Dijet e vjetra dhe shtetet e reja

Autori:Menderes Ibra

menderes Ibra

E quditshme po se po, por edhe  dëshpëruese, intriguese e ndjellakeqe është mënyra që shpesh dëgjohet në opinion, kur mëtohet që të përqeshet, nënqmohet apo të anatemohet tjetri. “Ai është filozof…”, ose “Mos u bëj filozof!”, thuhet pa pardon e pa menduar gjatë. Nëse jo ndonjë trill çasti, kjo mbase mund të jetë përpjekje e dëshpëruar e disave për t’i eskivuar  një teme të caktuar debati në të cilën kanë deficiencë të dijes, që edhe mund të arsyetohet disi si një lloj vetëmbrojtjeje, por mënyra se si bëhet dhe mjetet e përdorura janë të pandershme.

Nga erdhi kjo shprehi në shoqërinë tonë, dhe kush e pse e solli atë? Ku është gjeneza e saj? Në një vetëmburrje vështirë të kuptuar, në një kënaqësi të pashpjegueshme të përqeshjes së arsyes, në një përbuzje të pështirë të së natyrshmes, apo në një guzhinë gatuar kush e di kur e nga kush, e të servuar me dinakëri. Arsyet e mirëfillta ndoshta edhe është vështirë t’i gjesh, por jo edhe synimin e saj – rrëgjimi i dijes, ose edhe më keq, i dëshirës për dije, e  mungesa e dijes apo e dëshirës për të dërgon gjithmonë në një robëri të vullnetshme. Të bësh tjetrin që të ndjehet keq apo edhe të skuqet nga diçka që në fakt do të duhej të ishte mburrje! Përkthyer në shqip, filozof do të thotë një njeri që e don dijen! Pse do të duhej që diqka fisnike të transformohet në kuptim pezhorativ? Një njeri që don dijen një ditë edhe do ta arrijë atë, dhe nga kjo askush nuk do të ketë dëm, sepse ajo ndihmon për të kuptuar  të vërtetën, dhe për të dashur virtytin.

Filozofët dhe mendimtarët gjatë tërë historisë së civilizimeve të njerëzimit ishin ata që i dëftuan njeriut shtegun drejt zhvillimit e progresit, ata që së paku ndezën një kandil për të luftuar errësirën. Këta viganë të mendimit shpesh herë rrodhën edhe nga popuj të vegjël, bile tejet të vegjël në raport me të tjerët. Shtetet e vogla të Spartës, Athinës ishin shembuj të tillë. Edhe në kohën e sotme filozofë e mendimtarë të mëdhenjë vijnë nga popuj  e kombe të vogla, por me traditë të gjatë të arsimimit e kulturës.

Dhe në këtë konotacion, a duhet shtruar pyetjen që me vete sjell edhe lakminë e dëshirën: Po kombi ynë, vallë, cilin filozof të përmasave të tilla e mbruajti dhe e krijoi, përmes të të cilit do të na njifte e respektonte bota?

2.

Ka disa gjëra,  e madje edhe të vërteta të përbotshme që nga njerëzit përsëriten disi mekanikisht, por kjo nuk do të thotë që ato kuptohen mirëfilli. Fundja përsëritja e një të vërtete pa e kuptuar në thelb, e sidomos pa e zbatuar në praktikë nuk është se siguron ndonjë dobi. Gjithashtu të dëgjosh e madje edhe të kuptosh fjalët nuk është e mjaftueshme, sepse duhet që edhe t’i ndjesh ato, ashtu që kuptimi i tyre të të shtyjë drejt veprimit. Ne shpesh dëgjojmë fjalinë e saktë: “Nuk ka nevojë që të shpiket uji i nxehtë”. Nënteksti është i qartë, nuk ka nevojë të zbulohet diçka që tashmë është e zbuluar. Njerëzit e menqur e zbatojnë fuqishëm këtë parim. Kur në njërën nga sfidat serioze të jetës së tij në shtetndërtimin e SHBA-ve, atë të çështjes së skllavërisë, e kur mori vendimin e tij largpamës për largimin e saj,  ish presidenti Linkoln, jo vetëm që i dinte por edhe i  zbatoi qëndrimet e mendimtarëve antikë rreth parimeve fundamentale njerëzore, e edhe të lirisë e skllavërisë. Ai e dinte rastin kur Diogjenit i iku skllavi i tij. Dhe kur e gjetën dhe ia sollën, ai tha: “Nëse skllavi im mund të jetoj pa mua, atëherë është turp për mua, që edhe unë të mos mund të jetoj pa të”! Dhe e la të lirë skllavin!

Shembuj të tillë të Etërve Themelues, Linkolnit, të presidentëve tjerë të SHBA-ve, por edhe të vendeve tjera të zhvilluara dhe të përparuara ka mjaft. E kjo tregon se ata ishin të edukuar e  arsimuar në atë nivel që i dinin, kuptonin dhe zbatonin në praktikë parimet fundamentale të njerëzimit të krijuara shumë shekuj më parë. Në situatat e vështira kur ata u ballafaquan me probleme thuajse të pazgjidhshme ata u inspiruan dhe mbështetën fuqishëm në dijet vjetra të krijuara nga filozofë të menqur mijëra vite më parë, dhe nuk gabuan. Njëra nga kualitetet e dijes së lartë është se ato janë hyjnore, univerzale dhe që i bëjnë ballë kohës. Dhe dobia e tyre për njeriun është e pakufishme, sepse ajo mëson se si të lartësohet ai, si të largojë veset e të forcojë virtytet, se si të dëbojë smirën, ligësinë, gënjeshtrën, fodullëkun e vetëgënjimin, e se si të pranojë dashurinë, përulësinë, mëshirën, të vërtetën, barazinë, lirinë dhe të mirat tjera, të cilat e largojnë nga errësira e injoranca dhe e shtyjnë drejt dritës, dijes e arritshmërisë.

3.

Janë këta e shembuj të tjerë në gjithë historinë e krijimit, organizimit dhe mbajtjes së shteteve që katërcipërisht dëshmojnë se shtetndërtimi nuk është se nënkupton vetëm një aparat e mekanizëm, një territor, dhe as vetëm forca ushtarake për ta mbajtur e ruajtur atë. Kërkon edhe atë që është vlerë e lartë shpirtërore e hyjnore – zhvillimin e e përsosjen e personalitetit të njeriut, me synim krijimin e lumturisë së tij dhe jetës së dinjitetshme. E këtë përmes një sistemi vlerash që për bazë kanë moralin dhe parimet fundamentale të njerëzimit, për të arritur virtytin. Shi për këtë mësimi i filozofisë, moralit dhe etikës në sistemet arsimore të shteteve e kombeve të zhvilluara paraqet bazën e arsimimit e rrjedhimisht edhe të shtetndërtimit. Nga këtu shohim se prosperiteti dhe zhvillimi i gjithëmbarshëm i tyre tyre kombëtar shkon krahas edhe me një atribut esencial dhe të domosdoshëm të zhvillimit – ndërgjegjja kombëtare. Se funksionimi i këtij binomi është faktori kryesor dhe si i tillë edhe i domosdoshëm në zhvillimin e shoqërisë nuk është e vështirë për tu kuptuar. Mjafton që të shiqohen vendet dhe kombet e zhvilluara sot. Nuk ka asnjë vend të zhvilluar e të prosperuar që të mos ketë një sistem arsimimi dhe edukimi të zhvilluar, në të cilin njeriu merr dijen dhe edukatën e nevojshme për punë e zhvillim, por edhe bazat e ndërgjegjes  kombëtare. Në këtë mënyrë është dëshmuar se mund të zhvillohet mirëfilli personaliteti i njeriut të dobishëm për vete dhe shoqërinë, që rezulton me krijimin e mentalitetit të qëndrueshëm shtetformues.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/dijet-e-vjetra-dhe-shtetet-e-reja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala