Dugolli kërkon të mos bëhet grabitja e hapësirës së Universitetit

Autori:Gazeta Fjala

kisha

Drejtuesit e Fakultetit Filozofik kanë reaguar në lidhje me vendimin që dje ka marrë Gjykata e Apelit e cila ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta konsideruar të tërhequr padinë e UP-së për pronësinë e tokës, ku gjendet Kisha Ortodokse.

Dekani i Fakultetit Filozofik Bujar Dugolli në reagimin e tij ka thënë se në emër të Fakultetit Filozofik, kundërshtojnë këtë vendim dhe konsiderojnë si papërgjegjësi të institucioneve të gjyqësorit dhe të udhëheqjes – rektoratit dhe Këshillit Drejtues – të Universitetit të Prishtinës lidhur me këtë vendim.

“Kundërshtimi ynë nuk është një tentativë për ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe as në cenimin e të drejtës së besimit dhe religjionit të asnjë komuniteti në Republikën e Kosovës dhe nuk duhet të kuptohet si i tillë. Ky kundërshtim ka të bëjë me faktin, se pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, pushteti i dhunshëm serb i Millosheviqit aplikoi ligje diskriminuese në raport me shqiptarët e Kosovës në të gjitha aspektet, përfshirë edhe ato pronësore. Për kujtesë organeve të gjyqësorit në Kosovë, këto ligje diskriminuese, të cilat e transformuan pronën shoqërore pa i pyetur pronarët e vërtetë, nuk u zbatuan as nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Legjitimimi i këtyre veprimeve të paligjshme të periudhës së Millosheviqit në rastin e pronës së Universitetit të Prishtinës, por edhe në raste të tjera të ngjashme, është turp për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Dugolli.

Dugolli ka rikujtuar se veprimi i Millosheviqit dhe Arkanit për t’i marrë tokën universitetit për të ndërtuar paligjshëm një objekt surrogat religjioz, i cili ndan dhe nuk bashkon komunitetet dhe nuk është në shërbim as të vetë komunitetit ortodoks në Republikën e Kosovës, është kundërshtuar edhe përmes padive nga Universiteti i Prishtinës në kohën kur këtë institucion e drejtonte Ejup Statovci gjatë viteve të 90-ta, por edhe pas çlirimit kur rektor i UP ishte Mujë Rugova.

“Papërgjegjësia e menaxhmenteve të Universitetit të Prishtinës në periudhën 2015 – 17 është e patolerueshme dhe jo vetëm që nuk i bën nder UP, por dëmton pronën dhe kredibilitetin e këtij institucioni karshi të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së gjeneratave të tëra në Kosovë. Universiteti i Prishtinës ka qenë vatër e ideve dhe veprimit të rezistencës ndaj pushtuesve dhe regjimeve totalitare. Sot duhet të jetë kundërshtues i veprimeve të padrejta, që cënojnë të ardhmen e rinisë studentore”, ka thënë Dugolli. Sipas tij Fakulteti Filozofik nuk do të heqë dorë nga përpjekjet, që Universiteti i Prishtinës të menaxhojë me pronën e vet.

“Ftojmë studentët, profesoratin dhe stafin administrativ jo vetëm të Fakultetit Filozofik, por edhe të njësive të tjera akademike, si dhe të gjithë akterët e tjerë në shoqëri, të japin kontributin e tyre, që të mos lejohet grabitja e pronës ngulfatja e hapësirës së universitetit nga veprimet e mëtutjeshme. Njëkohësisht kërkojmë nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës të ndërmarrin veprime të përbashkëta dhe koordinuara juridike për ta shpëtuar pronën e Universitetit të Prishtinës dhe lejimin e tij për ndërtimin e objekteve të tjera akademike në shërbim të studentëve dhe të së ardhmes”, thuhet në reagimin e Dugollit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/dugolli-kerkon-te-mos-behet-grabitja-e-hapesires-se-universitetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala