“Diskutimi për lëvizje të kufijve tremb investitorët e mundshëm”

Autori:Gazeta Fjala

punetoret_1505543149-5815708

Dialogu për ndryshim të kufijve dhe shkëmbim territoresh, do të ndikojë në tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë, thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Zeka pohon se përhapja e këtij diskursi do të lë përshtypjen tek investitorët se çështja e statusit të Kosovës është ende e pazgjidhur.

“Stabiliteti politik është faktori i rëndësishëm i të bërit biznes e sidomos në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja. Ne e kemi bërë me dije që diskutimet e tilla, përhapja e diskursit të tillë, natyrisht do të ketë ndikim tek investitorët, sepse jep përshtypjen se çështja e statusit të Kosovës është sërish e hapur dhe natyrisht investitorët, cilido të jetë ai, gjatë analizës së tyre të mjedisit për të bërë biznes do ta ketë parasysh edhe këtë fakt. Do të pres deri në përmbyllje të çfarëdo vendimi përfundimtar të statusit të cilit ata do ta konsiderojnë që tashmë është një çështje e hapur”, thekson Zeka.

Ai thekson se pasojat e këtij mos-stabiliteti politik do të vërehen më vonë në ekonominë e vendit.

“Ajo çfarë natyrisht presim tash e tutje, mund të bëjmë një vlerësim të tillë se sa ka pasur ndikim realisht tek investitorët potencial. Mirëpo po prishet diçka që ka nisë, diçka e mirë. Kemi pa përhapje, ardhje të rendeve ndërkombëtare në Kosovë edhe gjatë vitit të kaluar dhe gjatë fillimit të këtij viti dhe ky është një sinjal shumë i rëndësishëm se vendi ka qenë mjaft stabil në aspektin politik, dhe çfarëdo ndryshimi në këtë aspekt mund të ketë pasoja”, tha ai.

Ai ka shprehur shqetësim se deklaratat e tilla politike do të ulin dukshëm edhe eksportin, i cili, sipas Zekës, edhe ashtu ndodhet në gjendje problematike.

“Nëse ka ndonjë blerës jashtë vendit, pra, nëse marrim si shembull shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nëse dikush prej tyre percepton se mund të ketë ndonjë rrezik politik të asociuar me atë transaksion ose me atë tregti të cilin dëshiron ta zhvillon me biznesit vendor kosovar, atëherë, natyrisht, që kjo do të ketë ndikim edhe në eksportet, të cilat edhe ashtu janë të vogla dhe nga viti në vit raportohen si mjaft problematike dhe nëse i kemi parasysh të dhënat e deficitit tregtar që prezantohen nga institucionet e vendit”, thotë ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/diskutimi-per-levizje-te-kufijve-tremb-investitoret-e-mundshem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala