Destinacionet më të lira dhe më të mira për të vizituar në shtator

Autori:Gazeta Fjala

Turizmi-ne-Shqiperi

Me sezonin që po vjen drejt fundit, shtatori konsiderohet si muaji më i mirë për të udhëtuar, veçanërisht në Europë, duke qenë se temperaturat mbeten të larta, por çmimet ulen. Më poshtë Culture Trip ka bërë një renditje për vendet ku mund të bëni disa pushime përpara Krishtlindjeve.

Shqipëria

Nuk ka periudhë më të mirë për të vizituar Shqipërinë, një vend që me siguri do të kryesojë listat dhe postimet në Instagram në një të ardhme të afërt, kështu që vizitojeni sa është ende një destinacion i lirë. Sot, kostot mesatare për një vakt përllogariten të jenë rreth 7 dollarë, ndërsa një birrë kushton mesatarisht 1 dollar. Me disa operatorë, që mundësojnë fluturime low-cost, është shumë e thjeshtë që ta vizitosh. Sapo të mbërrini do të keni mundësi që të shijoni bukuritë natyrore dhe historinë e qyteteve si Berati dhe Tirana.

La Palma, Ishujt Canary

Zbulimi i La Palma është fillimi i çdo udhëtari me buxhet të kufizuar. Mos u tërhiqni nga popullariteti i Tenerifeve, Lanzarote dhe Gran Canaria, La Palma ishulli më verior, gjithashtu konsiderohet më i bukuri. Akomodimi në një nga hotelet e La Palma fillon nga 15 dollarë në natë, ndërkohë që një vakt i mirë në një nga lokalet atje kushton 6 dollarë. Pjesa më e madhe e atraksioneve janë pa pagesë, përfshirë dhe Parkun Kombëtar të Caldera de Taburiente, ku përfshihet edhe shëtitja rreth vullkanit të fjetur.

Mexico City, Meksikë

Vlera e pesos, monedhës lokale, ka rënë ndjeshëm përkundrejt dollarit dhe kjo është një arsye pse turizmi në Amerikën Qendrore është në rritje. Kostot mesatare për një vakt përllogariten 5 dollarë. Meksika po njeh një bum në numrin e vizitorëve muajt e fundit. Numri i resorteve të lira në Cancun, Playa del Carmen dhe Puerto Vallarta është i madh, ndërkohë që mund të eksploroni plazhet me rërë të artë dhe lagunat.

Sofja, Bullgari

Sofja krijon ndjesinë e një qyteti të madh europian, por është e lirë në çmime. Qyteti është i njohur për kulturën dhe artin. Sofja mund të konsiderohet kryeqyteti i Ballkanit. Këtu të gjithë mund të përballojnë pak luks. Për të tre vaktet në një restorant të mirë do të paguani rreth 12 dollarë dhe në fund mund të shijoni birrën vendase me 1 dollar. Shumë prej atraksioneve në Sofje janë shumë të lira ose falas, përfshirë dhe vizitën në Katedralen e St. Alexander Nevsky (3 dollarë) apo Muzeun Kombëtar të Historisë.

Kartagjena, Kolumbi

Megjithëse nuk është destinacioni më i lirë në Kolumbi, Kartagjena njihet si një ndër qytetet më të bukur të bregdetit të Amerikës së Jugut. Eksplorimi i rrugëve me kalldrëm, katedralet e qytetit dhe muret e lyera me ngjyra të ndezura bëhet i mundur me një kosto akomodimi në qytet që varion nga 20-30 dollarë nata.

Tunizia

Turizmi i Tunizisë ka pësuar një goditje që pas tragjedisë që ndodhi në një prej resorteve më popullore. Më në fund, i rihapur për turistët, është koha për ta vizituar. Tunizia njihet se ka disa prej plazheve më të bukura të Mesdheut, pa përmendur kulinarinë vendase.

Manila, Filipine

Njëherë e një kohë konsiderohej një ndalesë e papëlqyer (pak a shumë si Bangkoku), Manila ka filluar që të jetë një ndër destinacionet më të vizituara. Për shkak të kohës së paparashikueshme, vjeshta është më e lirë për të udhëtuar, megjithatë temperaturat nuk do t’ju ndalojnë që të kaloni pushime të mrekullueshme. Muzeu Kombëtar është pa pagesë dhe atraksionet e tjera në të gjithë Manilën janë në përgjithësi të lira, sikurse është ushqimi dhe akomodimi.

Antalia, Turqi

Kjo perlë e Mesdheut është një nga destinacionet më të lira për pushimet në botë. Kostot mesatare për një natë janë 57 dollarë ndërkohë që një vakt për dy persona kushton rreth 16 dollarë. Qyteti me resorte, me plazhet e fshehura dhe bregdetin ranor, prej të cilëve do të largoheni vetëm për të provuar kuzhinën vendase.

Havana, Kubë

E lirë për t’u vizituar dhe shumë më e lirë gjatë qëndrimit atje, Kuba është një prej destinacioneve për dikë që po kërkon një përvojë të mrekullueshme “pa e thyer” llogarinë bankare. Një vakt për dy persona kushton mesatarisht 11 dollarë, ndërsa një koktej, për të cilat vendi është i njohur se përgatit më të mirat në botë, kushton më pak se 4 dollarë. Taksitë janë shumë të lira dhe kjo mundëson që t’i bini qytetit kryq e tërthor.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/destinacionet-me-te-lira-dhe-me-te-mira-per-te-vizituar-ne-shtator/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala