E duam lirinë, por jo liberalizmin

Autori:Klementin Mile

klementin-mile

Këtë fundjavë mblidhet Rrethi Liberal i Dardhës për të zhvilluar takimin e përvitshëm. Në dy vitet e shkuara kam marrë pjesë si oponent në takimet e këtij rrethi. Të jesh oponent i liberalizmit është diçka e papërcaktuar: mund të jesh oponent duke qenë social-demokrat, blerist, konservator, fashist, ambientalist etj. Oponenca ime ka qenë si post-liberal. Meqë këtë vit nuk u ftova të marr pjesë në takimin e Rrethit Liberal, po ua dërgoj përmes këtij shkrimi oponencën time ndaj liberalizmit.

Siç e pranojnë edhe vetë liberalët, jemi përballë një paradoksi: njerëzit e duan lirinë (vlerën kryesore të liberalizmit), por nuk votojnë për formacionet politike liberale, ose shprehen kundër ideve liberale. Sigurisht, ka edhe liberalë që nuk arrijnë ta durojnë këtë paradoks dhe, për ta shmangur, i qëndrojnë pikëpamjes se njerëzit, në fakt, kanë frikë nga liria – prandaj nuk e votojnë liberalizmin. Paradoksi zhduket, por kjo pikëpamje është e dyshimtë. E dyshimtë edhe atëherë kur nuk thuhet “njerëzit”, por thuhet “shqiptarët” kanë frikë nga liria. Madje e dyshimtë edhe kur thuhet “shumica e shqiptarëve” kanë frikë nga liria. Sido që të shprehet një liberal, duhet pranuar që “frika nga liria” nuk është fenomen i lindur; përndryshe do arrinim në konkluzionin qesharak sipas të cilit ka dy lloje njerëzish në botë: ata që lindin të frikësuar nga liria dhe ata që lindin të dashuruar me lirinë.

Por, nëse “frika nga liria” nuk është e lindur, atëherë na qenkësh e fituar përgjatë proceseve të socializimit dhe të edukimit të individit në shoqëri; e kjo do të thotë që idetë e suksesshme, bindëse, në shoqëri na qenkëshin ato jo liberale, ato që na kultivojnë frikën nga liria dhe jo dashurinë për të. Por si ka mundësi atëherë që disa njerëz janë bërë liberalë, janë dashuruar me lirinë pa e patur aspak frikë?! A mos këta njerëz nuk kanë jetuar në shoqëri? A mos nuk janë socializuar dhe edukuar? Sigurisht që jo. Është më e arsyeshme të besojmë të kundërtën: që njerëzit nuk kanë frikë nga liria; përkundrazi, e duan lirinë – dhe të kthehemi te paradoksi i liberalizmit.

Për ta thënë me një fjali: post-liberal është ai që e pranon paradoksin e liberalizmit dhe e interpreton këtë paradoks në funksion të reformimit të doktrinës liberale. Post-liberali është i bindur për vlerën e lirisë si vlera që duhet synuar mbi të gjitha. Kjo bindje e bashkon me liberalët. Por post-liberali nuk është dakord me rrugën e propozuar nga liberalët (qofshin këta liberalë klasikë, liberalë modernë, apo neo-liberalë) për shkuar te kjo vlerë – ai nuk beson se, në fakt, politikat liberale do të sjellin maksimizimin e lirisë. Post-liberali bashkohet me liberalët në vlera dhe ndahet me ta në metodologji; është dakord me liberalët për çfarë duhet arritur, por jo se si mund të arrihet.

Këtu nuk është vendi për të shpalosur politikat post-liberale dhe dallimin e tyre me ato liberale. E rëndësishme është të kuptohet që shumica votuese është post-liberale: njerëz që e duan lirinë, por s’janë të bindur se arrihet me politika liberale. Këtu mund të jepet vetëm një ilustrim: parimi i famshëm i liberalizmit, sipas të cilit “liria ime mbaron aty ku fillon liria jote.” A nuk jemi të gjithë dakord me këtë parim? Por, sapo fillojmë të mendojmë për aplikimin në praktikë të parimit, dalin probleme. Për shembull, ku saktësisht është kufiri që ndan hapësirën time të lirisë nga hapësira jote e lirisë? Cila gjë e përcakton këtë kufi? A mos ndoshta e përcakton Kushtetuta e vendit, duke dhënë të drejta dhe detyrime? Por dhe këto janë abstrakte, ndërkohë që unë bëj jetë konkrete, në situata specifike dhe të shumëllojshme. A mos ndoshta e përcaktojnë ligjet kufirin? Jo, as ato; pasi nuk rregullohen me ligj të gjitha aspektet e jetës njerëzore. Atëherë kultura; vlerat dhe normat e përcaktojnë kufirin. Kjo është e vërtetë. Kultura mbush hapësirat që lënë bosh Kushtetuta dhe ligjet, por në kohën që jetojmë kultura nuk është zgjidhje. Kjo pasi nuk ka kulturë të unifikuar në një vend, por disa kultura, të cilat shpesh bien në konflikt me njëra-tjetrën.

Ajo çka ndodh, në kushtet e një paqartësie dhe konfuzioni total për vendndodhjen e kufirit që ndan lirinë e njërit nga liria e tjetrit, nuk është para së gjithash shkelja dhe kapërcimi i kufirit, duke dhunuar kështu lirinë e tjetrit, por është në fakt apatia dhe mosshfrytëzimi i lirisë tënde. Duke mos e ditur se deri ku shkon liria jonë, ne priremi t’i rrimë larg kufirit që na ndan me tjetrin. E kemi këtë prirje pasi mbi të gjitha vlerësojmë sigurinë – fizike dhe emocionale. Duke i ndenjur larg kufirit, të paktën sigurohemi që nuk do e kapërcejmë pa kuptuar, duke shmangur kësisoj situata të sikletshme ose të rrezikshme, të cilat mund të vijnë nga reagimi i tjetrit të dhunuar.

Rrjedhimisht, individët i mbërthen apatia, jo vetëm kundrejt individëve të tjerë, por edhe kundrejt qeverisë. Ata e këmbejnë të drejtën për liri me të drejtën për siguri. Por, siç kuptohet lehtë, kur nuk e shfrytëzon tërësisht lirinë tënde (kur i rri larg kufirit), kështu i jep sinjale tjetrit (individ ose qeveri) që të vijë e ta pushtojë hapësirën tënde, duke ta marrë lirinë. Doktrina liberale e vë theksin te shkelja e kufirit, duke e parë problemin vetëm te ky moment, pa arritur kësisoj të zbulojë ndonjë zgjidhje të ndryshme nga konservatorët – të dyja palët theksojnë zbatimin e ligjit dhe respektimin e kontratës (“siguri” është fjala kyç). Përkundër kësaj, post-liberalët e vendosin theksin te padija e individëve, e cila sjell apatinë e tyre dhe votimin e qeverive që premtojnë siguri në vend të lirisë. Pa adresuar padijen dhe pa luftuar apatinë, kauza e lirisë është e humbur./mapo.al/ 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/e-duam-lirine-por-jo-liberalizmin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala