Demarkacioni do terapi të fortë

Autori:Shaip Muja

shaip-muja-637x309

Qeveria sjell ligje për miratim çfarë është vet

Demarkacioni nuk është çështje teknike as çështje e disa hartografëve. Nuk bëhet mbi bazën e emocionit as urrejtjes, mosdurimit apo konfliktit, sado që, konfliktet i kanë prodhuar kufijtë.

Duke qenë se Shqipëria, në çdo cep të saj kufizohet me shqiptar, po ashtu, edhe Kosova, në të gjitha anët kufizohet me shqiptar. Kujto Luginën e Preshevës, kujto Plavën e Gucinë, Karadakun, Tregun e ri, Rozhajën e Sjenicën.

Në këtë histori të tregimit tragjik, erdhi një kapitull po aq i dhimbshëm, pellgu i Bistricës, në Bjelluhë, Çakorri dhe Kulla. Hektarët janë njësi matëse të kësaj tragjedie. Në disa argumente, bazohej kundërshtimi:

Mënyra si është përcjellë procesi, parimet e përdorura, metoda e përdorimit të parimeve, rezultatet e sjella nga premisat e gabuara si dhe arroganca e personave që kanë përcjellë procesin. Ka edhe të meta tjera, por këto janë për mua thelbësore.

Filozofia e tejkaluar se e drejta ime shkon deri aty ku shkon forca ime, përbën rrezikun e luftës së përhershme të pashpallur për ballkanasit. Kjo vlen edhe për forcën që disponojnë dy palët, në këtë rast, Kosovës dhe Malit të Zi. Është fakt i ditur, si u bë demarkacioni mes Kosovës si krahinë dhe dy njësive federale, Serbisë dhe Malit të Zi. Në asnjë rast, pala kosovare, nuk ishte në tavolinë, ashtu siç nuk ishte as në Kumanovë kur u nënshkrua kapitullimi i Serbisë dhe dorëzimi i sovranitetit mbi 10.905 km katror duke ia kaluar Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Në këtë katrahurë të vegshit ballkanik, 8000 hektar kanë kuptim. Kanë kuptim më të madh se sa realisht kanë vlerë. Këta hektar rizgjojnë shumë pasione, të marrjes apo mbrojtjes, të kthimit apo rikthimit të atyre hektarëve, të faljes apo grabitjes. Po ashtu, rikthen trimërinë si koncept kalorësiak, si mbamendje tragjike për popullin tonë, në veçanti trevës së Rugovës, që ishte mburoja e Rrafshit të Dukagjinit nga cubat e shumëllojshëm. Rikthen këngët kreshnike si mbulesë historike, paçka se shekulli 21 këto tashmë i trajton si relikte.

Mirë është që kemi arritur ta ndalim një proces që kryekreje tejkalonte seriozitetin e anëtarëve të këtij komisioni, tejkalonte modusin e vendimmarrjes, tejkalonte edhe vet imagjinatën e nënshkruesve të këtij procesi. Autorësia e këtij procesi lidhet me ruajtje të shtetit.

Zgjedhjet e 11 Qershorit do të sjell qeverinë që sjell ligje si vet. Pres që pas kësaj date, të shtohet rreptësia e gjykimit, guximi i veprimit, saktësia e interpretimit, mbikëqyrja e detajeve, të cilat në kushte normale determinojnë hapat politik për trajtim serioz të çështjes. Të mbesësh në parime, është më shumë se talent, është ruajtja e pozitës vertikale përball sfidave. Liderët tanë e kanë këtë pikë të fortë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/demarkacioni-do-terapi-te-forte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala