E djathta e vërtetë mund ta shpëtojë Shqipërinë nga katastrofa

Autori:Naum Mara

Naum-Mara

Shqipëria ndodhet në një gjendje të keqe ekonomike për shkak të krizës në rajon, por kryesisht për shkak të qeverisjes së gabuar të koalicionit në pushtet. Duke përjashtuar Ramën dhe “tellallët” pranë tij, të gjithë, me zë të lartë apo nën zë, pranojnë që papunësia nuk është ulur, borxhi publik është rritur, investimet e huaja kanë rënë, liritë për të bërë biznes janë kufizuar, taksat janë rritur dhe kriminaliteti vazhdon të jetë i lartë. Por më i errët se fakti që qeveria ka dështuar në këto tre vjet, është mungesa e shpresës se diçka ka për të ndryshuar pas zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2017. Te zgjedhësit shqiptarë ndihet apatia, indiferentizmi, zhgënjimi nga politika, pajtimi deri diku me të keqen, të përmbledhura në shprehjen “Të gjithë politikanët një m.. janë!”

Ky lloj fatalizmi është rreziku më i madh për shoqërinë shqiptare, që mund të konsolidojë gjithnjë e më shumë idenë e gabuar që qarkullon në më se dy dhjetëvjeçarë: “Ky vend nuk bëhet!”

Vërtet ne nuk ju ngjajmë popujve të veriut të Europës, disa prej të cilëve kanë shprehjen “Nuk ka gjëra të pamundura, por vetëm të vështira”, por në historinë tonë jo shumë të largët, kemi formimin e kombit në kushtet e të qenit nën sundim, të mungesës së gjuhës së shkruar dhe të mungesës të aleatëve të shumtë mes Fuqive të Mëdha. Akoma më pranë është fitorja e Kosovës para një gjenocidi shfarosës.

Nxjerrja e vendit nga katastrofa, nuk ka pse të bëhet me revolucione (demokratike apo të çdo emri tjetër) si mund të pretendojë opozita e sotme, e cila ka një përgjegjësi gati të barabartë me pozitën, për gjendjen në të cilën është katandisur vendi. Ka ardhur koha, që shtresa e pasur shqiptare të “zbresë“(apo më mirë të ngjitet) në fushën e politikës, për të siguruar një balancim në drejtimin e vendit “keqësisht majtas” ose nga një e “Majtë e keqe”.

E them “keqësisht majtas”, sepse edhe pse koalicioni qeverisës paraqitet si i Majtë, ai ka bërë pak për të ndihmuar shtresat në nevojë, studentët, lëvizjen sindikaliste, fermerët e varfër, bile shpesh të varfrit kanë përfunduar burgjeve për mospagim fature apo riparim pa leje shtëpish. Aq keq e kupton kryeministri aktual të Majtën, sa ju drejtohet Italianëve ‘të investojnë në Shqipëri se nuk ka sindikata!” Kuptohet, që për marrje huash qeveritare që nuk shlyhen dot, kufizim të lirive të tregut dhe shtimit të rregullave penguese, rritjen e taksave, përqendrimin e kompetencave në Tiranë, kryeministri është më i majtë se analogët e tij në Europë (përfshi këtu edhe të shkuarit Papandre at e bir, që sollën katastrofën ekonomike greke).

Industrialistët, ndërtuesit, tregtarët e mëdhenj shqiptarë nuk mund të rrinë më të tërhequr dhe të mendojnë vetëm për lidhje të forta me politikanët për të përfituar pa zor tendera publikë dhe koncesione. Kjo gjendje, që sa vjen e keqësohet nuk mund të presë edhe 4 apo 8 vite të tjera. Kësaj shtrese, më shumë se kujtdo tjetër i duhet një Shqipëri ekonomikisht e qëndrueshme, me rend të fortë dhe me sa më pak probleme sociale. Në të kundërt, një ditë njerëzit do ju drejtohen sfurqeve dhe në rastin e Shqipërisë, pas dyerve të “ashefeve” shqiptarët nuk kanë sfurqe por kallashnikovë.

Partia e djathtë e Berishës nuk ka më kredibilitet. Veç korrupsionit, politikat e saj nuk kanë qenë kurrë qartësisht të djathta. Nëse “të pasurit” nuk janë në gjendje të pastrojnë këtë strukturë nga të dështuarit dhe të korruptuarit, atëherë një parti e re e djathtë është e domosdoshme.

Me një parti të tillë, shqiptarët e fuqishëm duhet t’i drejtohen shtresës së pronarëve të mesëm, ish të përndjekurve dhe të shpronësuarve duke ju premtuar ato që janë karakteristike për të djathtat:taksa të ulëta, më shumë liri ekonomike, rend më të fortë, administratë më të vogël, decentralizim të pushtetit.

Duhet t’i drejtohen edhe shtresave në nevojë duke ju shpjeguar që modeli i tyre do sjellë përmirësime në ekonomi dhe thithje investimesh, që do sjellin jo vetëm rritjen e punësimit, por edhe rritje të rrogave në sektorin privat. Duhet t’ju shpjegojnë njerëzve, që rritja ekonomike do sjellë edhe “rilindjen urbane” të qyteteve dhe pa marrë borxhe, që do paguhen më vonë nga po të njëjtit qytetarë.

Duket si utopi, që një gjë e tillë mund të ndodhë në shoqërinë shqiptare, e tipit “godinë trekatëshe” të përshkruar bukur nga analisti Lubonja(me të cilën pajtohem pjesërisht), por jo të gjithë bizneset e mëdha janë pazgjidhshmërisht të lidhur me politikën apo me krimin. Në fund të fundit, kur vjen rasti për mbrojtjen e interesave nuk ka asnjë aleancë të pazgjidhshme. Në rastin që po përshkruajmë, interesi i të fuqishmëve është edhe interes patriotik.

Po a mundet, që një parti e Djathtë e pastruar nga Berisha, Basha e kompani, apo një Parti e re e Djathtë të fitojë zgjedhjet e përgjithshme të vitit që vjen?

Edhe pse nuk është krejtësisht e pamundur, (duke marrë në konsideratë fuqinë ekonomike të bizneseve) një parti e tillë në opozitë, do ndryshojë thellësisht peizazhin politik shqiptar dhe do bëjë që qeveria Rama-Meta 2, të jetë e përmbajtur në politikat dhe praktikat ekonomike, ose shumë shpejt të detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Një parti e tillë do ketë mbështetjen e plotë të të huajve, që janë gati po aq të zhgënjyer sa shqiptarët, nga politikanët tanë të sotëm.

Më vonë të gjithë do rrojnë të lumtur e të gëzuar?

Jo, jeta do vazhdojë të jetë luftë, por katastrofa do jetë shmangur./mapo.al/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/e-djathta-e-vertete-mund-ta-shpetoje-shqiperine-nga-katastrofa/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala