.

Konsistenca e qëndrimeve dhe veprimeve të njeriut është një nga vetitë  që shpërfaqë karakterin e secilit. Nuk është fare virtyt nëse njeriu mundohet të bëjë shkëputje totale nga e kaluara duke tentuar që thjeshtë ta harroj apo injorojë atë. Është thënë diku mjaft bukur, se përderisa ekziston gjithmonë një laps për të shkruar të ardhmen, nuk mund të gjendet kurrë një gomë për të fshirë krejtësisht të kaluarën. Njeriu edhe mund të gabojë dikund, por do të bëj gabim të dyfishtë nëse nuk e pranon atë herdokurdo, e për më tepër edhe tenton ta fshijë atë. Nuk mundet që diçka të jetë e mirë dhe në superlativ vetëm derisa je vetë brenda, dhe  sapo të ikësh nga aty të shëndërrohet në të keqe e gabim.

3.

Gjatë kohës që ishte sekretar i mbrojtjes i SHBA-ve D.Ramsfeld, në kontekstin e menaxhimit të rreziqeve kishte përmendur termin ‘ e  panjohura e të panjohurave’. Ky term mund të  interpretohet në forma të ndryshme, por e parë nga konteksti në të cilin është përdorur mund të përmblidhet në faktin, se kur bëjmë vlerësimin e një rreziku, mund të ketë gjëra të cilat mund të na kërcnojnë dhe për të cilat ne jo vetëm që nuk kemi menduar por madje as nuk jemi të vetëdijshëm që ekzistojnë. Pra, përveç se ka rreziqe të cilat i dijmë e i njohim, e rrjedhimisht edhe mund të përgatitemi t’i menaxhojmë, ka edhe të atilla të cilat janë të maskuara nën vellon e të panjohurës.  E se si mund të dalë njeriu, nga përballja me një rrezik të cilin as që e merr me mend se ekziston nuk është vështirë për ta parashikuar.

Ky term dhe koncept konsiston në nevojën e rritjes e vetëdijes dhe krijimit të mentalitetit planifikues për parandalimin dhe përballjen me problemet e ndryshme që nuk duken në shiqim të parë. Poenta kryesore ka të bëj me të kuptuarit e një premise themelore në situata të tilla se, asnjëherë nuk mund të themi me siguri të plotë që rreth diçkaje kemi analizuar çdo mundësi e çdo rrezik. Bile edhe kur punohet shumë seriozisht ka gjithmonë ndonjë faktor të paparashikueshëm e të padukshëm që kërcnon. Duke përqafuar këtë pikëpamje njeriu bën një hap të madh në drejtim të menaxhimit të rreziqeve – pranon se ka një hendek në mes të asaj që di apo mendon se di në njërën anë, dhe të situatës reale e cila kërkon gjithëherë më shumë, e  ky është parakusht esencial drejt suksesit. Të pranuarit e kësaj mënyre të të menduarit nuk e dobëson njeriun, përkundrazi e mobilizon atë për të rritur efektivitetin drejt suksesit.

Por, a veprohet kështu? Shpesh jemi duke parë veprime të caktuara që nuk marrin plotësisht për bazë rreziqet. Bartësit e tyre nuk është e thënë që të kenë apriori qëllim të keq, mirëpo të këqija dhe të paparashikuara mund të jenë pasojat dhe rezultatet e tyre, pasi ata nuk  llogarisin të gjitha rreziqet. Është përgjegjësi, por edhe e vështirë për ta bërë këtë paraprakisht, sikurse që është infantile dhe shumë e lehtë për të reaguar pasi të ndodhë dëmi në stilin: Po ja, këtë nuk e kishim menduar.

Fenomene të tilla në familjen e shteteve nuk bën të ndodhin. Nëse  duhet të mirret një vendim, sikurse ai që u përmend më lartë, nuk duhet nisur vetëm nga të menduarit ad-hoc, apo nga ndonjë emocion momental e interes personal çfarëdo qoftë. Vendimeve të tilla të mardhënieve ndërkombëtare duhet qasur me kujdes dhe bazuar vetëm në analiza thelbësore. Pra, cilat janë dobitë momentale nga marrëveshja, cilat janë dëmet të cilat do të pësoheshin në rast të daljes, cilat janë dobitë e cilat dëmet politke, cilat janë përfitimet ekonomike, cilat janë obligimet ligjore, çka ndodhë me reputacionin shtetëror etj. E vendimi do të mund të merrej vetëm pas analizës së tillë të të gjithë faktorëve të rrezikut, matjes së tyre dhe duke mos i lënë asgjë rastit. Dhe të gjitha këto do të jenë edhe më rezultative  duke pasur në mendje edhe të panjohurën e të panjohurave.

4.

Rritja permanente e shumë dimenzionale e pasigurisë globale kohëve të fundit po bën  që edhe shtetet e mëdha dhe më të fuqishme të globit të rrisin koshiencën e menaxhimit me rreziqet e llojllojshme. E kur edhe të mëdhenjtë mendojnë aq shumë edhe për të panjohurën e të panjohurave, brishtësinë e të vegjëlve nuk është vështirë për ta llogaritur e kuptuar. Njeriu jo që ka dëm nga ajo, por i duhet e vërteta. Ish kryeministri i Britanisë së Madhe V.Çerçil në një rast ka thënë: “Dëshirat e përbashkëta dhe vullneti i mire nuk mund t’i kapërcejnë  faktet brutale.  E vërteta është e pakundërshtueshme. Paniku mund të mos e duroj atë. Injoranca mund ta tallë e përqeshë. Keqdashja mund ta shtrembëroj. Mirëpo, ajo sidoqoftë qëndron aty”!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/e-panjohura-e-te-panjohurave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala