Del Ponte thotë se ka dëshmi të mjaftueshme për dënimin e Assadit për krime lufte

Autori:Gazeta Fjala

carla del ponte

Komisioni i OKB-së për Hetime në Siri ka mbledhur dëshmi të mjaftueshme në mënyrë që presidenti Bashar al-Assad të dënohet për krime lufte, ka thënë anëtarja e mirënjohur e komisionit, Carla del Ponte.

Del Ponte, 70 vjeçe, që ka ndjekur krimet e luftës në Ruandë dhe ish-Jugosllavi, javën që shkoi njoftoi se do të dorëhiqet nga roli i saj për shkak të zhgënjimit me dështimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vazhduar punën e komisionit për të themeluar një tribunal special për Sirinë që do të gjykonte kriminelët e dyshuar të luftës.

Ajo s’ka treguar se kur do të largohet nga ky post.

E pyetur në një intervistë për gazetën zvicerane “SonntagsZeitung” nëse ka dëshmi të mjaftueshme që Assadi të dënohet për krime lufte, ajo tha: “Por, jam e bindur se ka mjaftueshëm. Për këtë arsye edhe situata është shumë zhgënjyese. Puna përgatitore është kryer. E edhe përkundër kësaj, nuk ka asnjë prokuror e as gjykatë”, raporton Reuters.

Qeveria siriane, e drejtuar nga Assadi, mohon raportet e komisionit që ka dokumentuar krime të mëdha lufte të kryera nga forcat e mbështetura nga qeveria dhe nga shërbimet e sigurimit të Sirisë.

Ndonëse OKB-ja po e themelon një organ të ri për të përgatitur ndjekjet penale, nuk ka asnjë shenjë për themelimin e ndonjë gjykate për të ndjekur krimet e luftës të kryera në luftën gjashtë e gjysmë vjeçare. Madje s’ka as qëllim nga KS i OKB-së që ta referojë gjendjen në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë.

“Për gjashtë vjet, komisioni ka hetuar. Tani prokurori duhet të vazhdojë punën tonë dhe të sjellë kriminelët e luftës para një gjykate speciale. Por pikërisht këtë po e bllokon Rusia me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, ka thënë del Ponte, transmeton Koha.net.

Rusia, aleate e afërt e qeverisë së Assadit, ka të drejtën e vetos në Këshill të Sigurimit si një prej anëtarëve të tij të përhershëm.

E pyetur se cilat palë të konfliktit i ka hetuar së pari komisioni, ajo tha. “Të gjithë ata kanë kryer krime lufte. Si rrjedhojë, i kemi hetuar të gjithë”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/del-ponte-thote-se-ka-deshmi-te-mjaftueshme-per-denimin-e-assadit-per-krime-lufte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala